BE kundër Ramës: Nëse shisni Pasaportat, do ju rikthejmë vizat

173

Delegacioni i BE-së paralajmëron qeverinë shqiptare të rishikojë qëndrimin e saj për pajisjen e biznesmenëve të huaj me pasaporta shqiptare. Komisioni Europian deklaron se dhënia e pasaportës të huajve do të thotë lëvizje e lirë në Zonën Shengen, çka do të detyrojë BE-në të rikthejë vizat për qytetarët shqiptarë. Ja paralajmërimi zyrtar

 

Delegacioni i BE-së kundër skemës së Ramës për shitjen e pasaportave

Delegacioni i BE-së sqaroi se “Komisioni Evropian e ka nxitur Shqipërinë që ta mendojë nëse do t’ia vlente përdorimi i një skeme për dhënien e shtetësisë investitorëve, me gjithë rreziqet që kjo skemë ka në vetvete.” Ata, gjithashtu, deklaruan se çdo dështim i qeverisë shqiptare për t’u garantuar se ka bërë kontrollet e duhura të sigurisë dhe të së shkuarës së personave që u jep pasaporta, do të rezultojë në “arsye për të rikthyer kërkesat për viza”. Delegacioni theksoi se ata do të monitorojnë ndikimin e skemës në kuadër të mekanizmit të pezullimit të vizave, raporti i tretë i të cilit pritet të botohet së shpejti. Delegacioni i BE-së deklaroi se ata dhe Komisioni i kanë “ndarë në disa raste qëndrimin dhe komentet e veta me autoritetet shqiptare”. Pavarësisht kësaj, Rama ka thënë se ai do ta zbatojë planin e tij. Në përgjigjen e tyre, zëdhënësi i Delegacionit tha se “skema e shtetësisë së investitorë paraqet rreziqe për sa i përket sigurisë, pastrimit të parave, shmangies së taksave, financimit të terrorizmit, korrupsionit dhe depërtimit të krimit të organizuar.” Ata shtuan se skemat që lejojnë të anashkalohen procedurat e rregullta për marrjen e vizës Shengen nga shtetasit e vendeve të treta mund të rezultojnë në “rreziqe të sigurisë” dhe “shmnagie të masave për të parandaluar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.” Në një aktivitet të organizuar nga kompania Henley & Partners në Londër  muajin e kaluar,  kryeministri Rama pohoi se ishte në dijeni të rreziqeve të kësaj skeme dhe se BE dhe KE nuk do ta miratonin veprimin e qeverisë, por që ai do ta zbatonte skemën gjithsesi. Marrja e një pasaporte shqiptare do t’i lejonte mbajtësit të lëvizte lirshëm në Zonën Shengen pa pasur nevojë për vizë. Në vendet e tjera që kanë skema të ngjashme, kombësitë më të zakonshme që aplikojnë për pasaporta të dyta apo edhe të treta janë rusët, kinezët dhe shtetas nga Lindja e Mesme. Javën e kaluar, Komisionerja Evropiane për Drejtësi Vera Jurova tha për Exit se qeveria shqiptare duhet të mos ndërmarrë hapa që do të rrezikonin aspiratat e Shqipërisë për në BE. Ajo më parë ka bërë thirrje që skemat për nënshtetësi përmes investimit të ndalohen në të gjithë Bashkimin Evropian.