Deputeti Erjon Braçe, replikon edhe me Zonjën e Parë për pronësinë e tokës në selinë e PD-së

443
Sigal

Dje, Zonja e Parë, Odeta Nishani,  përgënjeshtroi publikisht akuzat që i bëhen asaj dhe familjes së saj, lidhur me pronësinë e tokës në selinë e PD-së.

Odeta Nishani: “Shpifja, meriton një përgjigje”
“Me përgjegjësi të plotë pohoj para opinionit publik që asnjë marrëdhënie pronësie e imja dhe familjes sime nuk ekziston me selinë e PD-së; gjithashtu pohoj se, asnjë interes privat nuk e lidh familjen time me atë objekt dhe të ardhmen e tij. Për dy javë PS-ja bëhet forcë kryesore qeverisëse dhe ka të gjitha mjetet e duhura ligjore dhe administrative për të hetuar me imtësi mbi këtë çështje. Ky nxitim për të më vendosur në qendër të një alibie dhe lufte politike që nuk më përket , nuk më demoralizon, nuk më frikëson në asnjë çast të jetës dhe punës time të përditshme. Unë besoj tek drejtësia dhe moraliteti i së drejtës, ndaj jam e bindur që shpifësit do të marrin qëndrimin që meritojnë nga opinioni publik shqiptar dhe shumë shpejt kauza e tyre do të vetërrëzohet. Kam mbetur e çuditur kur pashë në gazeta akuza të deputetëve të majtë Erjon Braçe e Pirro Lutaj, se gjoja trualli, ku është ndërtuar selia e PD-së qenka në pronë e Familjes sime”! Epo e meriton një përgjigje!”

Erjon Braçe: “Do verifikoj, meqë mungojnë institucionet e pavarura”
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i deputetit Erjon Braçe, i cili duke replikuar me zonjën Odeta Nishani, i kujton se e mori përgjigjen që kërkonte, por në mungesë të institucioneve, do të bëjë verifikimin.  Braçe replikon me Zonjën e Parë: “Jo më larg se dje kam kërkuar nga Presidenti  të shpjegohet apo qartësojë adresën e deklaratave të tij emocionale, plot mllef e të pa vërteta. Qenkeni përgjigjur ju! Njësoj është. Nuk ka asnjë gazetë që të ketë shkruar se unë Erjon Braçe të kem thënë kund se: “Familja juaj ka pronësinë mbi selinë aktuale të PD-së”! Unë nuk shkruaj në ndonjë gazetë. Unë postoj mendimet e mia në këtë profil. Për fat të dyja postimet, ai i datës 15 dhe ai i datës 17 janë këtu. Nëse dini të lexoni, apo doni të lexoni, mund ta bëni më poshtë. Në të dyja postimet, unë i kam kërkuar Presidentit të shpjegohet nëse ka apo jo interesa pronësore Familja e tij në truallin ku është ngritur selia aktuale e PD-së, pas informacioneve të pavarura të publikuara në media. Pyetja nuk është shpifje, akuzë, kërcënim, shantazh! Unë shpresoj shumë që ju ta dini se ç’është një pyetje dhe të bëni dallimin mes saj dhe një shpifje, akuze, kërcënimi, shantazhi. Afërmendsh që e dini, por ju keni zgjedhur vetëviktimizimin si përgjigje për pyetjet ulëritëse që kanë lidhje me ushtrimin e detyrës nga Presidenti,  apo me dekretet e tij, për mua e shumë të tjerë të njëanshme e të paligjshme. Por ju s’keni punë me to. Apo jo? E nderuar Grua! Kërkoj nga ju që menjëherë të tërhiqni ato që i keni thënë Gazetës Shqiptare për mua, si fjalë të pavërteta e që nuk kanë lidhje me atë që unë kam thënë lidhur me këtë çështje. Është e drejtë kjo. Ndërkohë, unë e mora përgjigjen për pyetjen time: Ju, familjarisht, nuk keni interesa pronësore në truallin ku ngrihet selia aktuale e PD-së. Në mungesë të institucioneve të pavarura e apolitike, që të japin informacion ligjor lidhur me sa ju thoni, më duhet që ta verifikoj. Besoj shumë që kjo të mos u duket shantazh, kërcënim, apo shpifje!”,- përfundon deputeti Erjon Braçe.