Enver Cakaj: Tek dera presin njerëz, u vjen keq?

518
Ti ke një hall dhe shkon ta zgjidhësh, por zyrtarët ende s’janë ngritur nga gjumi. Dhe ty të krijohet një hall tjetër e pyet veten: A do të vijnë, vallë? Prapa derës së ambulancës së vizitave pret një i sëmurë e s’duron dot dhimbjet. Pritja ia shton më shumë dhimbjet. Këto dhimbje t’i shton ai që duhet të t’i shërojë. Një minutë vonesë për të sëmurin është shumë. Se për një minutë mund të vdesë. E justifikon dot vonesën mjeku në këto raste? Vonesa kalon në përgjegjësi. Përse e lejon këtë përgjegjësi mjeku, kur e di që e ndëshkon ligji? A mund ta justifikojë vonesën me shprehjen: “Një minutë u vonova?” Po ajo minutë vonesë vret jetë. Vret dhe mjekun, sepse e nxjerr nga reshti i të qenit mjek. I sëmuri edhe mund të presë, po sëmundja nuk te pret. Ajo të merr. Të nderuar mjekë, të nderuar zyrtarë! Tek dera presin shumë hallexhinj. Mos ua shtoni dhimbjet e hallet. Nëse nuk u pëlqen puna, largohuni të venë atje ata që e duan punën. Ata janë njerëz që presin nga halli, nuk u vjen keq. Nesër mund t’u zënë ju ato halle e dhimbje, do të trokisni derë më derë dhe po s’gjetët njeri t’u presë, vini alarmin. Mirë bëni, po ju pse i mbani mbyllur dyert e hallexhinjve? A e dini përse u kanë vënë në ato detyra? T’u shërbeni hallexhinjve e që të paguheni. Pra, për të mos lënë njerëz të presin tek dera me orë të tëra u paguajnë. Ndryshe përse të hapeshin ato zyra? Po për pushtetin, që i vini minat, me këtë neglizhencë, ju vjen keq? Ai pushtet u ka zgjedhur për të bërë detyrën, jo për të diskredituar pushtetin dhe veten. Mos abuzoni me durimin e popullit dhe të pushtetit, se një ditë do ta shikoni veten jashtë atyre zyrave nga përbuzja e popullit. Mos e masni veten me një minutë humbje kohe, po me orarin dhe detyrimin që keni ndaj njerëzve dhe vendit. Zyrat e shërbimit publik janë shndërruar në lokale pijesh. Hallexhinjtë nuk venë më nëpër zyra, sepse punonjësit janë nëpër lokale. Hallexhinjtë presin tek dyert e klubeve sa te dalin agallarët. Ndonjë që tenton t’u thotë ndonjë fjalë, ndeshet me qarjen e tyre: “Po na lini ta pimë rehat këtë dreq kafe!” Sikur shteti i paguan për të pirë vetëm kafe e raki. Si duket, nëpër zyra nuk ndihen rehat. Dhe të parët janë këta, që thonë tej e këndej, se nuk ka shtet. Nuk ka shtet vërtet, se nuk i marrin këta batakçinj zvarrë dhe t’i nxjerrin në rrugë, që të shpëtojnë hallexhinjtë. Kopaçet bien mbi qeverinë, po këtu qëndron e keqja. Qeveria nuk mund të kontrollojë disiplinën e pushtetit lokal, sepse cenohet autonomia lokale. Bashkitë dhe komunat duhet të kenë në krye njerëz të punës, që dinë të drejtojnë dhe kontrollojnë. Jo t’u futin frikën punonjësve, por të kenë kulturën e punës. Shikoni bashkinë e qytetit të Çorovodës së madhe. Kryetari i bashkisë ka zgjedhur në stafin e tij njerëz që e kanë pasion punën dhe drejtojnë në grup. Natyrisht ndokujt nuk i pëlqen kjo disiplinë, por të mos harrojmë, njerëzit paguhen për të punuar jo për të shëtitur lokal më lokal. Nëpër zyrat e shërbimit publik ka njerëz që të trembin me egërsinë e tyre, sikur t’u kesh bërë të gjitha zararet e botës. Përse e kursejnë buzëqeshjen? Ta presin popullin duke qeshur, jo duke u zgërdhirë e as të bëhen qesharakë. Më e keqja, të mos bjerë zyra erë raki e duhan. Ata janë përfaqësuesit e shtetit dhe lipset të presin me seriozitetin e shtetit. Shumica e zyrtarëve janë kthyer në kaçakë, që nuk gjenden gjëkundi. Ka dhe nga ata që kur u shkon të qash hallin, të thonë: “Dale të pyes shefin.” Kuptohet këta janë të zgjedhurit e partive. Do të kthehemi sërish tek shërbimi shëndetësor. Shkoni po të doni në poliklinikën e Beratit. Plus që do të regjistrohesh sa herë të hysh e dalësh që andej, do të vesh në dy zyra, që janë ngjitur. Njëra të regjistron në tjetrën do ta vulosësh. Se vula është shumë e rëndë dhe nuk e mban dot ajo që të regjistron. Problemi është se mundojnë të sëmurin, pasi do të mbajë tri radha; tek mjeku, tek vula dhe tek regjistrimi. A thua ta përballojë i sëmuri këtë sorollatje? Në këtë pikë ka dhe një çudi. Populli nuk e do shërbimin shëndetësor falas. Përse e themi këtë? Shkon të vizitohesh, mjeku të jep recetën, udhëzimet përkatëse dhe vazhdon me të tjerët, po i sëmuri nuk largohet pa futur dorën në xhep, pa e ditur se edhe ai ndëshkohet për mitmarrje. Mjeku i ndershëm kundërshton, po s’tundet i sëmuri, nuk ikën pa lënë lekët në xhepin e mjekut. Janë këta tipa, që sa dalin nga vizita heqin frerin e gojës dhe shajnë mjekun dhe shtetin! Por më keq është disiplina tek disa institucione, që e kanë vartësinë nga qendra. Ata janë lënë si kali hergjele dhe s’ duan të dinë se i kërkon njeri. Kush do t’u vërë fre këtyre lloj të pavarurve? Populli do që shërbimi publik të mos kthehet në punë qejfi dhe të flasë shtetërisht. Kur do të ndodhë kjo, vallë?!
Sigal