Dako: Vizioni ynë për fshatin, prodhimi bio dhe një qendër grumbullimi

78
Kryetari Frymës së Re Demokratike, z. Bamir Topi, ka zgjedhur fshatin Radë të Manzës për të shprehur mbështetjen për kandidatin e Aleancës për Shqipërinë Europiane për Bashkinë e Durrësit, z. Vangjush Dako. Në fjalën e tij, z. Topi ka theksuar rëndësinë e madhe që ka ndarja e re administrative-territoriale për zhvillimin e qyteteve, por edhe të fshatrave. Me këtë ndarje ka theksuar ai, prodhimi bujqësor do të marrë një zhvillim më të madh dhe do të orientohet drejt tregjeve europiane. Kreu i FRSH-së i’u ka bërë thirrje mbështetësve dhe simpatizantëve të forcës politike që ai drejton, për të votuar nr. 32 për këshillin bashkiak, dhe Vangjush Dakon për kryetar bashkie. 
“Partitë politike brenda koalicionit luftojnë në mënyrë shumë luajale për këshillat bashkiake,” tha ai. “Do të thoja që juve votoni nr. 32 dhe këtë e them si kryetar i FRD-së, por kur të vijë puna për kryetarin e bashkisë, votoni për zotin Dako që ai të jetë kryetari i bashkisë së madhe të Durrësit. Me ndarjen e re territoriale në një vend të vogël sikurse është Shqipëria, kjo mbetet zgjidhja më e mençur e arritur. Ndarja e re administrative, jo vetëm që i sjell më afër njerëzit me njëri-tjetrin, por i jep kryetarëve të bashkive një përgjegjësi më të madhe në ushtrimin e detyrës së tyre,” – ka thënë Topi në këtë takim.
Ndërsa Vangjush Dako ka shpalosur për pjesmarrësit në këtë tubim Vizionin për zhvillimin e fshatit. “Ka ardhur koha që përsa i përket kultivimit të produkteve bujqësore, fermerët të kthejnë vëmendjen drejt prodhimeve bio aq të kërkuara në tregjet europiane,” – tha ai, duke theksuar se, “vetëm në këtë mënyrë ne do të jemi konkurues në rajon”.
Gjithashtu, në projektin e tij për zhvillimin e zonave rurale, bën pjesë edhe ndërtimi i një qendre të madhe grumbullimi, e cila do të ofrojë edhe mundësinë për eksportin e produkteve bujqësore. Në konceptin modern, fermerët nuk duhet të merren me shitjen e produketeve bujqësore, por vetëm me prodhimin e tyre, – tha më tej ai. “Sot, ne duhet t’i orientojmë të gjithë fermerët drejt serave, drejt perimeve, drejt prodhimit bio, të cilat i mungojnë Europës. Dhe ne mund të jemi konkurrues në ato tregje, duke konkurruar edhe me vendet fqinje, nëpërmjet gjetjes së tregjeve të sigurta në perëndim me çmime të larta që mund të japin fitime më të mëdha. Do të ndërtojmë një pikë grumbullimi për të mbledhur të gjithë prodhimin në mënyrë që ai të shitet brenda apo të shkojë për eksport. Synimi ynë është që fermerët të mos merren më më shitjen e prodhimeve bujqësore por vetëm me prodhimin e tyre”, tha Dako.