Meta për “Kathimerini”: Mështesim dialogun, larg spekulimeve për çështjen çame

394
Sigal

Kryetari i Kuvendit,
Ilir Meta, gjatë vizitës së tij në Athinë, i është përgjigjur pyetjeve të
mediave vendase lidhur me situatën në marrëdhëniet dypalëshe, çështjet e hapura
dhe ato që ai i quan çështje të së kaluarës, por që kërkojnë zgjidhje.

 

Gjatë një intervistë në
numrin e së dielës në gazetën më të madhe të vendit “Kathimerini”, pa ngurruar
dhe i drejtpërdrejtë, Ilir Meta ka folur për çështjen çame, ligjin e luftës,
varrezat e ushtarëve grekë, por edhe për projektet madhore rajonale, interesat
e përbashkëta dhe të ardhmen e dy vendeve tona.

 

I bindur se tashmë ka
ardhur koha që të dy palët të avancojnë në forcimin e mëtejshëm të
marrëdhënieve, për t’i kaluar ato, në atë që Ilir Meta e quajti marrëdhënie
vëllazërore mes dy vendeve.

 

Meta thekson se asgjë
nuk duhet lënë jashtë bisedimeve, por në dëshirën e mirë dhe gjatë dialogut të
dy vendet duhet të gjejnë zgjidhje për çdo problem, çdo çështje të vjetër ose
të re, me ngarkesë politike ose emocionale, si për çështjet e bashkëpunimit
rajonal, edhe për ato që, sipas Metës, krijojnë dhembje në dy anët e kufirit,
siç e quajti ai Çështjen Çame.

 

I pyetur nëse ai beson
se mund të avancojë dialogu në një klimë deklaratash të ndërsjella, Ilir Meta i
është përgjigjur se në bisedimet e tij në Athinë, të dy palët pranojnë se
marrëdhëniet tona janë strategjike, praktike dhe jetike.

 

“Dëshira pozitive dhe
dinamika e axhendës dypalëshe prevalojnë në marrëdhëniet tona. Siç diskutova
edhe me zotin Tsipras, trashëguam prej së kaluarës disa plagë, të cilat duhet
t’i përballojmë me kujdes dhe besim. Ndaj, duhet që në të dyja anët e kufirit
të izolojmë qëndrimet që tentojnë t’i hedhin benzinë zjarrit, duke përdorur
histori të vjetra për përfitime elektorale. Besoj se dëshira ekziston, si në
Tiranë, ashtu edhe në Athinë, për t’i dhënë zgjidhje çdo çështjeje që mbetet pa
zgjidhur, nëpërmjet një dialogu të hapur dhe të sinqertë, besimit të ndërsjellë
dhe afrimit gradual, siç bëjnë kombet europiane. Pas takimeve të mia në Athinë,
kam vënë re dëshirën e sinqertë që të avancojmë duke gjetur zgjidhje të pranueshme
nga palët për çështjet e së kaluarës. Kjo u duk edhe në takimet e mia me
përfaqësitë e partive të opozitës. Patëm dakortësi për një klimë besimi mes dy
vendeve, drejt bashkëpunimit greko-shqiptar”, tha Meta.

 

I pyetur nëse Shqiperia
ndjehet në ndonjë mënyrë e kërcënuar prej Greqisë, Meta iu përgjigj se në asnjë
mënyrë nuk ka ndjerë ndonjë kërcënim prej fqinjit të saj jugor.

 

“Përkundrazi, ndjej se
Greqia është një partner dhe fqinj i mirë. Mbështetemi tek Greqia dhe ndjejmë
se Greqia është mbështetësja më e mirë e Shqipërisë në rrugën tonë europiane.
Ju jemi mirënjohes si nga qeveria, ashtu edhe prej Parlamentit, për ndihmën e
dhënë në këtë drejtim. Pikërisht për këtë kam përsëritur në të gjitha takimet e
mia në Athinë se “gjendja e luftës” mes dy vendeve tona nuk ka asnjë
kuptim mes dy aleatëve miqësorë, anëtarë të NATO-s”, theksoi Meta.

 

I pyetur se përse ende
nuk ka asnjë avancim në kërkesat e palës greke, si për varrezat e ushtarëve
grekë të rënë në luftë, por edhe në marrëveshjen e demilitimit të shelfit
ndërkombëtar, Meta i është përgjigjur se këto çështje duhet të jenë pjesë e një
pakete të përbashkët, në të cilën do të jenë vendosur të gjitha temat ende të
hapura mes dy vendeve, si dhe shqetësimet dhe fobitë që i shoqërojnë ato, mes
dy palëve.

 

“Të dy palët duhet të
dëgjojnë, të vlerësojnë, të dialogojnë në mënyrë profesionale dhe mirëbesimi të
ndërsjellë. Parlamenti ynë do të mbështesë një avancim real përmes këtij
mekanizmi. Për varrezat greke, di se ekziston komisioni dypalësh, sikurse edhe
për librat e historisë. Parlamentet respektive kanë rënë dakord për të
mbështetur dhe avancuar punën e këtyre komisioneve”, deklaroi Meta.

 

Pyetjes se cilat janë
temat e hapura mes Greqisë dhe Shqipërisë, Meta iu përgjigj: “Si fqinj të mirë,
është e natyrshme që të kemi disa çështje të hapura. Fqinjët janë si kushërinj
të parë, ndajnë të njëjtin gjak, të njëjtën hapësirë, por meqënëse duhet të
ndajnë të njëjtën hapësirë vitale, duhet të zgjidhin edhe disa çështje
praktike, si dhe të koordinohen edhe më mirë me njëri-tjetrin. Si dy shtete
ballkanike, trashëguam disa çështje që lidhen me të kaluarën. Pikë së pari,
është, sipas mendimit tim, ligji i luftës, ende në fuqi me Shqipërinë. Ky ligj
i padrejtë, ende nuk është aborguar nëpërmjet një veprimi ligjor, çka do të
konfirmonte klimën pozitive mes dy vendeve. Nuk mund të ekzistojë “gjendja e
luftës” mes dy fqinjëve të mirë, aleate të NATO-s. Për të thënë të vërtetën, ky
është një paradoks! Së dyti, unë besoj se duhet të përballemi me të kaluarën,
edhe pse ajo hap plagë të vjetra, duhet t’i bëjmë ballë me besim dhe
bashkëpunim të ndërsjellë. Nuk ka asgjë që nuk mund të diskutojmë si fqinj që
jemi. Të përballemi me historinë siç kanë bërë kombet e tjera europiane, të
përgatisim bazamentet për gjetjen e zgjidhjeve për çështjet që kanë të bëjnë me
varrezat e të rënëve grekë në tokën shqiptare, për librat e historisë, të
përcaktimit të shelfit ndërkombëtar dhe vijës bregdetare dhe natyrisht çështjen
çame, për të cilën kemi qasje dhe qëndrime të ndryshme. Të gjitha këto janë
çështje të trashëguara, që krijojnë dhembje në të dyja anët e kufirit.

Ne, si parlament
shqiptar, do të mbështesim këmbimet e sinqerta dhe mirëbesuese mes dy qeverive,
për të gjendur zgjidhje që kënaqin të dy palët, duke anashkaluar etnicizmat dhe
qëndrimet emocionale. Interesat tona strategjike të së ardhmes duhet të
prevalojnë mbi çështjet e trashëguara dhe e vetmja rrugë për t’i zgjidhur ato
është dialogu dhe jo manovrat oportuniste”.

 

Përsa i përket çështjes
së pronave të minoritetit grek që jeton në Shqipëri, Meta thotë se çdo aludim
se ndaj anëtarëve të minoritetit grek që jeton në Shqipëri ekzistojnë shkelje
të të drejtave të njeriut ose të së drejtës së pronës, janë spekulime.