Edi Rama: “Pushteti buroi nga populli dhe do i shërbejë atij”

640
Sigal

Kryeministri i zgjedhur i Aleancës së Majtë shpalli emrat e ministrave që do të përbëjnë kabinetin e ri qeveritar

Kryeministri i Zgjedhur Edi Rama publikoi dje  emrat e ministrave të rinj të kabinetit të drejtuar prej tij. Në qeverinë e re, aleati i PS, LSI-ja merr 5 ministri. Ajo që ra në sy është se asnjë nga aleatët e tjerë, sikurse PBDNJ-shi dhe partia e Mark Frrokut nuk kanë poste ministrore në qeverisjen e Ramës, edhe pse, sipas marrëveshjes të bërë, kushti i pjesëmarrjes në qeverisje ishte për ato parti që merrnin deputetë, do të kishin post ministror. Gjithashtu, edhe Milo e Gjinushi, që kanë marrë mbi 10.000 në shkallë kombëtare nuk kanë asnjë post ministror. Edhe Spartak Ngjela, i cili kohë më parë kishte deklaruar se do të jetë ministri i Drejtësisë, nuk iu dha asnjë post në qeverisjen e re. Sipas kryeministrit të zgjedhur, Edi Rama, “Qeveria e Re në nivelin e saj të parë do të jetë mishërim i boshtit strategjik të “Aleancës për Shqipërinë Europiane”; I vizionit tonë të përbashkët politik për t’i dhënë më shumë hapësirë grave dhe më shumë përgjegjësi më të rinjve; I vullnetit tonë qytetar për të përfshirë në qeverisje edhe shoqërinë civile; I programit tonë qeverisës për të ecur më shpejt në rrugën e një Rilindjeje Shqiptare. Qeveria e Re nuk do të jetë tribuna tradicionale e dukjes së pushtetit, po tryeza e punës së palodhur, për të justifikuar me përkushtimin më të madh pritshmëritë e jashtëzakonshme të popullit shqiptar, ndaj nesh si aleancë dhe ndaj meje vetë si kryeministër. Qeveria e Re është mishërim i përgjegjësisë për ndarjen sa më mirë të detyrave brenda shumicës plebishitare të 23 qershorit. E cila do të ketë vetëm një pjesë të vetën pa mandat deputeti në ekzekutiv, ndërsa pjesën tjetër me mandatin e fortë të 23 qershorit në sallën e Kuvendit, për të kthyer në ligj reformat e Rilindjes.  Qeveria e Re është fryt i një dialogu intensiv me partnerin strategjik, kryetarin e LSI, që dua ta falenderoj për frymën shumë konstruktive të bashkëpunimit për formimin e kabinetit të ri qeveritar dhe ndarjen e përgjegjësive mes ekzekutivit dhe legjislativit. Kemi punuar së bashku me qetësi e durim për të ndërtuar një grup njerëzish të përshtatshëm për idenë e një qeverie që duhet të punojë si skuadër, nga dita e parë në ditën e fundit. I jap shumë rëndësi këtij momenti dhe e nënvizoj, qeverisja që duam do të duhet në radhë të parë të mishërojë vlerat e punës në skuadër, përballë sfidave të jashtëzakonshme që duhet t’i fitojmë medoemos për të mirën e shqiptarëve. Këtë duam. Mjaft më me procesin qeverisës të copëzuar në parcela interesash partiake e vetjake ku s’e merr vesh i pari të dytin, e me mandatet qeverisëse ku qeveria bëhet trup i vetëm vetëm për të sharë opozitën në parlament. Të mos e harrojë askush që do të na gjykojë që nga sot e deri ditën e fundit, atë që unë nuk do ta harroj asnjëherë që nga dita e parë e fitores sonë plebishitare: Shqiptarët nuk na votuan për të ndërruar një kryeministër me një tjetër dhe një qeveri me një tjetër. As për të ndryshuar kahun politik të qeverisjes. Shqiptarët na votuan për të ndryshuar rrënjësisht Shqipërinë duke filluar nga ndryshimi i modelit qeverisës; I vijës sjelljes së kryeministrit e të ministrave me publikun e me interesin kombëtar e publik; I raportit me të vërtetën, me votuesit dhe me ligjin.  Për t’i paraprirë këtij ndryshimi qysh në përzgjedhje, është ndërtuar një skuadër me thuajse 90% të njerëzve që ulen për herë të parë në karrigen ministrore, dhe me më shumë gra se ndoshta ç’kanë pasur të gjitha qeveritë e Shqipërisë të marra së bashku në këto njëzet vjet. Për mua këto dy risi të mëdha janë shprehja kuptimplotë e “diktatit të revolucionit të votës” në 23 qershor. Pas pak do të dëgjoni emra që mbase mund të mos prisni t’i dëgjoni apo nuk do të dëgjoni emra që mbase prisni t’i dëgjoni. Do të shihni gra në vende që në një shekull shtet kanë qenë si të dhëna me tapi vetëm për burra, apo do të dëgjoni emra të rinjsh që do të marrin patate shumë të nxehta në dorë. Por gjithçka është e menduar me kujdesin më të madh për t’u gjetur punëve dhe sfidave të mëdha të qeverisjes njerëzit dhe jo njerëzve një punë në qeveri. Për të pasur ministra që në përgjegjësinë e tyre personale do t’i shërbejnë popullit dhe që do të punojnë ditë-natë me një axhendë të vetme: Axhendën e Qeverisë së Re për të ecur më shpejt në rrugën e një Rilindjeje Shqiptare. Por njëkohësisht, në kushtet e ndarjes së mandateve është menduar me kujdesin më të madh, për të mos e zbrazur sallën e Kuvendit nga zërat e përvojës parlamentare dhe për t’i dhënë eksperiencës rolin që i takon në komisionet parlamentare ku do të brumoset dhe marrë formë përfundimtare çdo reformë për rilindjen. Kështu që asnjë ekuivok: Qeveria s’mund të kryejë me sukses misionin e vet, pa një trupë parlamentare që të çojë përpara me ritëm e cilësi procesin legjislativ. Prandaj edhe risia e madhe e ndarjes së mandateve, duhet parë si zanafilla e një transformimi të thellë të ekzekutivit e të legjislativit dhe të vetë marrëdhënies mes tyre. Sidoqoftë, duke e lënë në gjykimin tuaj e të publikut shijen e këtij fryti të parë të punës sonë të pas 23 qershorit, dua t’ju siguroj ju dhe publikun për një gjë: Detyra e kryeministrit do të jetë imja po pushteti do të jetë i popullit dhe nga dita e betimit çdo ministër do të rrijë në detyrë vetëm duke i shërbyer me nder e duar të pastra popullit të vet.

  

Qeveria e re e Shqipërisë  2013 – 2017

 Kryeministër                 Edi RAMA

Zv/Kryeministër  Niko PELESHI  

 1. Ministër i Financave Shkëlqim CANI

 2. Ministër i Brendshëm Saimir TAHIRI

 3. Ministre e Mbrojtjes  Mimi KODHELI

4. Ministër i Jashtëm    Ditmir BUSHATI

5. Ministre e Integrimit Europian  Klajda GJOSHA

6. Ministër i Drejtësisë   Nasip NAÇO

7. Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes   Arben AHMETAJ

8. Ministër i Energjisë  dhe Industrisë    Damian GJIKNURI   

 9. Ministër i Transportit dhe Infrastrukturës  Edmond HAXHINASTO

 10. Ministre e Zhvillimit Urban dhe Turizmit  Eglantina GJERMENI

 11. Ministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit te Ujërave  Edmond PANARITI

12. Ministër i Shëndetësisë  Ilir BEQJA

13. Ministre e Arsimit dhe Sportit   Lindita NIKOLLA

 14. Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë  Erion VELIAJ

15. Ministre e Kulturës   Mirela KUMBARO-FURXHIU

 16. Ministër i Mjedisit  Lefter KOKA

17. Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin  Ilirian CELIBASHI

 18. Ministre për Inovacionin dhe Administratën Publike  Milena HARITO

19. Ministër për Çështjet Vendore  Bled ÇUÇI

Qarqet që kanë ministra.

8 qarqe do të kenë ministra në qeverinë e re të Edi Ramës, ndërsa 4 qarqe nuk do të kenë asnjë ministër, qoftë të PS-së, qoftë të LSI-së. Kështu qarqet e Tiranës, Durrësit, Fierit, Elbasanit, Gjirokastrës, Lezhës, Dibrës dhe Beratit do të kenë ministra. Nga këta, Qarku i Tiranës do të ketë 5 ministra, 4 të PS-së dhe 1 të LSI-së,

Qarku i Durrësit do të ketë 3 ministra, 2 tëLSI-së dhe 1 të PS-së, Qarku i Elbasanit do të ketë 2 ministra, 1 të PS-së dhe 1 tëLSI-së. Qarku i Gjirokastrës do të ketë 2 ministra dhe këta janë të PS-së. Qarku i Fierit do të ketë 2 ministra dhe këta janë të Fierit. Ndërsa qarqet e Dibrës, Lezhës dhe Beratit do të kenë nga 1 ministër.

Qarqet që nuk do të kenë ministra.

Qarku i Vlorës nuk do të ketë asnjë ministër, veçse ky qark ka përfaqësues në qeverisje vetë kryeministrin Edi Rama, i cili u zgjedh deputet nga ky qark. Gjithashtu, qarqet e Korçës, Kukësit dhe Shkodrës nuk do të kenë asnjë përfaqësues të tyre në qeverinë e Ramës në rrangun e ministrit.  Qarku i Korçës do të ketë zvkryeministrin, Niko Peleshi, i cili ka qënë deri tani kryetar i Bashkisë së Korçës, por që nuk është deputet.

 Reagimet e aleatëve të ““Aleancës për Shqipërinë Europiane”

Flasin për “Telegraf”

 Milo: “I uroj sukese qeverisë së re, por nuk më intereson më”

Paskal Milo, kryetari i PDS-së Paskal Milo, i pyetur nga “Telegraf” për të dhënë mendimin e parë për emrat e ministrave të qeverisë “Rama”, u përgjigj në mënyrë lakonike: “U uroj të kenë sukses”. Ndërsa pyetjes, përse asnjë nga aleatët e tjerë të PS-së, përveç LSI-së, nuk janë në kabinetin e ri qeveritar të kryeministrit Rama, kryetari i PDS-së, zoti Milo u përgjigj: “Tani unë jam me pushime, në qejfin tim dhe nuk më interesohem më për asgjë”.  Sipas burimeve konfidenciale që kemi,  zoti Milo u la jashtë kabinetit qeveritar, ndoshta edhe për shkak të refuzimit që i bëri ofertës politike të Metës, para zgjedhjeve të 23 Qershorit, që të bashkohej në LSI. Gjatë verës së kaluar, Meta e ka takuar Milon në shtëpinë e tij të pushimit në Dhërmi dhe i ka ofruar Milos edhe post të lartë drejtues nëLSI, nëse ai pranon të bashkohet me të. Mirëpo Milo, sipas të njëjtave informacioneve të “Telegraf” ka pranuar që të bashkohet në LSI, por të ketë postin e nënkryetarit të LSI-së. Kjo kërkesë e Milos nuk u pranua nga Meta dhe bashkimi i Milos te LSI-ja nuk u realizua.

 Gjinushi: “Nuk kam asnjë fjalë të them, nuk më intereson”

Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, nja nga aleatët më tradicionalë të PS-së, është i vetmi që nuk bëri publike as marrëveshjen me Edi Ramën para zgjedhjeve, por as që shkoi në takimin e fundit të Ramës me aleatët, për të diskutuar rreth pjesëmarrjes së aleatëve në qeverisje. Reagimi i Gjinushit është i dukshëm ndaj Ramës, madje Gjinushi as që mundohet ta fshehë pakënaqësinë e tij ndaj Ramës, me shpërfillje publike. Vetëm pak minuta pasi u publikuan emrat e ministrave të qeverisë së re të Ramës, Gjinushi i pyetur nga “Telegraf” për të dhënë përshtypjen e parë për qeverinë “Rama:, u përgjigj: “Nuk kam asnjë fjalë të them. Nuk më intereson fare”. Ndërsa pyetjes se përse aleatët nuk janë në qeverisje, zoti Gjinushi u përgjigj: “Jam në punën time, më lini rehat”.

 Av. Idajet Beqiri Kryetar i PUK

 “Qeveria e krijuar është tepër premtuese”

Qeverinë dhe qeverisjen nuk i konsideroj “parcelë” që duhet të pjestohet sipas “pjesëve takuese” të “bashkëpronarëve”! Kryeministri Rama e shpalli Qeverinë e re. Kjo Qeveri ka njëherazi edhe fatin e madh, por dhe përgjegjësinë e madhe. Ka fatin e madh sepse ka ardhur në momentin historik kur o sot, o kurrë duhet të Rilind Shqipëria. Ka përgjegjësinë e madhe sepse pritshmëria e shqiptarëve prej saj është aq e madhe, sa nuk ka masë t’a masë. Qeveria e krijuar është tepër premtuese. Këtë e shoh në tërësinë e saj, e shoh si ekip, shohë përfaqësimin e gjerë të grave, që janë nga më dinjitozet, por mbi të gjitha shoh “Kapitenin e Ekipit”! Rama është reformator i madh dhe ekipin e ka zgjedhur në funksjon të realizimit të këtyre reformave të mëdha, për të cilat ka nevojë jetike Shqipëria. Është e vërtetë që fitoren e “Aleancës Për Shqipërinë Europiane” e bëri plebishitare në radhë të parë blloku i madh prej 36 partive politike, i cili është koalicioni më i madhi i krijuar në historinë 23 vjeçare të jetës pluraliste në vend. Kjo ndikoi shumë në psikologjinë e popullit, i cili është i prirur të shkojë andej nga është forca, nga është bashkimi, por edhe 100 mijë vota që i dhanë aleatët “e vegjël” këtij koalicioni, nuk janë pak. Gjithësesi, në se lexohet me vëmëndje vullneti i shqiptarëve në 23 qershor 2013, del qartë se përgjegjësinë direkte dhe pritshmërinë pozitive të ndryshimit të jetës në vend dhe të Rilindjes së Shqipërisë, populli e kërkon drejtpërdrejtë nga Edi Rama dhe nga Ilir Meta. Me këtë rast e ndjejë të domosdoshme t’i “qetësoj” së paku ato 16 parti politike,me të cilat negociova para krijimit të koalicionit, dhe që i afrova dhe i binda se do të ishin në shtëpinë e tyre dhe do e ndjenin veten shumë ngrohtë në “Aleancën Për Shqipërinë Europiane” se kjo qeveri është e jona. Ne do e mbështesim atë me të gjitha forcat dhe mundësitë tona. Sepse ne Qeverinë dhe qeverisjen nuk e konsiderojmë “parcelë” që duhet të ndahet sipas “pjesëve takuese” mes “bashkëpronarëve”!

 OMONIA: Qeveria e re s’ka ministër minoritar, PBDNJ të riorientojë qëndrimin politik

Organizata OMONIA ngre dyshime nëse qeveria e re do të mbrojë minoritetin, pasi në përbërjen e saj nuk ka asnjë ministër minoritar. Pas publikimit të emrave të ministrave të rinj, OMONIA konsideron se PBDNJ-shi duhet të riorjentojë qëndrimin e saj politik.

“Mospërfshirja në mënyrë të drejtpërdrejtë në përbërjen e qeverisë me post ministri, të një pjesëtari të Komunitetit Etnik Grek ndonëse kjo përbën praktikë që nga kalimi normal në demokraci më 1991, për më tepër të propozuar drejtpërdrejt nga Bashkimi për të Drejtat e Njeriut – PBDNJ, është një ogur jo pozitiv. Rezervat tona politike lidhen sigurisht me faktin se sa dhe si forcat që po ndërmarrin qeverisjen e re kanë vullnetin dhe do të punojnë për avancimin e mëtejshëm të të drejtave të Minoritetit Etnik Grek. Kjo në përputhje dhe sipas standardeve të BE kundrejt të cilit dhe procedurave të përafrimit të mëtejshëm integrues në të, Qeveria Shqiptare është e angazhuar. Zhvillimet e ditës së sotme, sidoqoftë, ngrenë pikëpyetje serioze dhe hedhin hije mosbesimi.”- thuhet në deklaratën e OMONIA-s.

   Lëvizja LGBT përshëndet 3 ministrat, Veliaj, Gjosha dhe Kumbaro

 Lëvizja LGBT në Shqipëri po ndjek me shumë vëmendje zhvillimet e qeverisë

së re, në kuadër të nismës “Mendo Politikisht”. Përshëndesim praninë në qeverinë e re të z. Erion Veliaj si ministër i
Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, të znj. Klajda Gjosha si ministre të
Integrimit dhe të znj. Mirela Kumbaro si ministre të Kulturës. Ne jemi shumë optimistë se do të mund të punojmë si partnerë seriozë të
shoqërisë civile me ministrin e ri z. Veliaj. Angazhimi i tij i mëparshëm
si një i ri me guxim dhe mendjehapur i shoqërisë civile na jep më shumë
shpresa se do të jetë një ministër energjik dhe po aq mendjehapur. Përfitojmë nga ky rast që jo vetëm ta urojmë z. Veliaj, por edhe t’i
shprehim gatishmërinë tonë për të punuar bashkarisht për të avancuar
kauzën LGBT në Shqipëri, në përputhje edhe me programin politik të Partisë
Socialiste që parashikon masa konkrete që luftojnë diskriminimin edhe mbi
bazë të orientimit seksual e identiteti gjinor.

 Elmaz Sherifi: Rama nuk është kryeministër i dekretuar, që të shpallë qeverinë e tij”

Sot Rama si “kryeministër i zgjedhur” (formulim i preferuar i tij) shpalli përbërjen e qeverisë së re! Rama ka të drejtën e vet, si fitues i zgjedhjeve, që të bëjë projekte që i mendon….por a mund t’i shpall këto projekte publikisht, qoftë edhe për t’u dhënë fund “thashethemeve” mediatike? Unë mendoj se kjo sjellje nuk është kushtetuese dhe përderisa nuk është e tillë, lista e ministrave nuk duhet të bëhet publike nëpërmjet një konference shtypi..Sepse, Rama ka fituar të drejtën kushtetuese për të qenë kryeministër, por ai ende nuk është i tille, pasi sipas nenit 96 të Kushtetutës Presidenti, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i Kryeministrit mbetet vakant, emëron Kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend….Ky akt ende nuk është kryer nga Presidenti që edhe kryeministri i dekretuar, fiton të drejtën kushtetuese të shpall strukturën e qeverisë dhe përbërjen e kabinetit… Sipas pikës 2 të nenit 96 të Kushtetutës, në qoftë se Kryeministri i emëruar nuk miratohet nga Kuvendi, Presidenti emëron një Kryeministër të ri brenda 10 ditëve. Unë nuk mendoj se kjo mund të ndodh, por duhet “duruar” deri sa kjo procedurë të realizohet dhe kryeministri të paraqesë në Kuvend programin dhe përbërjen e qeverisë…
Këto janë kërkesa kushtetuese që i japin seriozitet çdo veprimi të kandidatit për kryeministër….Kështu mendoj se duhet të veprohet në një shtet të së drejtës!

 6 ministret e qeverisë “Rama”

Risia e qeverisë “Rama” është se në kabinetin qeveritar, për herë të parë ka 6 ministre. Këto janë: Mimi Kodheli, e cila është e para Ministre e Mbrojtjes në Shqipëri, Eglantina Gjermeni, Ministre e Zhvillimit Urban dhe Turizmit  Lindita Nikolli, Ministre e Arsimit dhe Sportit   Milena Harito, Ministre për Inovacionin dhe Administratën Publike,   Klajda Gjosha Ministre e Integrimit Europian  dhe Mirela Kumbaro Ministre e Kulturës.