Drejtësia, BE: Kush nuk kalon vetingun, nuk mund të bëhet avokat

297

Bashkimi Evropian kërkon thellimin e izolimit për prokurorët dhe gjyqtarët, të cilët do të përjashtohen nga sistemi i drejtësisë, për shkak të veprimit të ligjit të Vetingut. Misioni EURALIUS në Shqipëri ka propozuar që prokurorët dhe gjyqtarët, të cilët nuk kalojnë Vetingun, të mos kenë të drejtë për të ushtruar profesionin e avokatit.

Propozimi është bërë në kuadër të shqyrtimit dhe miratimit të projektligjit për profesionin e avokatit. Ky projektligj është marrë dje në shqyrtim nga Komisioni i Ligjeve. Përfaqësues të misionit EURLIUS, projektit të Bashkimit Evropian që asiston autoritet shqiptare për konsolidimin, pavarësinë, transparencën, efiçencën dhe efektivitetin e sistemit shqiptarë të drejtësisë, ka propozuar që gjyqtarët dhe prokurorët që mbeten në rrjetën e trefishtë të Vetingut, të mbahen larg drejtësisë së re, duke mos patur të drejtë të bëhen avokatë, shkruan Shqiptarja. com

Kreu i Dhomës së Avokatisë Maks Haxhia tha se nga e drejta për ushtrimin e këtij profesionit duhet të provohen persona që kryejnë krime të rënda. Vendimi përfundimtar mbi këtë pikë të projektligjit për avokatinë, do të merret nga Komisioni Parlamentar i Ligjeve këtë të premte.