“Beteja” PS-PDIU, KQZ vendos hapjen e 72 kutive në Tiranë

172
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shqyrtoi sot kërkesat ankimore të Partisë për Drejtësi dhe Integrim dhe Partisë Socialiste për rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 25 Qershorit për Qarkun e Tiranës.
Ndërsa PDIU-ja kërkon një mandat për Shpëtim Idrizin edhe PS-ja kërkon rinumërim në disa qendra votimi, pasi sipas tyre ka mospërputhje mes pamjeve filmike që disponojnë dhe shifrave në tabelat e rezultateve. KQZ vendosi me 7 vota pro rihapjen e 72 kutive të votimit për disa qendra ku palët kanë pretendime.
Konkretisht PDIU kërkoi hapjen e kutive në 49 qendra votimi në Tiranë. Ndërsa Partia Socialiste kërkoi hapjen e 23 kutive të votimit.
Të dyja partitë kanë pretendime për kuti të njëjta. PDIU ka dyshime se në 49 kutitë e votimit janë manipuluar votat duke i hequr PDIU mandatin e kryetarit Shpëtim Idrizi.
Ndërkohë PS ka dyshime se në 23 kuti votimi, ku edhe PDIU ka pasur komisioner janë kaluar vota në favor kësaj partie politike.
Kryetari i KQZ-së, Klement Zguri deklaroi se kutitë që do hapen duhet të depozitohen në një sallë në KQZ, ku edhe do të rinumërohen nesër në orën 10:00.
Shpëtim Idrizi, kreu i PDIU-se e ka humbur mandatin për 38 vota, ndërkohë që PDIU pretendon se asaj i mungojnë të paktën 66 vota në disa kuti votimi në Qarkun e Tiranës.
DEBATI NE KQZ
Përfaqësuesi i PDIU: Ne kërkojmë që të shtojmë edhe 7 qendra të tjera votimi. Ndërkohë që heqim dorë nga hapja e kutive në katër qendra votimi. Ne vlerësojmë se PDIU-së i mungojnë 66 vota në Tiranë.
Përfaqësuesi i PS: Gjatë shqyrtimit të videove dolën fakte dhe prova të reja. Ne kërkojmë që të hapen kutitë edhe të 14 qendrave të tjera të votimit.
VENDIMET SOT
Po sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi projektvendimet për shpërndarjen e mandateve, në 10 qarqe të vendit, si qarku Vlorë, Shkodër, Lezhë, Kukës, Korçë, Gjirokastër, Fier, Elbasan, Durrës dhe Dibër.
Për shpërndarjen e mandateve, Qarku Vlorë, KQZ vendosi të shpërndajë mandatet për partitë politike në zonën zgjedhore qarku Vlorë; Partia Socialiste 8 mandate, Partia Demokratike 3 mandate dhe Lëvizja socialiste për Integrim 1 mandat.
Për qarkun e Shkodrës, Partia Demokratike 5 mandate, Partia Socialiste 4 mandate,Partia Social Demokrate e Shqipërisë 1 mandat dhe Lëvizja Socialiste për Integrim 1 mandat.
Për qarkun e Lezhës Partia Socialiste 3 mandate, Partia Demokratike 3 mandate dhe Lëvizja socialiste për Integrim 1 mandat.
Për qarkun e Kukësit, Partia Demokratike 2 mandate dhe Partia Socialiste 1 mandat.
Për qarkun e Korçës, Partia Socialiste 6 mandate, Partia Demokratike 4 mandate dhe Lëvizja socialiste për Integrim 1 mandat.
Për qarkun e Gjirokastrës Partia Socialiste 3 mandate, Partia Demokratike 1 mandat dhe Lëvizja socialiste për Integrim 1 mandat.
Për qarkun e Fierit Partia Socialiste 10 mandate, Partia Demokratike 4 mandate dhe Lëvizja socialiste për Integrim 2 mandate.
Për qarkun e Elbasanit Partia Socialiste 7 mandate, Partia Demokratike 3 mandate, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet 2 mandate dhe Lëvizja socialiste për Integrim 2 mandate.
Për qarkun e Durrësit Partia Socialiste 8 mandate, Partia Demokratike 4 mandate dhe Lëvizja socialiste për Integrim 2 mandate. Për qarkun e Dibrës Partia Socialiste 2 mandate, Partia Demokratike 2 mandate, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet 1 mandat dhe Lëvizja socialiste për Integrim 1 mandat.
Gjithashtu, KQZ shqyrtoi dhe miratoi projektvendimin, “Për verifikimin e deklarimeve në formularin e vetëdeklarimit të kandidatëve nga listat shumemërore për Këshillat Bashkiak, në zbatim të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike.
KQZ vendosi njoftimin e këshillave bashkiakë për vazhdimin e procedurave për dhënien e mandatit kandidatëve të listave shumemërore, për plotësimin e vendeve vakantë në këshillat bashkiak në qarkun Tiranë, Bashkia Kavajë, Ermal Durim Çaça dhe Qarku Elbasan, Bashkia Gramsh, Anxhela Myrtezan Kokomeci.