Berisha: Akti terrorist në Shkodër ishte narko-terrorizëm

144
Ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se atentati i së shtunës në Shkodër lidhet me aferat e kanabisit. “Shkodra u trondit thellë nga një akt i rëndë i mirëfilltë narko-terrorizmi, në të cilin u plagosën 8 qytetarë, nga të cilët katër në gjendje të rëndë. Shënjestra e tij ishte Lulzim Kulla, një baron lokal droge me lidhje të fuqishme me pushtetin. Por eksplodimi i tritolit në shesh, ku kishte shumë qytetarë të tjerë, është akt i mirëfilltë narko-terrori, që dëshmon se kanibalët e kanabisit, siç i quante pak ditë më parë trafikantët shqiptarë të kanabisit një gazetë e huaj, janë të gatshëm që për hakmarrjen dhe larjen e hesapeve midis tyre të ‘hanë’ dhe jetë njerëzish të pafajshëm”, u shpreh Berisha. Sipas tij, akti narko-terrorist në Shkodër tregon edhe njëherë pasojat katastrofale të politikës së kanabizimit të Noriegës dhe përpjekjes së tij për të bërë të paqenë gjëmën e madhe që ai i bëri vendit. “Në vitin 2016 Noriega deklaronte se kishte zhdukur 99,8% të kanabisit në Shqipëri, kurse pak javë më parë rrahu gjoksin për suksesin, të cilin e formuloi me dy fjalë “Fundi i kanabisit”. Në të vërtetë Shqipëria po përjeton, jo fundin, por narko-terrorizmin e kanabisit, kanibalizmin e vërtetë të baronëve të drogës, si shprehja më mizore e kanabizimit të saj”, nënvizoi ish-kryeministri.