Denoncimi i opozitës: Kryeministri Rama i jep 15 milionë euro tenderë baxhanakut të tij, duke ndarë fitimet bashkërisht

507
Sigal

Jakup B. GJOÇA

PD: Rama i jep 15 mln euro tenderë baxhanakut të tij

Zbardha e dokumentave: Ja si shpërfillin ligjin e PPP-ve dhe ligjin e Prokurimeve

Qeveria e Rilindjes në 5 vite ka dhënë më shumë se 2.400 tenderë dhe koncesione, ku shumica e tyre janë dhënë, ose pa kërkesë e ofertë nga qeveria, por të kërkuara nga firmat dhe bizneset dhe shumë të tjera janë dhënë, madje, edhe pa garë, duke shpërfillur edhe ligjin e PPP-ve dhe ligjin e prokurimeve. Shumë herë denoncimet dhe akuzat kanë ngritur si problem, që këto mijëra tenderë dhe koncesione u jepen pa asnjë transparencë, miqve, klientëve dhe të afërme të zyrtarëve të lartë të ministrave. Prokuroria deri tani, nuk ka bërë asnjë hetim. Ndërsa Banka Botërore dhe FMN-ja shumë herë kanë kritikuar qeverinë për koncesionet, sepse rritin borxhin, nuk investojnë, nuk hapin vende të reja pune, etj. Departamenti Amerikan i Shtetit ka kritikuar qeverinë tonë për koncesionet dhe tenderët, sepse ka përjashtuar pjesëmarrjen dhe garën e ndershme në dhënien e tyre.

Denoncimi më i fundit: Baxhanaku i kryeministrit merr tenderë me 15 milionë euro

PD vijon me denoncimet me tenderët, që sipas selisë blu favorizohen njerëz të afërt me qeverinë. “Jo vetëm kaq, por Partia Demokratike këtu publikon 41 tenderë që kompania ABS ka përfituar me vlerë 15.6 milionë euro nga shtatori 2013 deri më sot, si edhe 27 kontrata sekrete, të përfituara nga AKSHI me vlerë 850 mijë euro,” – tha deputetja Tabaku. Deklarata e Jorida Tabakut: Në Shqipëri, mund të fitosh një tender publik vetëm nëse je i lidhur me qeverinë. Rasti i Mond Begos i cili pasi ka ndryshuar katër apo pesë emra duke krijuar kompani nga hiçi për të fituar tenderë publikë. Ky nuk është vetëm konkluzioni i Partisë Demokratike, ky është konstatim i raportit të fundit të DASH, i Gjykatës Evropiane të auditimit dhe strategjisë së zgjerimit. Por kjo fatkeqësisht është dhe e vërteta e publikuar nga raportet e Agjencisë së Prokurimit Publik. Por, për të përfituar një tender publik është e domosdoshme që të jesh edhe brenda rrethit familjar të kryeministrit Rama, oligark brenda kryeministrit, ose kriminel me rekorde kriminale.

Fakti i korrupsionit

Firma ABS që Partia Demokratike po denoncon sot, jo rastësisht është e lidhur me familjen e kryeministrit, ka mundur të përfitojë 15.6 milion euro tenderë nga shtatori 2013 deri më sot. Kompania “Advanced Business Solutions” zotërohet në bashkëpronësi nga baxhanaku i kryeministrit Armand Frangu, i cili së bashku me kompaninë B360 marrin pjesë gjithmonë në të njëjtat tenderë, gjithmonë duke ndarë përfitimet me njëri-tjetrin. Si rregull për ta bërë garën në dukje të ligjshme, por nga ana tjetër është thjesht vetëm një farsë. Në tenderin e fundit të ofruar nga OSHEE me një vlerë prej 1.94 mld lekësh (të vjetër) kompania ABS ka pasur ofertën më të lartë dhe përsëri ka fituar. Ndërkohë që kompania B360 shpk ka marrë pjesë në këtë tender si spektator. Jo vetëm kaq, por Partia Demokratike këtu publikon 41 tenderë që kompania ABS ka përfituar me vlerë 15.6 milionë euro nga shtatori 2013 deri më sot, si edhe 27 kontrata sekrete, të përfituara nga AKSHI me vlerë 850 mijë euro. Tenderi më i fundit i marrë nga kompania e tij nga AKSH-i, ka një vlerë prej 1.56 miliardë lekësh dhe përsëri ka fituar oferta më e lartë. Tenderët që i shpërndahen oligarkëve, ofiqarëve të PS-së, të inkriminuarve që mbajnë me oksigjen deputetët e mazhorancës dhe së fundi familjen e kryeministrit, janë një provë e rëndë për krimin që po kryhet me tenderët publik në Shqipëri. Këto janë një tjetër dëshmi që provon akuzën e ngritur nga Partia Demokratike dhe faktuar edhe nga Gjykata e Auditit të Bashkimit Evropian se 1 në 3 tenderë jepet pa garë, 1 në 3 tenderë jepet abuzivisht. Jo vetëm kaq, shembulli i kompanisë së baxhanakut të Ramës, dëshmon edhe raportimet e Departamentit Amerikan të Shtetit që thekson se “Raportet e korrupsionit në prokurimin e qeverisë janë të zakonshme.” Vetëm për vitin 2017 sipas të dhënave publike të disponueshme online nga Agjencia e Prokurimit Publik, 1281 ose 26% të tenderëve të prokuruar, janë dhënë me ofertën më të lartë. Kjo I ka kushtuar buxhetit të shtetit 41 milionë euro, që mund të ishin përdorur për ndihmën ekonomike, që mund të ishin përdorur për mirëmbajtjen e të gjitha rrugëve në Shqipëri. Prokurimet publike janë dëshmi e qartë e dështimit të turpshëm dhe vjedhjes së hapur që një qeveri e korruptuar ka prodhuar nga shtatori i vitit 2013 e deri më sot. Partia Demokratike angazhohet që çdo tenderim abuziv, ta çojë përpara ligjit. Angazhohet për të ndryshuar ligjin e koncesioneve, Ligjin e PPP-ve dhe Ligjin e Prokurimeve, për të siguruar një garë të hapur, duke besuar se vetëm me një garë të hapur mund të çlirohet ekonomia, mund të vijnë investimet e huaja, mund të rritet punësimi. Kjo që po i ndodh sot ekonomisë është thjeshtë kapja e radhës nga kryeministri dhe familjarët e tij.