Elida BUÇPAPAJ/ Të krahasosh Zvicrën me Shqipërinë

53

Në Shqipëri ka nisur aksioni kundër vjedhjes së energjisë elektrike. Çdo vit vjedhja arrin në 150 milionë Euro. Dhjetë vjet bëjnë 1.5 miliard Euro. Shqipëria edhe sot e kësaj dite e ka problem furnizimin me energji elektrike, ujë të pijshëm, por problemin më të madh e ka me informalitetin. Vjedhjen që i bëhet shtetit. Sipas statistikave informaliteti në Shqipëri e kalon shifrën 50 % dhe dihet risku që krijon ekonomia informale, gri apo e zezë, e cila gëlon kur nuk ekziston kultura e ndëshkimit. Atëherë ekonomia e vendit kthehet në ekonomi mafioze. Në këtë prag gjendet Shqipëria. Shumë ekspertë të fushës thonë se Shqipëria është shtet kuazi mafioz. Pra aksioni për të çuar në burg vjedhësin është i mirëpritur. Sepse vetëm kështu do të fillojë të funksionojë shteti i së drejtës, sepse deri tani drejtësia në Shqipëri është fantazmë, inekzistente. Kemi parë ne që një peshkaqen nga ata që vjedhin dhe abuzojnë me pushtetin të shkojë në burg? Asnjë. Prandaj aksioni kundër vjedhjes së energjisë na duket iluzion. Nëse Edi Rama e realizon, bën gjënë e duhur. Për të krijuar një vizion të qartë, që qytetari të mos ndihet se shteti po vepron si diktaturë, duke futur në burg vjedhësin, po marr si paralel krahasues Zvicrën. Konfederata Helvetike është një shtet që nuk është pjesë e BE, por, megjithatë, nga thelbi simbolizon Perëndimin, sepse i garanton të gjitha liritë e individit dhe krijon kushte optimale për liri tregu dhe një jetë të denjë, gjithmonë duke respektuar ligjin, ku qytetari edhe gëzon të drejta, por edhe detyrime. Kush vjen në Zvicër për herë të parë dhe kërkon këshilla, një mik i mirë do tî thotë, “kujdes me taksat dhe faturat”. Që do të thotë asnjë taksë dhe asnjë faturë të mos mbetet pa paguar. Kur je në kërkim të një vendi pune, qofsh zviceran apo me leje qëndrimi, përveç kompetencave, aftësive, CV dhe edukimit, punëmarrësi të kërkon që të jesh patjetër me “Leumund”- reputacion të pastër. Për këtë duhet të paraqitësh nga Departamenti Federal i Drejtësisë në Bernë një dokument – Excerpt from the swiss criminal record – Auszug der Strafregisterauszug – ku vërtetohet se je njeri i pastër, pa precedentë penalë. Që përkthehet, veç të tjerave, që t’i kesh kryer të gjitha detyrimet ndaj shtetit. Nëse kërkon banesë, qiradhënësi, veç të dhënave të të ardhurave, të kërkon po ashtu një dokument, lëshuar jo më larg se tre muaj, nga Betreibungsregisterauszug – the Debt Enforcement Office – Zyra e Përmbarimit ku vërtetohet se nuk ke borxhe ndaj shtetit apo enteve private. Në Zvicër çdo qytetar është shumë i kujdesshëm të respektojë ligjin. Respektimi i ligjit është kulturë, është instinkt i edukuar, është pjesë e personalitetit. Që fillon tek klaksonët. Në Zvicër nuk dëgjon klaksonë veturash. Në apartamente nuk dëgjon ahengje, muzikë me volum të lartë, sepse shqetëson fqinjët. Kush ka jetuar në Shqipëri, e di se aty është kulturë që plehrat të hidhen nga dritaret. Nëse dikush e bën këtë shkelje në Zvicër paguan gjobë, por nëse nuk paguan taksat, ke kryer krim për të cilin dënohesh sipas shkallës. Edhe nëse nuk paguan faturat, ke kryer krim dhe problemet janë të pafundme. Pra në Zvicër nuk ka qytetarë apo biznese që nuk paguajnë energjinë. Kush nuk paguan penalizohet menjëherë. Sipas ligjeve të Zvicrës, faturat duhet të likuidohen përgjithësisht brenda afatit mujor. Nëse nuk paguhen, të vijnë tre Mahnung-e – kujtesa, e para pa gjobë plus, e dyta dhe e treta me gjoba në rritje dhe nëse nuk i likuidon edhe pas këtyre tre paralajmërimeve, atëherë të çojnë direkt në Betreibungsamt, autoriteti kantonal i zbatimit të ligjit për ndjekjen penale të borxhliut. Për borxhliun atëherë nisin hallet. Nëse je në kërkim të shtetësisë dhe ke borxhe të palikuiduara, harroje atë punë, nuk e merr shtetësinë, sepse nuk je qytetar i denjë. Siç e thashë që në krye, shteti ligjor të kërkon respektimin e ligjeve, por, së pari, ia garanton qytetarit liritë dhe kushtet për të jetuar. Në këtë kontekst, Zvicra është një nga vendet model për t’u marrë si shembull, ku shteti i së drejtës funksionon si sahati Omega, ku ka liri tregu, shtyp të lirë, ku korrupsioni është një fenomen që luftohet dhe, sipas Transparency International (TI), Zvicra për vitin 2013 zinte vendin e 7 pas Danimarkës, Zelandës së Re, Finlandës, Suedisë, Norvegjisë dhe Singapurit, pra hynte në top vendet me më pak korrupsion, ndërsa Shqipëria e Kosova ndajnë vendet 116 dhe 111. Në këtë periudhë krizash për Europën dhe botën, papunësia në Zvicër nuk i kalon 3% dhe shteti është në kërkim të mënyrave për ta ulur edhe më tepër këtë nivel, duke hapur tregje pune, duke krijuar siguri për investime dhe mundësi kualifikimi sidomos për rininë. Në Zvicër biznesit i krijohen kushte optimale për të investuar, por ndërkohë shteti, përmes ligjit, i shpall luftë informalitetit. Në Zvicër po ashtu funksionon shteti social, për të papunët dhe sidomos për shtresat vulnerabile. Zvicra nuk ka varfëri apo drama sociale si ato të Shqipërisë, ku mjerimi bashkë me mungesën e shtetit ligjor mbetet diktatura më e egër e shoqërisë. Pra shteti i krijon të gjitha mundësitë që qytetari të mos bëhet shkelës ligji, por kush e shkel ligjin, ndëshkohet pa dallim.

Andaj e vetmja mënyrë për të shpëtuar vendin dhe qytetarin është zbatimi i ligjit dhe dënimi i shkelësve të ligjit deri sa edhe në Shqipëri të krijohet shteti i së drejtës me respektivisht qytetarin e tij të përgjegjshëm. Në fund po ju sjell një sentence të Graham Green-it që ka jetuar dhe prehet këtu në Zvicër. Sepse mund të mësojmë prej saj nëse duam. E kam përdorur edhe në një intervistën time, por ia vlen të përsëritet. Green thotë se. “Zviceranët kanë dashuri vëllazërore me njëri-tjetrin, ata kanë 500 vite demokraci dhe paqe dhe e dini se çfarë prodhojnë? Orën me ku-ku”. Humor tipik anglez. Sepse ajo që kanë krijuar zviceranët është 500 vite demokraci dhe paqe. Le ta perifrazojmë këtë deduksion të Green-it në raport me veten tonë, le të fillojmë duke thënë se ne shqiptarët kemi dashuri vëllazërore për njëri-tjetrin….Humor tipik anglez edhe ky!