Erjon Braçe, duke kritikuar të tjerët, harron veten dhe Bajrabën

117

Lideri i PS-së ka përgjegjësinë që u ka dhënë ofiqe partiake njerëzve të oborrit të tij

Erjon Braçe, me denoncimet e përditshme që bën,  është shndërruar në etalonin e denoncimit të Sali Berishës dhe vetëm të Sali Berishës. Gazeta “Telegraf” sa herë që Erjon Braçja ka patur të drejtë, e ka mbështetur. Mirëpo, publikimi i ditëve të fundit i listës të debitorëve të deputetëve që nuk kanë paguar taksën e regjistrimit të automjetit, e nxori Erjon Braçen, në pozicion politik jashtë loje. Deputeti Erjon Mirdash Braçe, nuk ka paguar taksën e regjistrimit të automjetit TR2571U  të nxjerrë në 09.08.2010. Sikur kjo listë të mos ishte bërë publike, deputeti Erjon Braçe, kurrë nuk do të “ishte kujtuar”, se ka taksë për të paguar, pavarësisht se përditë nuk harron të denoncojë qeverinë – dhe mirë bën-. Por, meqë kohët e fundit deputeti Braçe po mban edhe mjekër, kërkon që të sillet edhe si prifti, që u thotë besimtarëve që të bëjnë ato që u thotë ai, por të mos bëjnë ashtu si sillet ai. Shikoni reagimin e vetë deputetit Braçe, me publikimin  e listës së debitorëve, ku është edhe vetë ai mospagues i taksave. “Po a ka taksë për makinën e tij? Jooo! Kështu thotë ligji. Taksa është vetëm 200 lekë të reja në vit për tre vitet e para të një makine të re!! Makina ime ende nuk i ka mbushur 3 vite!!”, shprehet Braçe. Siç e shikoni, Braçe, për veten e tij mohon se ka detyrime për të paguar taksa. Dhe një ditë më vonë, Braçe shkruan: “Merri Saliii, ti pagova! 600 lekë të vjetra fiks! Asnjë qindarkë më shumë! 1 orë e 17 minuta për të paguar vetëm 600 lekë taksa në administratën tënde digjitale që merr para në dorë!”.  Braçe shkruan më mllef kundër Kryeministrit, sepse u detyrua që të paguajë taksën. Thua se taksa- sipas Braçes- është fitimi i Kryeministrit. Por deputetin Braçe e ka irrituar shumë që priti në radhë, për të paguar. Braçja- dashur pa dashur- do të na thotë se nuk jeton aspak në realitetin e shqiptarëve, teksa një herë, vuajti,  i shkreti,  që priti në radhë 1 orë e 17 minuta. Dhe fajin, Braçes ia ka sërish Berisha. Po kur partia e Braçes ishte në qeverisje 8 vjet, sa orë ishte radha e popullit në shërbimet me administratën e shtetit, zoti Braçe? Di gjë? Apo, atëherë ishe në pushtet dhe nuk ndenje kurrë në radhë?

Derisa ju zoti Braçe, kërkoni të (vetë)mbaheni etaloni i transparencës dhe i luftës kundër korrupsionit, përse heshtni tani për vjedhjet ordinere të kreut të programit social të PS-së, Kosta Barjaba  dhe të anëtares të Asamblesë të PS-së Fatbardha Barjaba? Zoti Braçe, nuk duhet të turpërohet PS-ja,  që dy vjedhës ordinerë janë anëtarë të saj. Ju zoti Braçe, që jeni etaloni i transparencës, përse nuk kritikoni liderin e PS-së, që i ka sjellë në PS familjarisht çiftin Barjaba dhe kanë uzurpuar PS-në? Vetëm çifti Barjaba ka merita dhe kontribute që të jenë të zgjedhurit në PS? Kush u dha çiftit Barjaba këto ofiqe partiake në PS? Mundesh, zoti Braçe, që të kërkosh, gërmosh dhe pastaj a mundesh të denoncosh- në emër të transparencës- përse lideri i PS-së i dha çiftit Barjaba ofiqet e PS-së? Ku ka punuar 10 vjet me radhë Kosta Barjaba, zoti Braçe? E ke të lehtë ta mësosh. Çfarë lidhje ka Kosta Barjaba me OJF? Dhe me kë persona, që kanë lidhje edhe me liderin e PS-së, ka bashkëpunuar Kosta Barjaba në OJF? A mundesh, zoti Braçe, që të denoncosh sa miliona euro janë shpërdoruar në OJF dhe cilët drejtues të saj i kanë lyer duart me këto miliona euro? Në emër të transparencës, zoti Braçe, a mundesh që të denoncosh edhe këto lidhje nepotike të Barjabasë, dhe të shpjegohet, kësisoj, përse çifti Barjaba uzurpoi PS-në? Kosta Barjaba nuk dëmtoi imazhin e PS-së me vjedhjen ordinere në Kaliforni, por zbuloi imazhin e lidhjeve nepotike që e lidhin atë me milionat euro të  shpërdoruara  në UJF, me ata njerëz që i dhanë pushtet edhe në PS. Zoti Braçe!  Fillojeni transparencën nga vetvetja, fillojeni transparencën nga lideri dhe njerëzit e PS-së dhe pastaj, denonconi të tjerët. Që të bëheni i besueshëm, zoti Braçe. Apo, ju udhëhiqeni nga slogani  elektoral i PS-së, që thotë: “ PD-ja e la korrupsionin më shumë se sa e gjeti”. Domethënë, ajo pjesë, që slogani elektoral i PS-së, pranon për korrupsionin e vetvetes, është Kosta Barjaba në 10 vjetët e punës në drejtoritë e ndryshme të ministrisë dhe të OJF-së së bashku me njerëzit e oborrit të udhëheqjes të PS-së?