Zjarret, emergjencat vijojnë aksionet në terren

602
Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile vijon të mbajë nën vëzhgim situatën e zjarreve përmes specialistëve të saj në qarqe.
Gjatë orëve të fundit janë evidentuar 7 vatra zjarri në qarkun e Shkodrës, Dibrës, Lezhës, Vlorës, Fierit, Gjirokastrës dhe Durrësit. 
Forcat zjarrfikëse së bashku me ato të pyjores, ushtrinë dhe pushtetin vendor kanë ndërhyrë për të vënë flakët nën kontroll. Nga të dhënat e fundit rezulton kjo situatë: 
Qarku Shkodër – Në Postribë ka rënë zjarr në një masiv me shkurre dhe pisha. Zjarrfikëset nuk kanë ndërhyrë dot për shkak të terrenit malor. Në ndihmë të tyre janë angazhuar rreth 30 trupa ushtarake. Nga zjarri deri më tani është djegur një sipërfaqe prej rreth 1 hektar me pisha. Zjarri është larg zonave të banuara dhe nuk përbën rrezik për njerëzit.
Qarku Lezhë – Një zjarr ka rënë në kurorën e qytetit të Laçit. Në vendngjarje ndodhen zjarrfikësit, të cilët po punojnë për të shuar flakët. Në ndihmë të tyre janë nisur edhe 20 trupa ushtarake, pasi zjarri ndodhet pranë zonës së banuar.
Qarku Dibër – Në fshatin Llapush vatra e zjarrit vijon të jetë aktive, por nuk përbën rrezik për zonën e banuar. Zjarri ka përfshirë një sipërfaqe pyjore me shkurre dhe pisha. Për shuarjen e flakëve janë angazhuar në terren forca të policisë pyjore, të cilat po punojnë me mjete rrethanore.
Qarku Vlorë – Në malin Mile, në Konispol, vijon vatra e zjarrit e rënë mbrëmjen e djeshme. Për shkak të terrenit malor zjarrfikësit e kanë të pamundur të ndërhyjnë dhe për këtë është angazhuar një helikopter i cili është ende duke punuar për të shuar zjarrin. Në terren ndodhen edhe 30 forca ushtarake.
Qarku Gjirokastër – Në fshatin Kuqar, në Këlcyrë, ka rënë një zjarr në një sipërfaqe me shkurre. Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve flakët janë shuar, por është djegur një sipërfaqe prej 1 hektar. 
Qarku Fier – Një zjarr ka përfshirë një zonë me shkurre në Ardenicë. Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë duke i shuar flakët, por është djegur një sipërfaqe prej 2 hektarë shkurre dhe 5 rrënjë ullinj. 
Qarku Durrës – Në lagjen Kamberaj, në Fushë Krujë, një zjarr i fuqishëm ka djegur një sipërfaqe prej 2.5 dynymë me hamullore.
Sigal