Basha: Në këmbë kundër drogës, të rikthehet moratoriumi i skafeve

488
Sigal

TIRANE- Partia Demokratike ka zhvilluar sot një tryezë të rrumbullakët me shoqërinë civile për të diskutuar për problemin e trafikut të drogës në vendin tonë. Duke e cilësuar këtë trafik droge “një kancer shoqëror e politik”, kreu i PD-së Lulzim Basha tha se “Aleanca Kombëtare kundër drogës” është një lëvizje ndërpartiake e mbarëshoqërore, që ka si qëllim të mos lejojë narkotrafikun si sistem. Ndërsa Basha tha se protestat e opozitës kundër trafikut të drogës do të vijojnë. “Na ka mbledhur sot alarmi i madh i narkotrafikut, për ngritjen e një aleance kundër narkotrafikut. Për të penguar me akte dhe rezultate të qarta këtë kërcënim të damkosjes së vendit me pasoja negative, për sa i përket imazhit të vendit, perspektivës evropiane. Dy janë alternativat ta mposhtim të bashkuar narkotrafikun në përpjekjen tonë dhe të vazhdojmë rrugën ose të lëmë bosët e drogës të marrin frenat në dorë, të vendosin me ligjet e xhunglës. Një popull në këmbë kundër drogës, ne jemi të inkurajuar se kemi bërë gjënë e duhur, do t’ia dalim. Bota e errët e narkotrafikantëve nuk do ketë zgjidhje tjetër veçse të zhduket”, u shpreh Basha. Lidhur me këtë situatë të krijuar, kreu i PD akuzoi si përgjegjës kryeministrin Rama, ndërsa kërkoi mbështetjen e qytetarëve për ngritjen e një komisioni që do të hetojë emërimet në poste kyçe. “Aleanca Kombëtare kundër drogës” parashtroi disa kërkesa më tej, të cilat do shkojnë për shqyrtim para Kuvendit. “Droga nga deti, toka dhe ajri në përmasa të paimagjinueshme Ajo që shohim nuk është film, lajmet janë temë e ditës në diskutimet e çdo shtëpie, në tërësi në cdo shtëpi. Trinomi është i qartë, para të pista, zgjedhje të pista, pushtet i pistë, ka një objektiv rrënim i demokracisë. Kërkoj mbështetje për komisionin hetimor që merret me ujkun dhe jo me gjurmët. Nevojitet ngritja e një komisioni që të hetojë personat e dënuar për trafik droge të emëruar në poste drejtuese. Do të përgatitim një pakete të plotë ligjore për largimin e të inkriminuarve në porte, dogana, aeroporte, FA e administrata. Paketa ligjore për të gjithë kandidatët që do garojnë në zgjedhjet vendore, të vërtetohet që nuk kanë lidhje me drogën. Të rivendoset e moratoriumi i skafeve në dy vitet e ardhshme”, vijoi kreu i PD-së. Muajin e kaluar PD ka organizuar dy protesta kundër trafikut të drogës, ku ka kërkuar Kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij si përgjegjëse për gjendjen e narkotrafikut në vend.