Doda: Nuk tërhiqemi nga hapja e dosjeve, spiunët dhe terroristët e kuq të largohen

475
Sigal

Deputetja e PD-së Mesila Doda, ditë më pas nga depozitimi që bëri së bashku me kryetarin e PDIU-së Shpëtim Idrizi të projektligjit për Lustracionin, u shpreh dje se ligji për hapjen e dosjeve do të mbrohet me çdo kusht nga deputetët dhe ish-studentët e dhjetorit. Në një postim në faqen e saj në rrjetin social, Doda ka qetësuar miqtë e saj duke u shprehur se nuk do të ketë asnjë tërheqje nga iniciativa dhe se tashmë projektligji i lustracionit ndodhet në Kuvend, ndërsa ka theksuar se spiunët, sovjetët dhe terroristët e kuq duhet të largohen. “Të dashur miq! Ju falënderoj nga zemra për mesazhet tuaja mbështetëse. Asnjë shqetësim!!! Ligji për hapjen e dosjeve dhe lustracionin sot është në Kuvendin e Shqipërisë dhe do mbrohet me çdo kusht nga deputetët dhe studentët e dhjetorit. Asnjë tërheqje! Spiunët, sovjetët dhe terroristët e kuq duhet të largohen se kanë çerek shekulli që i marrin frymën këtij vendi”, shkruan Doda. Më tej, ajo u ka bërë thirrje mbështetësve të bashkohen me rastin e Ditës Kombëtare të Rinisë, 8 dhjetorin, për të reflektuar mbi të kaluarën dhe për të projektuar një të ardhme ndryshe. “Pas disa ditësh do kemi mundësi të festojmë së bashku 8 dhjetorin. Le ta kthejmë në një ditë reflektimi mbi të kaluarën dhe të gjejmë së bashku rrugën e së vërtetës duke projektuar një të ardhme larg dhunës, paligjshmërisë, korrupsionit dhe klientelizmit. E ardhmja duhet të ndërtohet ndryshe!”, është shprehur deputetja e PD-së, Mesila Doda