Buxheti i Bashkisë Tiranë, PD: Votim i paligjshëm, Veliaj shkeli rregulloren

189
Partia Demokratike e konsideron të pavlefshëm miratimin e Buxhetit të Tiranës pasditen e së enjtes edhe pse për të votuan 32 këshilltar, tre nga PDIU dhe 2 nga LSI
Të enjten pasdite Këshilli Bashkiak i Tiranës, votoi me 32 vota miratimin e buxhetit për vitin 2018. Nga salla para se të hapej votimi u larguan këshilltarët e Partisë Demokratike dhe ata të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Por, ndonëse LSI dhe PD nuk u bënë pjesë e votimit, PS arriti që të tërheqë pas vetes së saj edhe dy anëtarë të Këshillit Bashkiak nga radhët e LSI-së. Për këtë tërheqje, LSI-ja nuk ka dhënë asnjë koment, ndërsa është shprehur se ajo nuk do të bëhet pjesë e asnjë vendimi të Këshillit Bashkiak, i cili bie ndesh me të drejtat e qytetarëve. Ditën e djeshme për këtë qëllim reagoi edhe Partia Demokratike. Kreu i këshilltarëve të djathtë, Kreshnik Çollaku u shpreh se Këshilli Bashkiak ka shkelur Rregulloren për miratimin e 2 vendimeve korruptive, ku së pari bëhet fjalë për një favorizim të paligjshëm të një biznesi taksish, në shkelje të konkurrencës dhe së dyti zëvendësimi i palmave (600 mijë euro) me pisha është aferë korruptive prej 2.5 milionë euro, ku vetëm 1 pishë kushton 5 milionë lekë. Çollaku ka pohuar se PD nuk u bë pjesë e farsës në favor të oligarkëve dhe në ditët në vijim pritet të zbardhen aferat. Sipas Çollakut, asnjë këshilltar, jo vetëm të opozitës, por edhe një pjesë e mirë e maxhorancës nuk ishin në dijeni të këtyre projektvendimeve dhe për këtë shkak u tentua me forcën e kartonëve në mënyrë abuzive që ato të kalojnë në mënyrë të dhunshme duke thyer çdo etikë, çdo kod, çdo respekt të mandatit të këshilltarëve, çdo procedurë të ndjekur deri më sot. “Këshilltarët PD nuk mund të bëjnë pjesë e kësaj fasade, nuk mund të bëhen pjesë e këtij krimi që po u bëhet qytetarëve të Tiranës ndaj kemi refuzuar këtë teatër të shëmtuar sepse në fund të fundit siç thuhet në fjalët e urta; turpin çdo njeri e ka për vete. Këta njerëz që abuzojnë me mandatin dhe besimin e qytetarëve të Tiranës dhe votuesit e tyre, në mos paçin turp nga qytetarët e Shqipërisë, të kenë turp para atyre njerëzve që i kanë votuar dhe besuar dhe sot detyrohen të paguajnë tekat e tyre, korrupsionin e tyre me taksa të shtrenjta, të cilat çdo familje e Tiranës do të fillojë t’i provojë në kurriz. Beteja jonë do të vazhdojë, do të denoncojmë, do të monitorojmë, por ne nuk mund të bëhemi as fasadë dhe as makijazh i kësaj historie të turpshme e mafioze ku vetëm mënje të mbrapshta mund të provojnë historira të tilla të abuzimit flagrant me fondet dhe me mundimin e qytetarëve”. Kreshnik Çollaku pohoi se mbledhja e Këshillit Bashkiak ishte teatër, ndërsa theksoi se kjo ishte edhe arsye se pse braktisën sallën. Ai tha se kryeqyteti është pa buxhet, pasi mbledhja e së enjtes nuk merret parasysh. “Dokumenti i prodhuar nga administrata e bashkisë kishte mungesa ligjore. Dhe duke u nisur për të bërë një debat serioz, gjetëm një sallë të manipuluar dhe individë që ishin ulur në karrige, por pa sjellë asgjë për qytetarët. E lamë sallën, por jemi të ndërgjegjshëm karshi atyre që na kanë votuar. Shfaqja e Veliajt para një trupe këshilltarësh, që mund të ishin miqtë e tij, ishte një shfaqje. Aktualisht Tirana është pa buxhet”, tha Çollaku. Po gjatë ditës së djeshme ka reaguar një tjetër anëtar i këshillit bashkiak Tiranë. Fabian Topollaj, është shprehur se PS e mori vendimin në mënyrë të paligjshme. Pasi sipas tij, pesë nga anëtarët e rinj të Këshillit Bashkiak që kanë zëvendësuar deputetët, nuk kanë marrë kuorumin e nevojshëm për të qenë në atë vend. Për Topollajn dhe Çollakun, çështja është shumë e rëndë dhe për këtë ata shprehen se do të ndërmarrin të gjitha hapat e duhur për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve.