Basha: Tatimorët do të mbyllen në kazermë

497
Kryetari i Partisë Demokratike deklaron se në planin e tij ekonomik, qëllim nuk do të jenë taksat dhe terrori, por punësimi
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vijoi shpjegimin e planit të tij ekonomik, që “do të çlirojë energji, do të rrisë konsumin, do të sjellë të ardhura në xhepin e shqiptarëve, do të krijojë vende pune e do nxisë prodhimin”. Në zonën e Unazës së re në Tiranë, Basha u takua me pronarë të biznesit të vogël, të cilët i siguroi se detyrimi i tyre do të jetë vetëm 1.5 për qind e xhiros vjetore dhe një pullë në xham që tregon shlyerjen e kësaj shume, do të mbajë larg tatimorët dhe abuzuesit që kanë lodhur e grabitur dyqanet e njësitë tregtare gjithë këto vite. Gjithashtu, Basha u shpjegoi studentëve planin për ta anuluar ligjin e arsimit të lartë dhe ardhjen në fuqi të një ligji të ri që do sjellë studentin në vendimmarrje, do ulë tarifat e do ta bëjë të mundur për këdo që të ndjekë shkollën e lartë, pavarësisht gjendjes së tij ekonomike. Kryetari i opozitës u tha qytetarëve se Shqipëria po vuan, jo vetëm mosmbajtjen e premtimeve nga Edi Rama, por sidomos faktin se ai nuk bëri asnjë përpjekje në 4 vite, dhe i braktisi premtimet që ditën e parë, dhe zgjodhi prioritete të gabuara që nuk ishin në interesin e njerëzve, por të lidhura me tekat e tij. Ekonomia, do të jetë prioriteti im i palëkundur, tha Basha. Ndërsa gjatë takimeve në Burrel, kryeopozitari foli edhe për financimin e bujqësisë. “Ulje të taksave, subvencione për fermerët, sepse këtu kemi më shumë fermerë. Rritje konsumi që sjell rritje të kërkesës në treg, rritje të prodhimit, rritje të kreditimit dhe paratë e shtetit nuk do të hidhen më për investime koti për palma, do të hidhen për investime që ndihmojnë ekonominë”, tha Basha. Gjatë takimeve me qytetarët, Basha tha se kur të marrin frymë farmacisti, tregtari, kur të marrë frymë biznesi i vogël dhe në veçanti biznesi prodhues, atëherë fillon dhe rigjenerohet ekonomia. “Qëllimi nuk do të jenë taksat dhe terrori, qëllimi do të jetë punësimi. Nuk do të ketë më tatimorë rrugëve. Rrugëve duhen konsumatorë, duhen punëtorë, fermerë, tregtarë, sipërmarrës. Tatimorët të gjithë në kazermë”, premtoi Basha.
Sigal