Basha: Do të ulim taksat dhe stimulojmë biznesin që të hapë vende pune

443
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka vijuar turin e bashkëbisedimit me qytetarët në Maliq, Korçë, Devoll, Ersekë. Zoti Basha është njohur me shqetësimet e tregtarëve dhe banorëve të cilët sot nuk sigurojnë dot as bukën e gojës. Zoti Basha duke shpalosur platformën e tij tha se hapja e vendeve te reja te punës, me qëllim rritjen e konsumit dhe ulja e taksave janë prioritete të tij.
“Ne do i ulim taksat, nuk ka rrugë tjetër. Nëpërmjet uljes së taksave, duhet të hapim punë për njerëzit. Familjeve që s’kanë njeri të punësuar do t’u vihet ndihmë ekonomike. Do ulim taksat, çmimin e energjisë, çmimin e naftës se në kohë krize janë rritur të treja këto dhe e kanë pamundësuar biznesin që të punësojë njerëz. Po vjen ora e llogarive me popullin. Ku i kanë vendet e punës? Ku i kanë taksat e ulura? Ku i kanë çmimet e ulura? Me stilin e tyre tipik të një organizate kriminale kishin çuar para dy ditësh edhe ministrin të na kërcënonte kandidatin tonë, për një arsye të vetme. Sepse e dinë që Viktor Duro është fitues me votën e të djathtëve e të majtëve”, tha Basha.
Në qytetin e Pogradecit, zoti Basha mori pjesë në prezantimin e platformës së kandidatit për kryetar bashkie Eduart Kapri. Ulja e taksave, rritja e mundësive për punësim dhe investimet në funksion të turizmit ishin disa nga pikat e platformës së zotit Kapri. Zoti Basha tha se kanë mbetur edhe dy javë për të kthyer shpresën tek qytetarët e majtë e të djathtë që sot vuajnë nga keqqeverisja.
“Për punësimin nuk flasin, për varfërinë nuk flasin, mendojnë se do ia hedhin, se në 21 qershor ju do të harroni që premtuan punësim e nuk sollën punësim por hoqën njerëz nga puna; që premtuan luftë ndaj varfërisë por sot mjerimi është pesëfishuar sipas vetë statistikave të qeverisë; që premtuan se do të ishin në krah të biznesit duke ua ulur taksat dhe sot ia kanë dyfishuar; se premtuan shëndetësi falas por sot na kanë sjellë korrupsionin me ilaçet. Edhe dy javë për të kthyer shpresën rikthyer vendin në rrugën e një të ardhmeje të sigurt, një ekonomie të fortë për të gjithë ju”, u shpreh Basha.
Sigal