Debati Rama-Berisha për votat/ Degjeneron seanca në Kuvend nga fjalori i turpshëm i deputetëve. Rama: VOA u bë zëdhënëse e Kazanit

529
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Degjeneron seanca plenare në Kuvend nga fjalori i turpshëm i deputetëve

Kryeministri Rama, pas publikimit të dosjes 339 të Prokurorisë, sulmon “Zërin e Amerikës”: Për herë të dytë u bë zëdhënësi i kazanit

Degjeneron Kuvendi nga fjalori që përdori kryeministri Rama, në replikën e vet kundër kritikave të ish-kryeministrit Berisha. Kryeministri Rama, ndoshta humbi vetëpërmbajtjen, logjikën, apo ndoshta qëllimisht përdori fjalorin e turpshëm në foltoren e Kuvendit, por një gjë është e sigurtë: Kryeministri Rama, jo vetëm nuk pati asnjë ndjesi përgjegjësie, nuk manifestoi asnjë reflektim nga publikimi i dosjes 339 nga Zëri i Amerikës, ku u zbardhën detaje të bashkëpunimit të eksponentëve të PS me njerëzit e krimit në fushatën elektorale të 2015 dhe 2017 për të blerë votat, duke tjetërsuar edhe rezultatin zgjedhor, por, përkundrazi, kryeministri Rama për të dytën herë, sulmoi “Zërin e Amerikës”, duke thënë: “Për herë të dytë u bë zëdhënësi i kazanit”.

Kuvendi i rrëzon Presidentit Meta dekretin e dytë për kryetarin e KLSH-së

Kuvendi rrëzoi dje dekretin e Presidentit Meta i cili propozoi Bahri Shaqirin. Dekreti është rrëzuar me 77 vota kundër. Një muaj pasi Kuvendi i rrëzoi propozimin e Vitore Tushës, Presidenti përzgjodhi një tjetër kandidaturë për postin e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Por edhe kandidatura e Bahri Shaqirit, ish-drejtor i shërbimit Informativ Shtetëror dhe aktualisht këshilltar i Presidentit për Çështjet e Sigurisë Kombëtare është rrëzuar nga Kuvendi, duke u bërë kështu kandidatura e dytë që rrëzohet nga shumica e deputetëve.

Basha kërkoi ndërprerjen e Kuvendit: Të vijë Rama të japë sqarime për përgjimet e VOA

Gjatë seancës së Kuvendit, ku po diskutohet akti normativ për buxhetin 2018, opozita kërkoi ndërprerjen e seancës sepse kryeministri nuk është prezent. Lulzim Basha u shpreh se Rama duhet të jetë në Kuvend dhe të japë sqarime për përgjimet e VOA që tregojnë sipas tij vjedhjen e votave. Basha: Dje “Zëri i Amerikës” ka treguar që jeni hajdutët e votave dhe shqiptarëve. Keni treguar se veproni si bandë kriminale, ju hani e pini me kriminelët duke filluar nga ky i pari. Flisni këtu për kod etike, keni marrë Shqipërinë peng, keni marrë këtë parlament peng. Ju vidhnit për kryehajdutin dhe kryehajduti nuk vjen. E di gjithë bota si e morët pushtetin në 2017-ën. E morët me pazaret që keni bërë me krimin. Kur e lidh fatin me kriminelët nuk ka si të mendosh për shqiptarët.

Rama sulmon sërish “Zërin e Amerikës”

Kryeministri Edi Rama ka folur nga foltorja e Kuvendit për përgjimet zbuluara ditën e djeshme nga Zëri i Amerikës. Rama tha se “Zëri i Amerikës”, nuk ka thënë asgjë të re dhe ka bërë thjesht zëdhënësin e kazanit të Tiranë “Është e dyta herë në një periudhë shumë të shkurtër, “Zëri i Amerikës” është bërë zëdhënës i opozitës shqiptare. Këtë herë mund të them vetëm kaq, asgjë e re nga froni tuaj. Një sallatë fjalësh e cila nuk ka asnjë shans të çorodisë asnjë shqiptarë të vetëm, zero.

Degjeneron debati në Kuvend

Seanca e djeshme ka degjeneruar duke kaluar në ofendime verbale mes kryeministrit Edi Rama dhe ish kryeministrit Sali Berisha. U arrit deri aty sa në “fushë betejën e politikës” të përmendin edhe bashkëshortet dhe familjen.

 Kryeministri Rama: “Abi Bank është një bankë amerikane, e cila kontrollohet nga Enti Regullator i Bankave të Amerikës. Po ta përsëris ti je njëri që je marrë me gratë, je marrë më vajzat me kalamajtë, je marrë me nipat, je marrë me mbesat. Je marrë me kë s’je marrë. Ti je njeri s’ke kanun, ti je njeri që nuk ke Kushtetutë. Ti je njeri që nuk ke ligj. Ti je njeri që nuk ke moral por ti gruas time dhe familjes time i ha ato që nuk thuhen.

Sali Berisha: Ti je një fundërrinë që u merr shokëve gratë. Je i pafytyrë. I merr gruan e shokut. Nuk ke as moral o horr.. Je njeri që shkel çdo normë e moral. Mohon djalin tënd. Ke akuzuar babën për incest. Je fundërrinë njerëzore. Lëri ato, një herë oqeani një herë SMS. “Zëri i Amerikës” thotë se karrigia jote qëndron mbi krimin. Del e shan si rrugaç ordiner duke dëshmuar një moral më të ultin njerëzor. Je ti që i merr shokut gruan o i pafytyrë.

Edi Rama: Vetëm ilustrove atë që të thashë. Që nuk ke lidhje me asnjë libër të rregullave të bashkëjetese. Në vitin 2000 ti së bashku me disa rreth teje ke fabrikuar një dokument falso që sipas të cilit unë kam bërë gjyq dhe kam mohuar atësinë e djalit tim. Je ti që ke ushqyer këtë gjë dhe ke shkaktuar dhimbje dhe lot në familjen time. Vizat e bardha, vizat e mallit e ndolle. Unë nuk kam lidhje as me vizat e mallit as me vizat e bardha, ti shiko vijën e kuqe që të ndan përtej oqeanit.

Sali Berisha: Sa për dokumentet ti ka botuar Ymer Baze që të mban peng me dosjen e djalit, qoftë me dosje gjyqi dhe të rri gjithë ditën në zyrë dhe të zhvat. Ilir Meta ka deklaruar se, të ka detyruar të njohësh djalin se për ndryshe nuk do të njohë kryetar bashkie. Të ka detyruar të japë kafshatën. Po kujton se Sali Berisha nuk do t’i përmendë këto. Edhe kafshën, edhe derrin, edhe lopën, edhe gomarin, edhe qenin po ta shohësh që nuk kujdeset për këlyshin do ta heqësh qafe. Ky duhej hequr qafe që atëherë. Ai që ia bëri rri gjithë ditën në zyrën e tij. Sepse ai ka dosjen origjinale, ka kartelën klinike origjinale, i ka të gjitha.

 Kryeparlamentari Ruçi: Replika mbaroi, nuk ka asnjë sekondë. Berisha ulu poshtë.

Basha: Rama refuzon të bëjë kontrollin, erdhi i droguar në Kuvend

Pas akuzave të ndërsjella mes kryeministrit Edi Rama dhe ish-kryeministrit Sali Berisha në Kuvend, ka reaguar edhe kreu i PD, Lulzim Basha. Gjatë fjalës së tij, Basha tha se Rama erdhi në Kuvend në gjendje të rënduar psikike dhe refuzon të bëjë kontrollin për drogë dhe testin mendor. Lulzim Basha:. “Shfaqja e shëmtuar e një njeriu të droguar ka vetëm një shpjegim. Ai nuk donte të vite ne Kuvend, por me pas erdhi në gjendje të rënduar psikike. Kemi një njeri që refuzon të bëjë kontrollin e drogës dhe testin mendor. Ai paraqitet në një gjendje të rënduar psikike.

Rama ironizon Palokën: Shshshshshshshs….thththththththt…..

Gjatë kohës që kryeministri Rama fliste në Kuvend, nënkryetari i PD, Edi Paloka fliste nga vendi. Ndërsa Rama i ka kërkuar atij të pushonte, por në një mënyrë tepër ironike. Rama: Shshshshshshshs….thththththththt…..Akuza jote se unë paskam paguar 20 mln dollarë për të takuar Presidentin e Amerikës, rëndon edhe Presidentin e Amerikës, jo mua. Sepse presidenti i Amerikës dhe çdo zyrtar amerikan e ka të ndaluar. Juve hani përshesh, hani përsheshin e Saliut, keni lugën e Saliut, Lul lugën dhe juve në lugë jeni. Ju hani përshesh dhe nuk ka rëndësi se është SH se është TH pak rëndësi ka.

Vasili kundër Manjës: Ulu aty skizofren, budalla. Do na tregosh ti parlamentin

Kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, ka shpërthyer ndaj deputetit të Partisë Socialiste, Manja. Teksa Vasili u ngrit dhe po bëhej gati të merrte fjalën, socialisti u ngrit dhe po fliste nga vendi. Në këtë çast Vasili iu kthye duke i thënë: “Ulu aty mos na çaj tr*pin, mos na çaj b*thën. Ulu aty skizofren, budalla. Ulu aty do na tregosh ti sallën e parlamentit. Po rroj me frikën tënde unë. Ik ore ik.” – tha Vasili.

Zbulohet CV-ja e “gjeniut” të Ramës, brenda 3 vitesh Cakaj kreu dy Mastera e një Bachelor

Edhe pse ishte në detyrën që prej muajit gusht të vitit 2018, CV-ja e zv.ministrit të Jashtëm, Genti Cakaj ishte mbajtur e ‘fshehur” për publikun. I cilësuar nga Edi Rama si “gjeni”, djali nga Kosova i datëlindjes 1990 në curriculumin e tij tregon se është zotërues i 5 diplomave. Cakaj është diplomuar në vitin 2012 për filozofi në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Prishtinës. Ndërkohë që në vitin 2016 sipas CV-së tij ai ka mbaruar studimet edhe në Fakultetin e Drejtësisë. Po ashtu sipas CV-së tij, Gent Cakaj thekson se ka përfunduar tre mastera jashtë vendit, në një Belgjikë në vitin 2014 dhe 2017 dhe një master në Hungari në vitin 2015. Ndërkohë që pikëpyetje mbetet fakti se si e ka përfunduar shkollën 3-vjeçare të Drejtësisë në Prishtinë, ndërkohë që ka qenë jashtë vendit. Pra nëse Cakaj është diplomuar në vitin 2016, logjikisht duhet ta ketë nisur universitetin në vitin 2013 në Prishtinë, pra ciklin 3 vjeçar në Bachelor. Ndërkohë që ai shkruan në CV që ka përfunduar studimet master në 2015 në Hungari dhe në Belgjikë në vitin 2014. Ndërsa në fillim të CV-së zyrtare, ai shkruan se studimet në Belgjikë i ka përfunduar shkëlqyeshëm në vitin 2017. “Në vitin 2017, Gent Cakaj ka marrë gradën Master Shkencor në Filozofi, duke u diplomuar me rezultate të shkëlqyera nga Universiteti i Leuven-it në Belgjikë, Qendra për Metafizikë, Filozofi të Religjionit dhe Filozofi të Kulturës të Institutit të Filozofisë të këtij universiteti. Gent Cakaj mban edhe katër diplomime të tjera në fushat e filozofisë, drejtësisë dhe shkencave politike. Ai është diplomuar me titullin Master në shkencat politike nga Universiteti i Evropës Qendrore në Budapest, Hungari (2015) dhe me gradën Master i Filozofisë nga Instituti i Filozofisë i Universitetit të Leuven-it, në Belgjikë (2014)”, thuhen në CV e Gent Cakajt. Ndoshta zv.ministri i Jashtëm është ngatërruar më datat, por kjo mbetet për t’u sqaruar.

CV e Genti Cakajt

Zëvendësministër me kompetenca të deleguara për ushtrimin e detyrës së Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme. Gent Cakaj ka lindur në Prishtinë, më 6 korrik 1990. Gent Cakaj është shkolluar në Kosovë, Belgjikë dhe Hungari. Në vitin 2017, Gent Cakaj ka marrë gradën Master Shkencor në Filozofi, duke u diplomuar me rezultate të shkëlqyera nga Universiteti i Leuven-it në Belgjikë, Qendra për Metafizikë, Filozofi të Religjionit dhe Filozofi të Kulturës të Institutit të Filozofisë të këtij universiteti. Gent Cakaj mban edhe katër diplomime të tjera në fushat e filozofisë, drejtësisë dhe shkencave politike. Ai është diplomuar me titullin Master në shkencat politike nga Universiteti i Evropës Qendrore në Budapest, Hungari (2015) dhe me gradën Master i Filozofisë nga Instituti i Filozofisë i Universitetit të Leuven-it, në Belgjikë (2014). Studimet universitare i ka kryer për drejtësi në Fakultetin Juridik të Universitetit AAB në Prishtinë (2016), si dhe studimet për filozofi në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Prishtinës (2012). Gent Cakaj ka një ekspertizë të thellë në Analiza Politike dhe Politika Krahasuese, në Filozofi Moderne dhe Metafizikë, për të cilat është certifikuar nga Universiteti i Evropës Qendrore në Hungari dhe nga Universiteti i Leuven-it në Belgjikë. Gjatë viteve të shkollimit, Gent Cakaj është angazhuar si konsulent dhe analist për çështje politike, si dhe është autor e bashkë-autor i disa punimeve në këto fusha, botuar nga shtëpia botuese e Universitetit të Pitsburgut në SHBA (2016) dhe së shpejti edhe nga shtëpia botuese prestigjioze Brill (2019).