Çdo institucion i ngritur në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë është i paligjshëm

431
Ministri i Drejtësisë, Petrit Vasili: Loja me bordin e menaxhimit të ONM, anashkalimi i institucioneve shtetërore dhe shteti i së Drejtës

-Z. Vasili, pse lindi shqetësimi për t’iu drejtuar me letër krerëve të shtetit për bordin e menaxhimit të ONM?
Shqetësimi im është qartësisht i mirëpërcaktuar në komunikimin që unë kam bërë me personat kyç të shtetit shqiptar dhe lidhet, as më shumë e as më pak, me qartësimin e një instrumenti, të një organizimi, i cili është i përcaktuar qartësisht në Kushtetutën e Shqipërisë dhe Kushtetuta e Shqipërisë ka qenë shumë e qartë dhe shteruese mbi Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM-në siç e quajnë me fjalë të tjera, dhe me përbërjen e tij. Pra është thënë shumë qartë është një operacion ndërkombëtar monitorimi i pranuar nga e gjithë politika shqiptare dhe e votuar konsensualisht, i cili flet për një grup ekspertësh, të cilët do të propozohen nga Komuniteti Evropian, pra BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën drejtimin, pra, kjo gjë do të kihet parasysh dhe do të ketë, edhe për arsye të çështjeve të integrimit, do të jetë kryesisht propozimet te gjitha do të vijnë nga BE-ja me një listë të përbashkët. Ka ardhur kjo listë paraprake, me pesë ekspertë ndërkombëtarë të nivelit shumë të lartë, që plotësojnë të gjitha kërkesat e Kushtetutës dhe ligjit dhe çështja mbyllet këtu. Të gjitha instrumentet e tjera, të cilat ne jemi njohur rastësisht, them rastësisht, sepse unë këtë informacion e kam marrë nga mediat, nuk e kam besuar, por kur kam parë kopjet e dërguara edhe vet, sigurisht, pastaj, ishte e qartë që nuk mund ta vija më në diskutim. Është ngritur edhe një instrument tjetër, i cili është Bordi, i cili ka edhe detyra të përcaktuara që e lidhin me Operacionin e Monitorimit Ndërkombëtar, pasi janë shprehur në detyrat e Bordit, ku flitet për pjesë të shërbimit diplomatik, pasi ambasadori që ju cituat nuk janë pjesë e përhershme. Pjesë e përhershme janë persona të tjerë: zëvendësshefa misionesh etj. Njëkohësisht është folur edhe për interlokutorë që janë punonjës të ambasadave të caktuara. Këto instrumente nuk janë parashikuar në Kushtetutën e Shqipërisë dhe shqetësimi është që të ngremë organizma të cilat përputhen me Kushtetutën. Pastaj se cilat janë vetë lehyësuesit, ata që ndihmojnë projektin, që janë sigurisht ndihmës të karakterit për t’ia lehtësuar punën, logjistika që duhet, vënien në dispozicion të çdolloj dokumenti pa asnjë kufizim, në mënyrë që puna e tyre të jetë shteruese për të vlerësuar çdo rekord ngado që të vijë, brenda dhe jashtë vendit, kjo është një çështje tjetër. Për shërbimin e përkthimit, për shërbimin e sistemimit, zyrat dhe çdo gjë që ua bën punën tërësisht të qartë, të lehtë dhe të mundshme për t’u realizuar, këto janë elemente të karakterit teknik, por nuk ka organizma të tjera, sepse çështja e Bordit është një koncept tjetër dhe nuk ka lidhje me Kushtetutën dhe nuk është kërkuar asgjë më shumë se sa të qëndrojmë në instrumentet kushtetues, të cilat i kemi gjithëpranuar konsensualisht dhe të ecim në këtë rrugë pasi në çdo lloj dyzimi, organizimi paralel, apo keqkuptimi, nuk do të hidhte dritë më shumë, por do të shtonte besoj edhe hijet, e do të shtonte edhe problematikat, pasi OMN komunikon çdo gjetje që ka me Komisionin e Rivlerësimit Paraprak, dhe i cili sigurisht që është i detyruar të reflektojë për gjetjet përkatëse dhe kjo rrugë kushtetuese pra, dhe informacioni që kalon pikërisht këtu e për këtë informacion nuk ka akses kurrkush tjetër në shtetin shqiptar, as Presidenti, as Kryetari i Parlamentit, as Kryeministri, as ministri i Drejtësisë dhe as kurrkush tjetër, pra ky informacion i shkon këtij komisioni që ka për detyrim të reflektojë mbi gjetjet, kjo është edhe rruga e thjeshtë, e qartë dhe kushtetuese që reflektohet jo vetëm në Kushtetutë por edhe në ligjin përkatës për vettingun, në nenin 7, në pikat 5, 6 dhe 7, të cilat qartësojnë pikërisht këtë situatë. Besoj se situata ka qenë e qartë, që tregon qartë një mbështetje të plotë dhe gatishmëri totale për të krijuar gjithë mundësitë, pra për t’i paraprirë procesit, por sigurisht duke qenë shumë rigoroz në kushtetutshmërinë dhe ligjin, pasi e shkuara negative e interpretimeve jokorrekte dhe krijimi i organizmave të tilla, nuk do të na bënte gjë tjetër veçse do të na riciklonte problematika dhe dritëhije të cilat besoj nuk i shërbejnë një reforme e cila ka marrë vendime të forta, por që i shërben në radhë të parë dhe mbi të gjitha transparencës. Transparencës në funksionim dhe transparencës në zbardhjen e çdo gjëje të errët që mund të ketë në rekordet e gjyqtarëve dhe prokurorëve të këtij vendi, të cilët pas këtij procesi vettingu do të marrin vlerësim objektiv, jopolitik dhe të drejtë, duke vazhduar të jenë pjesë e sistemit ose të përjashtohen nga ky sistem në rast se këto rekorde e bëjnë të patolerueshme sjelljen e tyre.

A keni marrë përgjigje nga kryeministri dhe kryeparlamentari, pasi presidenti iu përgjigj shqetësimit tuaj?
Të jemi të qartë, unë kam ngritur shqetësime dhe unë nuk pres përgjigje, pasi nuk kanë pse më përgjigjen mua, pasi është një çështje që institucionet e interesuara, ata që do të merren me vënien, nuk është Ministria e Drejtësisë që do të zbatojë ligjin e vettingut, në asnjë rast. Nuk ka asnjë rol as në Kushtetutë dhe as në ligj, apo një pikë ku Ministria e Drejtësisë është ajo që bën pjesë apo ka rolin e saj. Nuk ka asnjë rol, është jashtë procesit. Konstatimi i një problematike të tillë është që unë bie në vëmendjen e tyre një problematikë, të cilën, mënyrën, formën dhe reflektimin duhet ta gjykojnë ata. Dakordësia politike, në qoftë se do të duhet të jetë një e tillë, apo sqarimet që ata do të duhen të kërkojnë, pasi komunikimi midis BE-së ka qenë dhe në Kushtetutë përcaktohet se komunikimi mes BE-së dhe qeverisë shqiptare për të komunikuar kandidatët që do të jenë në Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, pesë prej të cilëve janë paraqitur, dhe për të stabilizuar më tej qartësi në këtë proces. Kështu që, nuk kam as pse kërkoj dhe as pse pres ndonjë përgjigje. Shqetësimin e kam paraqitur, në qoftë se është një shqetësim që ata e vlerësojnë, pasi bëhet fjalë për Kushtetutën dhe për ligjin përkatës, i cili duhet të jetë shembulli i parë dhe më i mirë, oguri më i mirë që do të bënim ishte ta respektonim dhe zbatonim pikë për pikë edhe atë. Ky do të ishte besoj mesazhi i parë që japim për një drejtësi të re, të reformuar dhe mesazhi, apo sensibiliteti që unë u përpoqa të krijoj qëndron këtu. 
Nuk ka vend as për interpretime, nuk ka nevojë të flasim as për patriotizma, as për sovranitete. Kemi dakordësi politike me 140 vota në Parlament, për një dokument themelor siç është Kushtetuta dhe për një ligj siç është vettingu. Të zbatojmë me saktësi e me korrektësi dhe procesi jo vetëm do të jetë me integritet të plotë dhe i pacenueshëm, por sigurisht, edhe shqiptarët me të cilët kemi pasur një dialog të madh, gjithmonë është folur për ndjeshmërinë e publikut. Domethënë besojmë plotësisht se nuk do ta diskutojnë këtë proces dhe do ta konsiderojnë këtë fillimin e një pastrimi të madh e cila ka probleme.
Z. Majko nuk i duhet shumë dramatike të shkelet kushtetuta, pasi kur bëhet fjalë për të huaj, mund të bëhen tolerime?
Nuk e shikoj as dramatike dhe as komike. Kushtetutën të cilën komisioni pati përgjegjësinë dhe meritën edhe historike t’ia propozonte Kuvendit, me të gjitha përcaktimet që ajo thotë, e kemi votuar të gjithë së bashku. Të gjithë anëtarët e Komisionit të maxhorancës por edhe gjithë anëtarët e komisionit të opozitës dhe, që ta respektojmë, Kushtetuta nuk na thotë gjë se kë duhet të tolerojmë dhe kë nuk duhet të tolerojmë. Është një dokument themelor, për të cilin të gjithë ata që e shkelin, besoj është një nga shkeljet më të patolerueshme në shtetin shqiptar. Kushdo që e shkel, që nga President Republike e gjithë të tjerët është një gabim i pafalshëm dhe unë nuk po bëj asgjë më tepër se sa po ngre dhe po sensibilizoj për Kushtetutën, që të cilën e kemi miratuar bashkë, unë, z. Majko dhe gjithë të tjerët për ta votuar e për të cilën patëm mirësinë që 140 kolegë në Parlament ta votojmë të gjithë së bashku në një votim që është pak ta quash historik, pasi vështirë të shohim prapë një votim me 140 vota në parlamentin e Shqipërisë.
Keni një koment për letrën të drejtuar nga z. Xhafaj për KED?
Së pari, unë nuk kam asnjë komunikim për këtë letër. Jam njohur sikurse edhe ju nga media dhe sigurisht që njohja është relativisht e kufizuar, pasi nuk kam ndonjë komunikim formal. Z. Xhafaj i është drejtuar atyre që i ka gjykuar të arsyeshme. Unë personalisht, ky është një opinion personal në respekt të pyetjes tuaj, kamë ndjekur përpara se sa z. Xhafaj të shprehej, pasi ka pasur vërejtje që kanë ardhur nga tjetër kund për këtë çështje. Kam dëgjuar të gjitha shpjegimet që Kuvendi i Shqipërisë ka dhënë për çështjen, sipas edhe sqarimeve që Kuvendi ka marrë nga institucionet përkatëse, pasi Kuvendi i Shqipërisë nuk është institucioni që e interpreton hartimin e listave, interpretimi dhe përpilimi i listave apo edhe ankimimi i tyre është përgjegjësi e secilit institucion përkatës, Gjykatës së Lartë, e cila përmendet në letrën e z. Xhafaj, Gjykatës Kushtetuese, Prokurorisë etj. Kuvendi i Shqipërisë ka kryer, në bindjen time të plotë, një proces thellësisht transparent, shembullor. E kam konsideruar edhe ditë përpara në intervistë me kolegë të tjerë tuaj, si një ogur i mirë për startimin e shpejtë dhe transparent të Reformës në Drejtësi.
Të gjitha shpjegimet që Kuvendi i ka sjellë publikut për atë që institucionet e tjera kanë bërë, thjeshtë për ta sqaruar sepse nuk ka qenë detyrë e Kuvendit për të bërë këtë vlerësim, ka qenë tërësisht shteruese dhe në respekt të plotë të Kushtetutës dhe të normave të cilat rregullojnë pjesët e tranzicionit. Kjo pasi ka pjesë të përkohshmërisë të Kushtetutës dhe pjesë që ishin për rregullimin definitiv të institucioneve, dhe në këtë pikëpamje, në bindjen time personale, është një proces i cili është plotësisht korrekt nga ana ligjore dhe Kushtetuese. Kemi dy çështje për të qëndruar, së pari një provë e integritetit të procesit. Ky proces nuk është ankimuar nga dikush, pasi të drejtën e ankimimit e kishte dhe e gëzonin të gjithë të interesuarit dhe, sigurisht, kurrkush nuk mund t’i ndalte që mund ta bënin diçka të tillë dhe kjo është një provë shumë e fortë dhe e pakapërcyeshme pasi ankimimet që vijnë nga të tjerët janë relativisht edhe të pa kuptueshme.
Ndërsa për sa i takon pjesëve të tjera, më duket një debat post faktun, pasi edhe ligjet edhe dispozitat tranzitore dhe afatet e vëna në Kushtetutë me data, pasi në qoftë se ka evazitivite ligji, kjo nuk është as detyrë e Kuvendit të Shqipërisë dhe as institucioneve përkatëse. Ka qenë detyrë e ligjvënësit që nëse do të kishte nevojë që të ishte më i qartë, më i gjerë në afate etj, pasi ne jemi dëshmitarë që disa afate janë shkelur për pamundësi objektive për t’u ushtruar siç qe e drejta e Presidentit, këto janë atribute të ligjvënësit, nuk janë atribute të atyre që zbatojnë ligjin.

A e cenon besueshmërinë e reformës fakti, që dy institucionet e reja të sistemit të drejtësisë po ngrihen në shkelje të Kushtetutës?
Së pari, konsensusi reformën në drejtësi nuk vihet në diskutim në asnjë rast për një arsye shumë të thjeshtë, qoftë ngritja e Këshillit të Emërimeve, hedhja e shortit etj, ishte një proces i cili u zhvillua në mënyrë transparente dhe në respekt të plotë të ligjit. Interpretimet, ankimimet etj, apo sensibiliteti janë një çështje tjetër që nuk kanë lidhje me integritetin e procesit. Së dyti, edhe për Vetting-un besojë se jemi në rrugën e duhur. Kandidaturat, të cilat duhet të paraqiten për të ngritur ONM kanë ardhur. Të pestë ekspertët, vëzhguesit, dy amerikan dhe tre evropian të cilët përmbushin plotësisht kërkesat e ligjit dhe të Kushtetutës së Shqipërisë. Kërkesa ka qenë për një qartësim jo për këtë grup, ONM-ja është korrekt, por për të evituar konfuzionet që kanë lidhje me këto organizma të tjera të cilat Kushtetuta nuk i parasheh siç është çështja e bordit të monitorimit, i cili është një organizëm i pa qartë, pa një raport ligjor të qartë mes tij dhe Operacionit të Monitorimit, dhe që në bindjen tonë, Operacioni i Monitorimit do të kishte dhe ka nevojë thjeshtë dhe vetëm për një mbështetje të karakterit logjistik, në mënyrë që ai të funksionoi në mënyrë sa më komode dhe të plotë, dhe asgjë tjetër. Pra të dy themelet e procesit nuk e zhbëjnë apo e lëkundin, pasi janë në rrugën e tyre. Sigurisht duke qenë një proces sapo i filluar.
Vullneti i mire, konstruktiviteti dhe dëshira për ta bërë reformën sot janë në provë. Çdo pengesë që do t’i krijohej kësaj reforme do të ishte një provë e një vullneti jo të mirë. Pasi një konstruksion i ri ligjor, tërësorë, pasi Kushtetuta është prekur gjerësisht në funksion të drejtësisë, por edhe ligjet e tjera që e kanë pasuar, kërkojnë sigurisht vullnet të mirë, vështrimin në pikëpamjen parimore të çështjeve, jo në pikëpamje individuale dhe ky vullnet i mirë dhe bindja që kemi, një drejtësi të cilën duhet ta shndërronin sa më parë, sigurisht i zhbllokon dhe çdo lloj problematike që mund të lindi në implementim e sipër. Një vullnet i kundërt dhe personalizimi i çështjeve sigurisht nuk do ta ndihmonte procesin.
Sigal