Butka: Përplasje ligjore mes institutit dhe Autoritetit të Dosjeve

505
Shfrytëzimi i arkivave të komunizmit ka ndeshur përplasje ligjore mes Autoritetit të Dosjeve i krijuar vitet e fundit dhe Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. Në Komisionin parlamentar të Ligjeve, studiuesi Uran Butka kërkoi përcaktim të qartë të kompetencave të institucioneve. “Na është krijuar një vështirësi lidhur me arkivën të cilat kanë qenë të hapura por tashmë në Arkivin e Ministrisë së Brendshme ka një farë pengese, ose dublim sepse është futur brenda autoriteti i dosjeve dhe nuk e dimë ligjërisht si qëndron kjo punë. A do të administrohet dhe arkivi i ministrisë së Brendshme nga autoriteti i dosjeve siç pretendohet nga ata apo do të vazhdojë puna siç ka qenë?!”, u shpreh Uran Butka. Ndërsa deputeti socialist, Ulsi Manja, tha se nuk ishte një problem ligjesh. “Nuk besoj se është çështje përplasje ligjesh, por gjithsesi pasi të kemi edhe raportimin e autoritetit të hapjes së dosjeve do të kemi dhe një analizë për të përcaktuar sferën e veprimtarisë së secilit prej institucioneve”, tha Manja. Në raportin vjetor të punës së Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit u evidentua puna e bërë në shkolla, kryesisht në gjimnaze për informimin e të rinjve për periudhën komuniste.
Sigal