Drogë rekord në Durrës, kapen 11 kg heroinë në port

223
Bllokohet një sasi rekord droge në portin e Durrësit. Shërbimet e Policisë Kufitare të Portit Durrës, në vijim të kontrolleve për parandalimin dhe goditjen e trafikut të lëndëve narkotike, si dhe bazuar në informacionet e marra në rrugë operative në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligj-zbatuese, gjatë kontrollit në vijën e dytë të kamionëve rezultoi se në kabinën e kamionit “MAN”, me targë AA 943 OO, nën krevatin e shoferit në një vend të fshehtë pas kontrollit të imtësishëm me qenin antidrogë dhe fibroskop u gjetën disa pako me lëndë të dyshuar heroinë. Sipas njoftimit zyrtar, kamioni drejtohej nga shtetasi B. Sh., 63 vjeç, banues në Durrës. Nga kontrolli i imtësishëm u gjetën 10 pako të mëdha dhe një pako e vogël, ku brenda tyre kishte lëndë narkotike të dyshuar heroinë, që është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Pas peshimit rezultoi 11 kilogramë e 395 gramë. Kamioni me ngarkesë 15 koli me qese plasmasi ishte me destinacion Firencen në Itali. Grupi hetimor njoftoi se po vijon punën për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë trafik. Njëkohësisht është shkëmbyer informacion në kohë reale me homologët italianë për të zhvilluar hetime të përbashkëta në lidhje me këtë rast.