Edhe laboratorët e spitaleve, do të jepen me koncesion

594
Sigal

Tabelës së PPP-ve, pagesat e të cilave vetëm për 2019-n do t’i kushtojnë buxhetit të shtetit mbi 110 milionë euro, do t’i shtohet edhe koncesioni i analizave spitalore me vlerë 90 milionë USD. Fitues është konsorciumi shqiptaro-franko-holandez, por që pas tij fshihet familjari i një qeveritari të rëndësishëm

Monopol në shëndetësi, zbulohen lidhjet e fshehta mes PPP të hemodializës dhe laboratorëve

Pse mbahet e fshehtë kontrata e koncesionit të laboratorëve të spitaleve e 28 dhjetorit 2018 me vlerë 90 miliardë lekë?

Jakup B. GJOÇA

Qeveria, jo vetëm që vazhdon të japë koncesione miqve dhe klientëve të vet, por më e keqja është se koncesionet jepen jo vetëm pa asnjë transparencë, pa garë, me prokurim të drejtpërdrejtë, por ato mbahen tepër sekret, nuk publikohen gjëkundi. Arsyeja e mospublikimit të koncesioneve, është se këto u jepen drejtpërdrejtë miqve dhe klientëve të zyrtarëve të lartë, shumat e koncesioneve janë marramendëse, në qindra miliona euro. Sipas burimeve të mirinformuara, qeveria ka nënshkruar në 28 dhjetor 2018 një tjetër koncesion të laboratorëve, të të gjithë spitaleve publike të vendit, përveç koncesionit të parë dhe ky lajm mbahet tepër sekret nga qeveria. Natyrisht, nuk dihen shumat e miliona euro që do t’i paguhen koncesionarëve, por, koncesionarët dihen: Ata që kanë marrë edhe koncesionin e parë të laboratorëve të QSUT-së.

 

Dy kompanitë në Holandë, përfituese të koncesioneve, të çojnë te Spitali Amerikan

 

Sipas një investigimi të bërë nga “Shqiptarja.com” një fill i hollë dhe i padukshëm që lidh tre shoqëri holandeze, të cilat kanë administrator dhe zyra të përbashkëta, bashkon dy koncesionet më të mëdha të dhëna nga Shteti në sektorin e shëndetit publik me monopolistin e shëndetësisë private në Shqipëri. Deri tani njiheshin vetëm pjesërisht lidhjet ekzistuese mes pronarit të Spitalit Amerikan Klodjan Allajbeu dhe koncesionit PPP për shërbimin e hemodializës të firmosur me Ministrinë e Shëndetësisë, më 25 maj 2016 për një vlerë prej 8 miliardë lekë të reja. Por dokumente të reja të zbuluara nxjerrin në sipërfaqe një lidhje të fshehtë edhe mes këtij koncesioni dhe koncesionit për laboratorët e analizave, një tjetër PPP që për një vlerë 13 miliardë lekë të reja, Në prill 2017, u dha privatëve edhe administrimin e analizave të 18 spitaleve publike shqiptare. Për të gjetur këtë fill duhet të fluturojmë në Holandë, në Hagë, në një pallat antik prej 3 katesh në adresën Nassaulaan 2 A. Holanda u ofron shoqërive një sërë garancish fiskale dhe sekrete që e bëjnë këtë vend në zemër të Bashkimit Evropian, të barabartë me një parajsë të vërtetë fiskale: Vetëm në vitin 2016 këtu kanë kaluar ekskluzivisht për arsye fiskale 4500 miliardë euro (4 herë e gjysmë prodhimi i brendshëm bruto i vendit) dhe janë regjistruar 15.000 shoqëri që de fakto janë vetëm në letër. Mes këtyre, tre shoqëri, janë protagoniste të investigimit tonë. E para quhet AB Laboratory Solution B.V. dhe mban 33 % të konsorciumit që ka fituar koncesionin për Laboratorët privatë (bashkë me shoqërinë shqiptare Labopharma shpk me 41.7% dhe shoqërinë franceze Exalab me 25 %). Shoqëria e dytë quhet Arimo B.V. dhe, me 7 nëntor 2016 ka blerë 72.5% të shoqërisë shqiptare Evita, që nga ana e saj kontrollon 85% të shoqërisë shqiptare DiaVita, fituese e koncesionit të hemodializës (15% që mbetet e koncesionit të hemodializës është zyrtarisht në duar të Spitalit Amerikan). Shoqëria e tretë holandeze quhet Vendeka European Investiment B.V. dhe është e vetmja që i njihet me qartësi pronari i 100% të aksioneve, Klodjan Allajbeu, administrator dhe ortak i Spitalit Amerikan. Emri i Vendeka-s dhe pronarit të saj është zbuluar rastësisht duke hetuar mbi abuzimet e Tregut Agro Ushqimor të Tiranës: Allajbeu i ka transferuar Vendeka-s, pra shoqërisë së tij në Holandë, aksionet e shoqërisë Agromark, pronare e 33% të Tregut të Tiranës. Koincidenca e parë e çuditshme është se shoqëria Arimo B.V. që kontrollon shumicën e PPP mbi hemodializat dhe shoqëria Vendeka e monopolistit të shëndetësisë private, që sipas Shtetit nuk kanë asnjë marrëdhënie mes tyre, janë të regjistruara në të vërtetë në të njëjtën adresë: Nassaulaan 2 A, 2514 JS, Hagë. Deri më 17 janar 2017 të dyja shoqëritë holandeze janë administruar nga e njëjta shoqëri holandeze, Capita Asset Services. Të njëjtën ditë, në mënyrë të çuditshme, të dyja ndryshojnë administrator dhe i besojnë administrimin ITPS, një tjetër shoqëri e rëndësishme holandeze. Dhe pikërisht këtu mbijnë lidhjet me koncesionin e dytë PPP. (Dokumenti 4) Në fakt ITPS mes qindra shoqërive që administron, veç Arimo dhe Vendeka, ka edhe AB Laboratory Solution B.V. që është gati për të firmosur kontratën PPP për koncesionin e laboratorëve të analizave të të gjithë vendit. Për rreth tre muaj të tre kompanitë (Arimo, Vendeka dhe Ab Laboratory Solution) punojnë me ITPS si administrator i përbashkët. Me 15 mars 2017 AB Laboratory Solution ndryshon administrator dhe emëron Luisa Cinzia Ramasso. Me 30 mars edhe Arimo B.V. ndryshon administrator dhe emëron të njëjtën administrator të AB Laboratory, Luisa Cinzia Ramasso. E habitshme është se e gjitha kjo bëhet 10 ditë pas lajmërimit nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë të fituesve të koncesionit për laboratorët, e komunikuar zyrtarisht, më 20 mars 2017. Në muajt e ardhshëm dy shoqëritë do të kenë të përbashkët edhe një administrator të dytë, Tamara Alexandra Eleonora of Koppen. Pra dy shoqëritë holandeze që kanë njëra 33% dhe tjetra 85% të dy koncesioneve kryesore të shëndetësisë shqiptare, kanë të njëjtin administrator. Dhe të dyja në mënyrë direkte ose tërthorazi të çojnë të Klodjan Allajbeu. Një lidhje për të cilën Shteti që i beson koncesionin nuk ka zyrtarisht asnjë informacion. Prej 25 qershorit 2018 AB Laboratory Solution deklaron se administrator i ri është Kostantinos Karathanos dhe si ortak mazhorance ka shoqërinë shqiptare Pegasus: Biznesmeni Janis Karathano, pronari i Pegasus dhe i shoqërisë së dytë që fitoi koncesionin, Labopharma shpk, ka siguruar, në një deklaratë për median, në nëntor 2017 se brenda pak kohe shoqëria holandeze AB Laboratory Solution do të dilte nga konsorciumi, gjë që deri tani nuk rezulton të jetë bërë. Lidhjet mes dy koncesioneve kryesore të shëndetësisë publike dhe monopolistit të shëndetësisë private gjithsesi duken të forta, edhe pse në letrat e paraqitura Shtetit janë mbajtur të fshehta. Edhe këtë herë loja e shoqërive off-shore shërben për të fshehur identitetin e përfituesve të vërtetë të fondeve publike, duke ushqyer dyshime dhe akuza. Tani i takon prokurorisë së re dhe Autoritetit për Konkurrencën të vërtetojnë lëmshin e lidhjeve dhe të interesave, që në të vërtetë nuk mbarojnë këtu.

Denoncimi: Në spitalin e Shkodrës bëhen vetëm 7 ekografi, të tjerat tek privati

Krahas atyre që qeveria i konsideron investime në shëndetësi, po ecin me ritme të shpejta edhe ‘investimet’ dhe idetë e reja për të pasuruar klinikat private, nga mjekët e shtetit, natyrisht. Risia e fundit e këtij lloji vjen nga Spitali Rajonal i Shkodrës, ku qytetarëve iu kanë vendosur kufirin tek thana: vetëm 7 ekografi në ditë, të tjerët përcillen për në klinikat private. “Ky është bashkëpunim në rrjepje dhe korrupsion! – shprehet ish-kryeministri Sali Berisha, pasi ka denoncuar hapur mesazhin e një qytetari shkodran, një pacienti viktimë e këtij abuzimi.- Lexoni mesazhin e qytetarit digjital”. Mesazhi i publikuar në profilin e ish-kryeministrit: Përshëndetje Dr. Berisha. Desha të denoncoj një fakt nga Spitali Rajonal Shkodër, në një spital që është për të gjithë veriun. Me urdhër nga lart, lejohen vetëm 7 ekografi në ditë, si e si për të detyruar pacientët e shkretë të shkojnë tek gjakpirësit privatë.

Prof. Dr. Tritan Shehu: Edhe jashtë Tiranës ka njerëz!

Niveli e standardet e urgjencës mjekësore janë shumë larg atyre të domosdoshmeve, veçanërisht po të kuptohet se dhe jashtë Qendrës së Tiranës jetojnë njerëz: Dje një qytetar i një fshati të Këlcyrës rreth orës 7 të mëngjesit pati dhimbje të forta gjoksi, për të cilat me mjetet e tij mbas rreth tre orësh arriti në spitalin e Gjirokastrës. U njoftova rreth orës 12:30 dhe menjëherë u impenjova për t’i siguruar një ndihmë mjekësore sa më të kualifikuar. Rreth orës 13:30 pacienti niset drejt QSUT në Tiranë me autoambulancë. Kolegët e asaj qendre, me të cilët komunikova në të gjitha hallkat, arritën që rreth orës 18 të realizonin aty procedurën hemodinamike e të vendosnin një “unazë” në një koronare, duke dilatuar edhe tjetrën.” Por ndërkaq infarkti ishte konsoliduar, pikërisht sepse koha e ndërhyrjes ishte mbi limitet e duhura prej maksimumi 6 orësh nga simptomat dhe mungesës së protokolleve të përdorimit të trombolitikeve në rrethe, kur kjo ndodh. Urgjenca mjekësore nuk është thjesht një ingranazh, por është një mekanizëm i tërë kompleks, që për të pasur suksesin e plotë duhet të funksionojë saktësisht në të gjithë vendin e hallkat e saj. Fatkeqësisht siç tregoi edhe ky rast, për te cilin pati një gatishmëri të plotë të të gjithë kolegëve, gjendja e Urgjencës sonë është shumë larg normave e kërkesave të kohës, veçanërisht kur bëhet fjalë për qytetarë jashtë “Unazës së Tiranës”. Por Shqipëria nuk është vetëm qendra e Tiranës!