Elmaz Sherifi:Shqipëria ka nevojë për rotacionin e mendësisë dhe moralit politika

596
Sigal

Elmaz Sherifi, Kryetari i LDP-së, në intervistën për “Telegraf”, argumenton sesi është vjedhur vota e partive të vogla nga komisionerët e numërimit të votave, në favor të partive të mëdha. Gjithashtu, zoti Sherifi pohon se votuesit nuk ishin të lirë të votonin, por e shitën votën si mall. Me votë të shitur, ka humbur demokracia- thotë zoti Elmaz Sherifi.


– Zoti Sherifi, ç’do të thotë për ju rezultati zgjedhor?

– Në shoqërinë  tonë të ideologjizuar dhe të politizuar, mjafton edhe një deklaratë e vetme, se kush nuk është me ne është me armikun për t’u dëmtuar politikisht. Për LDP-në, si alternative e re politike vështirësitë ishin të jashtëzakonshme edhe në kufizimin e hapësirave mediatike. LDP, ndryshe nga AK dhe FRD nuk u ftua nga asnjë televizion me frekuencë kombëtare për ta shpjeguar programin dhe filozofinë politike që promovon, si subjekt politik post ideologjik në Shqipëri. Fushata zgjedhore e këtij viti ishte më e kushtueshmja në histori. Në Shqipërinë e varfër u shfaqën si kurrë ndonjëherë reklamat dhe mitingjet koncertale të partive të pasura. Kjo sjellje është jashtë çdo standardi perëndimor për sondazhimin e “tregut politik” për preferencat politike të zgjedhësve. Disa KZAZ në Tiranë nuk jepnin autorizime për vëzhguesit e LDP në vendet e numërimit të votave. Këtë situatë e kam verifikuar vetë dhe jam befasuar kur sekretari i KZAZ nr 38 te Muzeu Kombëtar më deklaroi se ju nuk mund të keni vëzhgues! Në tërë këto fakte cilido mund të arsyetojë dhe të jap përgjigje përse LDP nuk pati një rezultat të mirë, pavarësisht se jashtë koalicioneve mori rezultat më të mirë se 35 parti konkurruese në koalicionet favorizuese. Ne i kishim parashikuar vështirësitë e konkurrimit, por nuk mund të pranojmë diskriminimin e qëllimshëm dhe vjedhjen e votave… Po jap vetëm një shembull. KQZ shpalli për LDP fillimisht 11 vota në kutitë e para të votimit në komunën Portëz në Fier. Pas disa orësh i hoqi se ato nuk u pasqyruan në proces verbal nga numëruesit.

– A shënon kjo fitore e së Majtës, një kthesë historike për Shqipërinë dhe shqiptarët?

– Unë mendoj se edhe në Shqipëri duhet të krijohet një mendësi demokratike për proceset zgjedhore. Një proces zgjedhor normal, nuk mund të konsiderohet një proces me rëndësi historike, apo kthesë historike. Sepse Shqipëria kthesën historike e bëri me ndryshimin e sistemi politik në 1991. Me zgjedhjet politike ndryshon vetëm “institucioni njeri” në institucioneve ligjbërëse dhe ekzekutive, të cilët ndryshojnë politikat e qeverisjes, veprimtari që duhet të zhvillohet brenda kuadrit kushtetuese dhe ligjor. Liderët e së “majtës”, për qëllime politike elektorale, shpesh në fjalimet e tyre ja dhanë dimensionin e “përmbysjes”, si nevojë për rotacion, nga që nuk besonin se mund ta realizonin qëllimin. Ky diskurs politik nuk është ishte logjik, as i moralshëm, por i pranueshëm brenda amoralitetit politik të politikanëve të veçantë, të cilët për pushtet përdorin çdo mjet, pasi mungon kultura politike demokratike e zgjedhësit, i cili të ndëshkon edhe për fjalorin politik, si formë e mendimit politik. LDP ishte për rotacionin e pushtetit, por për maxhoranca që sigurohen nga vullneti i zgjedhësit votues, por jo nga blerja e së drejtës politike për shkak të varfërisë dhe shfryrjes së dufit të momentit. LDP dëshironte që asnjë koalicion të mos kishte mundësi të krijonte maxhorancë absolute, pasi autokratizmi politik do të shfaqet me të njëjtin intensitet, pasi të dyja palët kanë të njëjtën mendësi politike partiake. Në qeveri erdhi opozita dhe një e treta e pushtetit, madje pjesa më e akuzuar e maxhorancës, prandaj mendoj se nuk ka ndonjë kthesë historike, përkundrazi sipas meje historia vazhdon. Zgjedhjet këtë herë në Shqipëri ishin nga më normalet, në kushtet e anormalitetit ligjor e administrativë, të cilat më parë konsideroheshin shkaqe të parregullsive dhe të mos pranimit të rezultatit. Në 2009, PS-ja nuk pranoi rezultatin, kur të gjithë komisionerët e saj i kishin firmosur procesverbalet dhe KQZ ishte institucioni më i akuzuar si deformues i rezultatit të zgjedhjeve! Këtë herë Shqipëria nuk pati nevojë për KQZ-në! Rezultati u pranua, se opozita fitoi, madje fituesi u shpall pa vendim të KQZ! Atëherë, përse nuk i kthejmë KQZ-në dhe të gjithë komisionet zgjedhore në institucione jashtë ndikimit partiak, pra që komisionerët të mos caktohen nga partitë?

Rezultatin e LSI-së a mund të themi se erdhi edhe si pasojë e mbrojtjes së votës së saj ngaqë LSI-ja ka tashmë komisionerë të saj?
– Rezultati i LSI-së duhet të jetë objekt analizash, për të kuptuar si funksionojnë shumë mekanizma psikologjikë, institucionalë e financiarë në proceset zgjedhore. Sepse LSI-ja ka qenë katër vjet në qeverinë e korruptuar dhe të paaftë, (si thoshin kur dolën nga koalicioni drejtuesit e saj në fushatë) dhe LSI-ja u rrit, ndërsa pjesa tjetër e qeverisë u tkurr? Koha e shkëputjes nga qeveria ishte shumë e shkurtër, pak më shumë se një muaj! A ndikoi futja në koalicionin e majtë ? Po si shpjegohet që u rrit më shumë se vetë PS-ja! LSI-ja i ruajti votat se kishte komisionerët në çdo vend të votimit dhe të numërimit. Po ne që nuk kishim as komisionerë, as vëzhgues e as aleatë, kush do na i ruante votat ? Pyetja evidenton problemin më të madh që ka aktualisht Shqipëria. Vota nuk është e lirë, vota nuk numërohet drejtë! Blerja,trafikimi e manipulimi i votës po e shndërron demokracinë në një “fiction”..Në diktaturë të impononin të votoje PPSH! Në demokraci të blejnë votën ! Kjo është një diktaturë “demokratike”, sepse shtylla themelore e demokracisë që garanton drejtësinë si paanshmëri dhe mirëqenien për dinjitet njerëzor është vota e lirë..Po kur blihet komisioneri partiak, si do të zgjidhet problemi? Prandaj komisionerët nuk duhet të jenë më partiak dhe duhet të të forcohet dënimi penal për komisionerët që manipulojnë votën e zgjedhësit. Ky është standardi që duhet vendosur, pas uljes së tensioneve politike, sepse për herë të parë i gjeje në një shtyllë flamurët e partive kundërshtare, dhe pas pranimit të rezultatit menjëherë dhe aktit të dorëheqjes së humbësit që përshëndet kundërshtarin fitues.
A janë manipuluar votat për partitë e tjera që nuk kanë komisionerë në numërimin e votave?
– Ju jeni nga Delvina,  prandaj po e konkretizoj me një votues intelektual nga Delvina, i cili më telefonoi duke më thënë: Jam i befasuar, kur KQZ-ja shpallte seLDP nuk kishte asnjë votë në Delvinë. Jemi gati të deklarojmë kudo se kemi votuar me dhjetëraLDP në Delvinë, – më tha!..E vërteta në këtë xhungël do të gjendet kur të vendosen disa standarde demokratike, kur njerëzit të shkëputen nga ideologjia, e cila i nxit edhe të manipulojnë vota për interesa partiake dhe të zhduket varfëria që i shtyn votuesit të mos zgjedhin në liri të plotë, por të votojnë atë që u ofron lekë

Shitja e votës është humbja e demokracisë

Cili është fituesi i zgjedhjeve dhe cili është humbësi?
– Deklarata e z.Berisha, ende pa përfunduar procesi i numërimit të votave, se pranonte vullnetin e sovranit me dorëheqje nga të gjitha funksionet partiake, ishte një fitore e standardeve demokratike në Shqipëri dhe një premisë pozitive drejt mendësisë institucionale perëndimore. Zgjedhjet i fitoi Koalicioni që premtoi më shumë, pra koalicioni i “Majtë” dhe i humbi koalicioni që shpjegoi se kishte bërë shumë, pra koalicioni i “djathtë”. Mendoj se Shqipëria kishte nevojë për rotacionin e pushteteve, por edhe për rotacionin e mendësisë dhe moralit politik Ne po i shikojmë se hajdutët e diktaturës, të tillë janë edhe në demokraci..Arrivistët e anarkistët e diktaturës të tillë janë edhe në demokraci, madje drejtojnë me të njëjtën mendësi. Spiunët e diktaturës petkun kanë ndryshuar në demokraci, pasi po atë zanat bëjnë.. Për mendimin tim, zgjedhësit nuk ishin të lirë në zgjedhjen e vetë, pasi zgjedhësi i varfër e shiti shumë lirë “mallin” e shtrenjtë, votën, madje më të shenjtën në demokraci. Blerja e votës po shndërrohet në modë dhe disa e konsiderojnë “pragmatizëm”! Një votë që blihet tregon se pasuria e dikujt është vjedhur dhe për ta kompensuar shpenzimin për shfaqet elektorale dhe votat e blera më shumë do të varfërohen ata që e “shitën” votën lirë. Kjo është humbja më e madhe në demokraci, pasi me blerje qeveris ai që nuk e meriton, e për rrjedhojë vjen hipotetikisht keqqeverisja!

 – Faleminderit!