Belgjika: Kryeprokurori i Shqipërisë kërkon arrestimin e Balilit, policia e ndalon!

519
Adriatik Llalla: Volumin më të madh e zënë kultivimi dhe trafikimi i drogës masive, por procedimet në nivele të ulëta 
Kryeprokurori i Shqipërisë, Adriatik Llalla i shoqëruar edhe nga dy vartës të tij kanë zhvilluar një vizitë në Bruksel në datën 8 shkurt dhe me vete kanë pasur edhe disa fotografi.
Adriatik Llalla ka zhvilluar një takim me kryeprokurorin e Belgjikës, Frédéric Van Leeuw, të cilit edhe i ka vënë në dispozicion disa fotografi. Në ato foto dukej “Escobari i Ballkanit” Klemend Balili në jahtin e tij në Sarandë, ndërsa policia shqiptare nuk ka vënë energji të plota për ta arrestuar njeriun që ka trafikuar drogë në Belgjikë, shkruan në një artikull të ditës së sotme gazeta belge, “Le Dernière Heure”. Sipas gazetës belge, kryeprokurori i Shqipërisë ka kërkuar ndihmë në Bruksel për arrestimin e Klemend Balilit, për faktin se dy bashkëpunëtorët kryesorë të tij janë arrestuar në muajin qershor të vitit 2016 në këtë vend. Gazeta i ka kushtuar një faqe të plotë Balilit, duke shpjeguar se Shqipëria është kthyer në vendin numër 1 të prodhimit të drogës. Sipas saj, edhe pse qeveria e Edi Ramës betohet se është duke luftuar mbjelljen dhe trafikun e drogës, në fakt duket se Shqipëria nuk e ka seriozisht luftën ndaj saj, por as arrestimin e Klemend Balilit. Gjithashtu gazeta shkruan, se për mos arrestimin e Klemend Balilit ka pasur edhe një përplasje dhe akuza të shumta mes ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe atij të Drejtësisë, Ylli Manjani, i cili më pas dha dorëheqjen nga posti.

Kryeprokurori Lalla: Volumin më të madh në punën tonë e zënë dosjet e drogës
Betejën me drogën e ka cituar kryeprokurori Llalla edhe dje në një takime pune me isntticionin vartës të tij. Kryeprokurori Adriatik Llalla ka lëshuar dje të tjera kritika, për sa i takon realizimit të “Vetingut”. Pak ditë më parë, ai replikoi ashpër me ambasadorin amerikan, Donald Lu, ndërsa tani ka kërkuar që të mos keqpërdoret procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, tha se procesi i “Vetingut” është shumë i rëndësishëm, por nuk duhet të përdoret nga askush në asnjë mënyrë për të imponuar prokurorët në vendimmarrje. “Analiza vjetore përkon me momentin që po kalon sistemi i drejtësisë me atë të zbatimit të reformës në drejtësi, moment tepër i rëndësishëm për mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të institucionit tonë. Tashmë, kjo reformë me mjaft risi për mënyrën se si ligjvënësit kanë vlerësuar të funksionojë institucioni i prokurorisë, por paraprakisht është vlerësuar që gjithë ne të kalojmë procesin e vetingut, proces që do fillojë së shpejti me ngritjen e strukturës së posaçme. Procesi i vetingut është moment shumë i rëndësishëm në punën tonë, por gjithsesi nuk mund të përdoret nga askush, në asnjë mënyrë, për të imponuar prokurorët në vendimmarrjet e tyre. Të gjithë duhet të jenë të pavarur në vendimmarrje”, tha ai. Ndërkohë, kryeprokurori shfaqi kritika sa i takon kultivimit të drogës. Ai tha se ky është fenomeni kriminal më i përhapur në vend, ndërsa shtoi se procedimet janë në nivele shumë të ulëta. “Një vend në volumin e punës së prokurorisë me ngarkesë më të madhe zënë trafikimi e kultivimi i lëndëve narkotike që është e përhapur në gjithë territorin. Prokuroria, në bashkëpunim të ngushtë me policinë, ka vijuar hetime për këto raste, por sërish numri i procedimeve penale me autorë është tepër i ulët. Problematikë tjetër e ndeshur është rritja e shpërdorimit të detyrës, ku punonjës shtetërorë abuzojnë me detyrën e tyre”.
Sigal