Dako me pedagogë: Terrene sportive përqark kampusit universitar

435
Vangjush Dako ka vijuar takimet e tij me një bashkëbisedim me pedagogët e Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Në këtë takim, kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane ka theksuar edhe një herë faktin së Universiteti i Durrësit është një aset tepër i rëndësishëm në jetën e qytetit, prandaj që në krye të herës, bashkia ka vënë në dispozicion të kampusit universitar truallin e nevojshëm për ndërtimin e këtij institucioni, si dhe lejet e nevojshme të ndërtimit. Ndërkohë, ai është angazhuar për mbështetje konkrete edhe për ndërtimin e terreneve sportive me mbështetje financiare nga bashkia.“Do të vazhdojmë përpjekjet në maksimum për të ndihmuar Universitetin, madje do të financojmë me fondet e bashkisë ndërtimin e terreneve sportive në kampusin universitar”, ka thënë Dako.
Më tej, kryebashkiaku i qytetit bregdetar ka shtjelluar vizionin e tij për realizimin e disa projekteve shumë të rëndësishme të cilat synojnë zhvillimin ekonomik të Durrësit, siç janë ato për ndërtimin e resorteve turistike elitare në Gjirin e Lalëzit, ndërtimi i plazhit të ri në Currila si dhe projektet që do të realizohen në plazhin e vjetër, i cili konceptohet si një plazh masiv për pushuesit shqiptarë, si dhe turistëve nga Kosova dhe Maqedonia. ”Kemi menduar që zonën e Gjirit të Lalëzit ta ruajmë si një zonë të virgjër, vetëm për resorte turistike me kapacitete të mëdha shtretërish dhe zonën tjetër të plazhit, ta rikuperojmë të gjithë për të mundësuar zhvillimin e turizmit masiv, si për shqiptarët e Shqipërisë, ashtu dhe për ata të Maqedonisë dhe Kosovës”, tha Dako. 
Gjithashtu, projekte shumë të rëndësishme, ka thënë Dako, janë edhe ndërtimi i dy shesheve brenda në qytetin e Durrësit, njëri përpara hyrjes së portit detar, dhe tjetri, te Mauzoleu i Dëshmorëve. Dako shpjegoi për bashkëbiseduesit konceptet e projekteve për ndërtimin e dy shesheve shumë të mëdhenj. Këto janë pjesë e vizionit tonë, tha më tej Dako, për sistemimin e shesheve të reja, si pjesë e transformimit të gjerë urban, me fokus hapësirën publike, vijën bregdetare dhe zonat portuale. “Sheshi përpara portit ku sot gjendet lulishtja”, tha ai, “do të transformohet në një shesh, i cili do të jetë një vepër arkitekturore, ndoshta më e bukurën në rajonin ku ne bëjmë pjesë”. Ky projekt për riorganizimin e këtij Sheshi me projektet përgjatë vijës bregdetare, do ta shndërrojë atë në një port me destinacion kryesisht turistik. “Ky projekt ka si qëllim, jo vetëm ofrimin e mjediseve për pushimin dhe çlodhjen e banorëve të qytetit më të madh bregdetar në vend, por edhe krijimin e një modeli për tërheqjen e tursitëve dhe vizitorëve vendas dhe të huaj”, theksoi Dako. Ndërkohë, sheshi tjetër që do të ndërtohet është Sheshi publik “Drejtësia”, te Mauzoleumi i Dëshmorëve, me ndërtesat e reja të Gjykatës, Prokurorisë dhe Bibliotekës publike të Qytetit.
Sigal