Flet deputeti i PS, Pjerin Ndreu: Opozita është në krizë identiteti

777
Sigal

Llogaridhënia e qeverisë, reforma në drejtësi, vetingu në polici, trafiqet, protestat e opozitës, premtimet elektorale dhe lokalet e 2019-s

1-Zoti Ndreu, në llogaridhënien e qeverisjes së Rilindjes, cilat janë kritikat, ankesat e qytetarëve në zonën tuaj elektorale?

Llogaridhënia ka ditë që ka vazhduar në gjithë vendin. Në fillim na u duk një gjë e vështirë. Komunikimi me njerëzit që kanë shumë halle nuk është i lehtë. Por mendoj se është gjetje. Përballja duhet. Është e para herë që deputetët dhe ministrat dalin përballë elektoratit. Problematika ka qenë e ndryshme. Punësimi, energjia elektrike, institucionet, probleme me menaxhimin lokal të problemeve etj. Kemi rivënë në vijë shumë probleme që nuk na ishin transmetuar. Ndërsa kemi inkurajuar njerëzit që të denoncojnë në institucione, tek deputetet apo te platforma e bashkëqeverisjes për gjithçka ata kanë nevojë.

  1. Sa i ka përmbushur Qeveria e Rilindjes deri tani premtimet elektorale të 2017-s?

Qeveria ka bërë shumë në përmirësimin e komunikimit dhe dhënien e mundësive në pjesëmarrje të të gjithë qytetarëve në qeverisje. Në forcimin e institucioneve. Drejtimi i tyre është ku e ku me atë që ishte. Në forcimin e zbatimit të ligjit, në investimet publike, në punësime, në arsim, shëndetësi etj. Natyrisht që ka shumë për të bërë dhe ka padurim, por gjërat po ecin para e jo pas .

  1. Mendoni se Opozita qëllimisht e zgjodhi kohën tani para 28 qershorit me akuzat ndaj ministrit të Brendshëm për të penguar hapjen e negociatave?

Opozita është në krizë identiteti. Nuk di ku ka kokën e as këmbët. Në këtë periudhë nuk ndalet duke bërë çfarë mundet për mos hapjen e negociatave. Betime e stërbetime për moshapje negociatash janë të zakonshme në ligjërimin politik opozitar të ditëve të fundit. Siç e kemi parë Evropa i ka injoruar dhe shqiptarët i kanë braktisur, duke i lënë çdo ditë e më keq pa përkrahje. Spiralja ku është futur opozita jonë është vetëvrasëse. Fatet e opozitës kanë ngelë në fantazitë e shfrenuara të Berishës dhe krekosjen prej adoleshenti të Bashës. Por nuk do munden dot.

  1. Ju si specialist dhe ish-drejtues i Policisë së Shtetit mendoni, se disa ish-drejtues të Lartë të Policisë së Shtetit ishin si individë të veçuar që Bashkëpunuan me trafikantët apo ishin të organizuar në struktura kriminale brenda këtij institucioni, siç akuzon PD?

Po gjithmonë policia ka pasur të tillë. Por kjo nuk e venit fisnikërinë, uniformën, profesionalizmin, sakrificën dhe përkushtimin e asaj organizate. Gjithkush që abuzon me disa individë duke i shitur si modele për të njollosur policinë e shtetit është antishqiptar. Mendoj se gjërat po shkojnë shumë mirë me policinë e shtetit dhe se duhet të jemi krenarë për arritjet që janë të dukshme dhe partneritetin me policitë simotra të vendeve të BE që po vjen në rritje. Lufta kundër krimit tashmë ka shembuj të padiskutueshëm.

  1. E kemi sot Policinë e Shtetit që duam?

Jo akoma. Zhvillimet policore janë proces që vijnë në harmoni me ato shoqërore. Asnjë vend në botë nuk pretendon se ka policinë që do. Por aspiron që ta përmirësojë e ta bëjë të tillë. Në këtë logjikë dhe ne duhet të luftojmë që të kemi Policinë që duam.

  1. Zoti Ndreu, ju si e shpjegoni që Komisioni i Vlerësimit të Vetingut zbulon pasuri të pajustifikuara të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërkohë kur Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Verifikimit të Pasurisë, për të njëjtat deklarime nuk ka zbuluar asgjë?

Është verifikim më i thelluar ku kalojnë të gjithë tani. Dikur bëhej me short. Qëllonte që nuk i binte të kontrolloheshin shumica. Ndërsa tani do kalojnë të gjithë. Dhe ky është një ogur i mirë. Ky vend ka të ardhme.

  1. A duhet dikush atje tek ai institucion kushtetues të mbajnë përgjegjësi?

E sqarova çfarë ka ndodhur. Ka qasje tjetër ligjore tashmë. Ky është ndryshimi

  1. Ju si e vlerësoni Vetingun në Policinë e Shtetit? A ka teprime në kërkesat ndaj punonjësve të POLICISË?

S’ka asnjë teprim. Duhet të kalohet në skaner gjithë aktiviteti i policëve. S’ka asgjë për t’u bërë merak. Përkundrazi, duhet ta mbështesim, sepse pikërisht këtë kemi kërkuar, pastërtinë e policisë. Kështu shkojmë drejt Policisë që duam.

  1. A ka shkelje të ligjit nga Policia e Shtetit për 2 vdekjet e fundit në qelitë e Policisë? Mendoni se ndaj të ndaluarve ushtrohet dhunë?

Nuk di rastet. Por hetimi do tregojë kush ka faj. Policia është në akuzë në ca raste, por duhet të ketë kujdes në përdorimin e dhunës.

  1. Zoti Ndreu, keni ambicie politike të kandidoni në zgjedhjet vendore të 2019, meqë ju jeni afër elektoratit dhe keni edhe përkrahjen e tyre? Apo do preferonit angazhimet në qeverinë qendrore….?

Ambicia ime është të fitojë PS si e vetmja alternativë serioze qeverisëse. Është akoma herët të flasim. Por cilado të jetë pozita ime në zgjedhjet e ardhshme, si deputet apo si kandidat, do bëjë të pamundur që shembujt e drejtimit primitiv, pa ide e në interesa të ngushta përfitimi, të marrin fund. Është alarmante gjendja e menaxhnit në disa bashki. Gjithsesi këtu do jemi e do shohim. Jam në dispozicion të forumeve të PS, nëse gjykon se duhet të jem në garë!