Diplomati Arben Cici emërohet shef kabineti në Presidencë

626
Presidenti i ri i Republikës, Ilir Meta ka emëruar diplomatin Arben Cici shef të kabinetit në Presidencë. Arben Cici është një emër i njohur në fushën e diplomacisë, pasi ka shërbyer në Ministrinë e Jashtme, ndërsa ka qenë ambasador në disa vende, por edhe këshilltar i ish-Presidentit Bamir Topi. Arben Cici është pedagog, mban titullin e Doktorit të Shkencave Historike që nga viti 1999, është autor i disa librave, ndërsa zotëron edhe disa gjuhë të huaja. Dy ditë më parë Meta emëroi Sekretar të Përgjithshëm të institucionit Alqi Bllakon, ekspert i njohur në fushën financiare.
Kush është Arben Cici
Arben Cici u lind në Korçë më 1960. Pas diplomimit në Universitetin e Algjerit, Fakulteti i Përkthimit (1988), ka punuar si pedagog në Universitetin e Tiranës, Katedra e Gjuhës Frënge (1988-1992).

Nga viti 1992 shërben në fushën e diplomacisë, përkatësisht: Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ambasador i Shqipërisë në Federatën Ruse, Drejtor i Protokollit të Shtetit, Ambasador në Republikën e Kroacisë, Danimarkë, Drejtor i Protokollit të Shtetit, Këshilltar Diplomatik i Presidentit të Republikës. 

Mban titullin e Doktorit të Shkencave Historike që nga viti 1999. Aktualisht jep mësim në disa universitete publike dhe private në Tiranë dhe Prishtinë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, diplomacisë e ceremonialit diplomatik.

Është autor i botimit të parë të ”Ceremonialit zyrtar të Republikës së Shqipërisë” (1988), bashkautor i librit ”Hyrje në teoritë politike moderne” (2009) dhe autor i shumë artikujve shkencorë e publicistikë në fushën e diplomacisë dhe më gjerë.

Zotëron gjuhët frënge, angleze, arabe dhe italiane. Fryt i interesave dhe i punës së tij shkencore në historinë e diplomacisë shqiptare është edhe libri “Marrëdhëniet shqiptaro-italiane në vitet 1920-1934” .
Sigal