Temperaturat e larta e detyrojnë trajnerin të kujdeset në shpërndarjen e ngarkesave stërvitore

481
Nga Agron KAJA
KËSHILLA/ Prof.Dr. Mehmet Spahiu, sjell në kujtesë disa këshilla për trajnerët në kushtet e motit të nxehtë
Moti i nxehtë dhe me temperatura të larta, sjell si domosdoshmëri këshillat e specialistëve të sporteve, të cilët ndihmojnë sado pak, kryesisht në shëndetin e sportistëve dhe trajnerëve. Prof. Dr. Mehmet Spahiu, në bashkëbisedimin e tij me gazetën “Telegraf”, tregoi rrugët që duhet të ndjekë një trajner, për ti paraprirë situatave stërvitore në kushtet e një moti të nxehtë. “Temperaturat e larta e detyrojnë trajnerin që të jetë shumë i kujdesshëm në shpërndarjen e ngarkesave stërvitore. Në situata të tilla, është shumë i rëndësishëm, madje merr përparësi, bashkëpunimi mjek-trajner. Nëpërmjet kontrolleve mjekësore dhe testeve laboratorike, trajneri merr informacion të saktë shkencor për ndryshimet funksionale që ndodhin gjatë procesit stërvitor me sportistët, dhe si rezultat, ai merr masat për të shmangur efektet negative të temperaturave të larta tek ata”, kështu theksoi fillimisht Mehmet Spahiu, i cili më pas, i kushtoi rëndësi përshtatjes së organizmit të sportistit, kryesisht duke folur për futbollistët. “Krahas kujdesit që duhet të kemi nga ndikimi negativ i temperaturave të larta, duhet të kemi parasysh që nga ana tjetër duhet të sigurojmë një përshtatje të organizmit të futbollistit (sportistit) me këto temperatura, në mënyrë që ata të jenë të gatshëm për të përballuar me nivel të lartë ndeshjet e radhës, të cilat luhen po në të njëjtat kushte klimaterike, me një të nxehtë përvëlues”. Dhe për ta ilustruar këtë efekt negativ të motit të nxehtë në stërvitshmërinë e sportistëve, Spahiu sjell në kujtesë Kampionatin Botëror “Meksikë 1986”, ku disa ndeshje janë luajtur në temperatura mbi 40 gradë celsius. “Sjellim në kujtesë kampionatin Botëror “Meksikë 1986”, ku disa ndeshje janë luajtur kur temperaturat ishin 40 gradë celsius në hije. Pra, nëpërmjet këtij rasti, duhet të themi se nuk jemi në një gjendje të jashtëzakonshme, por bëjmë mirë që e trajtojmë si problem, në mënyrë që trajnerët të jenë më të vëmendshëm në punën e tyre. Do të ishte normale që, trajneri në seancat stërvitore të paradites të evitonte temperaturat e larta nëpërmjet stëvitjeve në orët e para të mëngjesit, ose nëpër salla stërvitore, ndërsa në seancat stërvitore të pasdites, duhet të ketë një koordinim perfekt të kohëzgjatjes së stërvitjes, planifikimit dhe dhënies së ngarkesës stërvitore, si dhe të orarit të stërvitjes, por duke pasur parasysh oraret e ndeshjeve (stërvitjeve) që ka skuadra në kalendarin sportiv”. Dhe, duke ju referuar këtyre këshillave që Prof. Dr. Met Spahiu sjell sot për lexuesit e gazetës “Telegraf”, nga ana e trajnerëve, ndoshta duhet bërë më shumë kujdes me stërvitshmëritë në këtë mot me temperatura të larta.
Temperaturat e larta e detyrojnë trajnerin që të jetë shumë i kujdesshëm në shpërndarjen e ngarkesave stërvitore. Në situata të tilla, është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi mjek-trajner. Nëpërmjet kontrolleve mjekësore dhe testeve laboratorike, trajneri merr informacion të saktë shkencor për ndryshimet funksionale që ndodhin gjatë procesit stërvitor me sportistët dhe, si rezultat, merr masat për të shmangur efektet negative të temperaturave të larta tek ata
Sigal