Basha: Rama, dijeni për kanabizimin

141
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti në takime të veçanta raporterin e Grupit Parlamentar CDU/CSU në Bundestag, Thorsten Frei dhe anëtarët e Parlamentit Britanik, John Uithingdale dhe Martin Vickers. Deputeti gjerman Frei ishte me mision faktmbledhës për përmbushjen nga Shqipëria të 7 kushteve të integrimit, për të cilat do t’i raportojë grupit më të madh parlamentar në Bundestag, CDU/CSU. Në të dyja takimet temat e bisedimeve u përqendruan tek nevoja jetike e Shqipërisë për të ndarë qeverisjen nga krimi, aleanca me të cilin vazhdon të jetë pengesa kryesore për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian. Kryetari i opozitës theksoi, se ashtu siç kontatohet edhe në Strategjinë e Zgjerimit, kapja e shtetit nga krimi dhe interesat private është sfida më jetike me të cilën përballet Shqipëria. Treguesi më i mirë për këtë është çështja “Tahiri”, dhe qëndrimi që mbajti Rama duke rrëzuar kërkesën e prokurorisë dhe mbrojtur Tahirin me imunitet, duke e kthyer Kuvendin në Gjykatë. Ai u shpreh se kanabizimi i vendit ndodhi me dijeninë dhe mbështetjen e plotë të kryeministrit dhe instancave më të larta qeveritare të cilët kanë bashkëpunuar me organizatat kriminale në këmbim të parave dhe ndërhyrjes së tyre në zgjedhje. Për të mbrojtur pushtetin e tij, theksoi Basha, kryeministri po përqendron të gjithë pushtetin dhe vendimmarrjen dike shkelur Kushtetutën dhe ligjet dhe duke uzurpuar çdo institucion, përfshirë prokurorinë, gjykatat dhe reformën në drejtësi. Kryetari i Partisë Demokratike theksoi se krimi i organizuar me mbështetje qeveritare, përveç investimit në zgjedhje po kap sektorë jetikë të ekonomisë. Basha tha se eksodi i shqiptarëve është pasojë direkte e krizës ku e ka zhytur vendin aleanca e qeverisë me krimin. Pseudo -stabiliteti i bazuar në bashkëqeverisjen me krimin nuk është real dhe si i tillë nuk mund të zgjasë. Kreu i opozitës rikonfirmoi qëndrimin e opozitës për krijimin e një qeverie antimafia si hap i domosdoshëm për të zgjidhur krizën dhe për të rikthyer procesin politik përmes reformës zgjedhore dhe zgjedhjeve demokratike. Basha siguroi bashkëbiseduesit se Partia Demokratike mbështet plotësisht hapjen e negociatave, duke e konsideruar këtë hap si kontribues në monitorimin e qeverisë, e cila është përgjegjëse për mospërmbushjen e kushteve të integrimit.