Hiletë partiake për rritjen e numrit të ZAZ-ve

457
Sigal

Rrëzohen mitet e Kolegjit Zgjedhor për ndarjen  Zonave të Administrimit Zgjedhor

1. Përcaktohet përbërja e KZAZ-ve. Numri tek PS-ja ka 1 anëtar më shumë, në numrin çift PD-ja ka një anëtar më shumë

Në mbledhjen e parë për këtë vit, KQZ-ja vendosi me konsensus të plotë për përbërjen e anëtarëve të Komisioneve ZAZ-ve, në zgjedhjet e 23 qershorit. Me 7 vota pro, KQZ-ja vendosi që PD-ja  dhe ajo Socialiste të kenë nga 2 anëtarë në KZAZ, ndërsa LSI-ja dhe PBDNJ-ja nga 1 anëtar. Ndërkaq, pas hedhjes së shortit, u vendos që PD-ja të propozojë anëtarin e shtatë të KZAZ-ve në komisionet me numër çift, ndërsa PS-ja të propozojë anëtarin e shtatë në KZAZ-të me numër tek. Si rezultat, nga 89 KZAZ që do të ngrihen, PS-ja do të ketë shumicën e anëtarëve në 45 komisione, ndërsa PD-ja në 44 të tilla.

Vendimi i Kolegjit Zgjedhor për të përcaktuar  dhe ndarë  numrin e KZAZ-ve, u bë për të ndihmuar në kohëshkurtimin e numërimit të votave dhe në përshpejtimin e rezultatit zgjedhor. Mirëpo, të dyja këto arsyetime, rrëzohen pasi studion ndarjen e KZAZ-ve.

2. Kolegji Zgjedhor miratoi projektin e PD-së për ndarjen e  ZAZ-vë duke shkelur kriteret e Kodit Zgjedhor

Neni 27 i Kodit zgjedhor, i jep të drejtë KQZ-së ,që mund të përcaktojë apo ndajë zona të administrimit zgjedhor, nëse kanë ndryshuar të dhënat lidhur me shtimin e numrit të shtetasve dhe te votuesve, kur shtimi ka mbërritur në 60 mijë votues në bashki. Për ndarjen e zonave zgjedhore kërkohen një sërë kriteresh që përcaktohen në këtë nen. a.pandashmërinë e territorit të komunës a bashkisë. b.vazhdimësia dhe kompaktësia e territorit, duke shmangur barrierat gjeografike c.mundësi të mira komunikimi brenda territorit d.numër të përafërt zgjedhësish.

Kolegji Zgjedhor, edhe pse shkeli Kushtetutën, duke i marrë kompetencat KQZ-së, për ndarjen e KZAZ-ve, sërish në vendimmarrjen e tij nuk zbatoi asnjë nga kriteret e Nenit 27 të Kodit Zgjedhor. Kolegji Zgjedhor nuk shqyrtoi, nuk argumentoi asgjë, asnjë kriter për të justifikuar vendimmarrjen për shtimin e numrit të ZAZ-ve nga 66 në 89. Madje, nuk dha asnjë argumentim, përse nuk duhej të miratohej numri 79 i ZAZ-ve, i cili kishte gjetur konsensusin politik të PD-PS në KQZ. Kolegji Zgjedhor, thjesht  miratoi projektin e PD-së, i paraqitur në KQZ, por që nuk mori 5 vota, duke u nënshtruar në një instrument juridik zbatues i urdhrave politikë të PD-së.

3. Rrëzohen pretendimet e Kolegjit Zgjedhor për gjoja përshpejtim të numërimit e shkurtimin e kohëraportimit të rezultatit

Po të shikojmë  listën e ndarjes të KZAZ-ve, është e lehtë të shikojmë copëzimi më i  madh i territorit është bërë në zonën e Jugut, duke krijuar dispropocionalitet të paarsyeshëm dhe kjo ishte kontestimi politik që bëri opozita këtij programi ndarës të PD-së edhe në KQZ. Po të pranojmë si kriter të ndarjes të KZAZ-ve në saj të numrit të popullsisë, si ka mundësi që KQZ-ja pranon shtimin (jo rritjen) e numrit të popullsisë në qarkun e Kukësit për rishpërndarjen e mandateve të deputetëve dhe nuk rrit edhe KZAZ-të? KQZ-ja pranon pakësimin e numrit të votuesve në qarkun e Beratit, për t’i hequr një mandat, por, njëkohësisht rrit numrin e KZAZ-ve? Po kështu edhe në qarkun e Fierit, duke e rritur nga 7 në 10?  Po kështu edhe në qarkun e Elbasanit nuk kemi ndryshim të madh të votuesve që të justifikojë rritjen e numrit të KZAZ-ve nga 6 në zgjedhjet e 2009-s, në 10.  Po kështu, nuk mund të shpjegohet përse në qarkun e Durrësit rritet numri i ZAZ-ve nga 4 në 7.  Çfarë kriteri ndryshoi nga kriteret  që parashikon neni 27 i Kodit Zgjedhor,  në këto katër qarqe, që Kolegji Zgjedhor të vendosë rritjen e KZAZ-ve? Numri i votuesve jo, territori jo, barrierat gjeografike të komunikimit jo, nuk kemi në asnjë zonë shtimin e numrit mbi 60 mijë në asnjë KZAZ. Madje, po të ishte i drejtë pretendimi i PD-së, se shtimi i numrit të ZAZ-ve do të rriste kohën e numërimit të votave dhe do të shkurtonte kohën e dhënies të rezultateve, kjo teori do të përshtatej në qarqet e Veriut, ku nga vetë territori i hapur dhe me popullsi të rrallë, shtimi i numrit të ZAZ-ve do të kishte një logjikë. Në qarkun e Kukësit ka ZAZ që kanë  14.647 votues dhe 20.983 votues, dhe vetëm i treti ka 42.328 votues. Ndërsa në Vlorë, ka ZAZ-e me 28.965 votues, me 25.000 votues, me 26.656 votues, dhe më shumë  me 35 .000 votues, por ky dispropocionalitet nuk e pengoi Kolegjin Zgjedhor që të shtojë edhe 3 ZAZ të tjerë.  Në Qarkun e Durrësit, ZAZ-et u shtuan nga 4 në 7, ndërsa numri i votuesve në çdo ZAZ është nga 28.000 deri në 33.000 dhe vetëm në një ZAZ është 36.000. Durrësi është një qark që nga territori gjeografik, nuk krijon asnjë vështirësi që ZAZ-i të jetë më i shtrirë gjeografikisht dhe me një numër më të madh votuesish, në kufijtë që parashikon Kodi Zgjedhor që është deri në 60.000 votues për çdo ZAZ.

4. Rritet kostoja e procesit të votimit deri në 1 milion euro, duke rrezikuar projektin elektronik.

Në Qarkun e Fierit, siç dihet do të zbatohet projekti i numërimit elektronik, ndaj shtimi i ZAZ-ve do të ishte absurd, të paktën për pretendimet që ngriti PD-ja. Mirëpo, shtimi i numrit të ZAZ-ve, nga 7 në 10, do të rritë edhe koston e votimit deri në 30 %.  Në qarkun e Fierit, çdo ZAZ ka jo më shumë se 31.000 votues, gjë që nuk justifikon aspak rritjen e ZAZ-ve, ku sipas ligjit, numri i votuesve për çdo ZAZ mund të arrijë deri në 60.000 votues. Projekti me 7 ZAZ ishte parashikuar për 1,8 milion euro, ndërsa tani këtij fondi duhet t’i shtohet edhe 30 %, pra mbi 600.000 euro më shumë.  I dinte KQZ-ja këto rritje të kostos? I ka llogaritur KQZ-ja nëse ka mundësi të bëhen financime shtesë? Apo, qëllimisht, KQZ-ja e shton numrin e ZAZ-ve, që, duke u rritur edhe shpenzimet, të bëjë ta pamundur zbatimin e projektit elektronik?  Duke u shtuar ZAZ-të, shtohen edhe vështirësitë e zbatimit të numërimit elektronik, ku PD-ja e kundërshtoi projektin e zbatimit masiv, pikërisht për këtë arsye. Atëherë, pse ku i intereson PD-së, mban dy qëndrime të kundërta edhe me politikën e saj?  Prandaj, rritja e numrit të ZAZ-ve  duhet të shoqërohej edhe  duke shqyrtuar të gjitha mundësitë. Shtimi i numrit të ZAZ-ve, edhe në qarqet e tjera ku nuk do të ketë numërim elektronik, do të rritë koston e zgjedhjeve deri në 500.000 euro të tjera, duke krijuar vështirësi financimi.

5. Vështirësohet monitorimi i KZAZ-ve edhe nga ndërkombëtarët

Element tjetër që opozita e ka kundërshtuar projektin e PD-së me 89 ZAZ ka qenë se shtimi i ZAZ-ve dhe VNV do të vështirësojë edhe monitorimin e tyre nga ndërkombëtarët, duke bërë të copëzuar, fragmentik e të vështirë në kontroll nga ndërkombëtarët. Duke qenë se shtimi më i madh i ZAZ-ve u bë në ato qarqe të Jugut, ku mendohet se janë votues të majtë, rritet edhe mundësia e manipulimit të votave, nga vështirësia e monitorimit.