Dako në Porto Romano: Mbajmë premtimin, brenda javës fillojmë ndërtimin e rrugës së re

460
Stacioni i radhës i kandidatit të Aleancës për Shqipërinë Europiane në Durrës, Vangjush Dako, ka qenë Porto Romano. Në takimin me banorët e kësaj zone, Dako dëgjoi problemet me të cilat përballen këta banorë në përditshmërinë e tyre, dhe më pas i njohu ata me projektet e zhvillimit jo vetëm të zonave periferike, por të gjithë komunave që i janë bashkëngjitur bashkisë së re të Durrësit pas ndarjes së re administrative-territoriale.
“Do të anullojmë të gjitha faturat e ujësjellësit për të gjitha ato familje që nuk furnizohen me ujë të pijshëm”, theksoi Dako në fjalën e tij gjatë këtij takimi, duke u zotuar gjithashtu se, “brenda javës, do të nisë puna për ndërtimin e rrugës së zonës tuaj dhe ky është një premtim i yni”. “Për të gjithë ata banorë që nuk kanë marrë ujë, ne do të marrim një vendim për t’i bërë zero debitë që ju keni me ujësjellësin. Ky vendim do të merret pasi nuk është vetëm shqetësimi juaj, por është një fenomen që po lind edhe në Ishëm, Rrashbull, Sukth, Katund të Ri dhe Manëz”. Ndërkohë Dako deklaroi se brenda kësaj javë fillon ndërtimi i rrugës dhe ky është një premtim i mbajtur.
Më pas, kandidati i ASHE-s për bashkinë e Durrësit foli për projektet e zhvillimit të zonës së Porto Romanos si dhe të gjitha zonave periferike, pa harruar komunat që i janë bashkëngjitur kësaj Bashkie. “Transformimet që kemi bërë në Durrës dëshirojmë që t’i bëjmë edhe në zonat periferike, si dhe në komunat e reja që i bashkëngjiten Qyetit. Kemi filluar me zonën e ish-Kënetës ose Durrësin e Ri. Kemi ndërtuar gjithë ato rrugë në këtë zonë duke ndërtuar një qytet të ri. Këtë model do të ndjekim në të gjithë zonat e Durrësit”, tha ai. “Problemi sot është se kujt do t’i besojnë banorët drejtimin e bashkisë së re. Votat duhet të jenë për atë që zgjidh problemet e që punon më mirë,” – tha Vangjush Dako.
Sigal