Basha pranon gabimet e marrëveshjes së 17 majit 2017 me Edi Ramën

503
Në Kuvendin Kombëtar flasin edhe kritikët e kryetarit të PD-së. Miratohet Statuti i Ri i Partisë
Dje u mbajt Kuvendi Kombëtar i PD-së për të miratuar statutin e ri të Partisë. Risia ishte se në të morën pjesë edhe disa nga kritikët e kryetarit të PD-së Bashës, madje edhe folën në Kuvend, sikurse Eduard Selami. 
Basha: Ja ku kam gabuar në krye të PD-së
Kryedemokrati Lulzim Basha ka pranuar gabimet e tij në krye të PD-së. Por gjatë fjalës së tij para demokratëve gjatë Kuvendit Kombëtar të forcës politike që ai drejton, Basha tha se veprimet e tij kanë qenë të kushtëzuara nga rrethanat. “Unë kam pranuar gabimet e mia, por gjithçka e kam bërë për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve. Jam i vetëdijshëm për gabimet e mia, i ndikuar nga rrethanat. Kam dëgjuar kritikat tuaja, dhe kam marrë mbështetjen tuaja. Lulzim Basha iu kthye marrëveshjes së 17 majit me Edi Ramën, duke e konsideruar si një “një zgjidhje të detyruar nga jashtë dhe nga brenda” dhe si dëmtuese të PD-së në aspektin e rezultatit të zgjedhjeve. “Ajo ishte një zgjidhje e detyruar nga jashtë dhe nga brenda, ajo ishte një tërheqje e përkohshme”. 

Berisha: Kuvendi i miratimit të statutit në të cilin ka një frymë kompromisi të qartë, në kontrast nga njeriu skizoid
Ndryshimet në statutin e PD-së ish-lideri i kësaj force politike, Sali Berisha, i cilëson të hapura dhe të lira. Duke folur për mediat pasi ka lënë ambientet e Pallatit të Kongreseve ku u mbajt Kuvendi Kombëtar i PD, ish-kryeministri Berisha ka hedhur një lumë akuzat ndaj kreut aktual të qeverisë. “Unë i kam shprehur gjerësisht mendimet e mia për të gjitha problemet, dhe them se duhet të bashkohen të gjitha kontributet e PD në mënyrë që kalbësira që sundon vendin, të fshihet, të qërohet sa më parë nga faqja e pushtetit në Shqipëri. Unë kam besim se ai i ka kohërat e numëruara, dhe ky është preokupimi im. Ky është Kuvendi i miratimit të statutit në të cilin ka një frymë kompromisi të qartë. Unë jam marrë pak a shumë me primet, jo me statutin. Me të është marrë grupi i punës. Diskutimet në Kuvend ishin të lira dhe të hapura. Çdo njeri duhet të thotë fjalën e tij na pëlqen apo jo, dhe ky është tipar i debateve demokratike. Unë mendoj se pati diskutime me kritika, me propozime, me qortime. Ky është një kontrast shumë i madh mes këtij forumi, dhe forumit të njeriut halucinant, skizoid. I njeriut që shkelmon çdo ditë të drejtat e atij kontingjenti të ndershëm të PS, pasi një pjesë e tyre janë të inkriminuar, por një pjesë e tyre janë njerëz të ndershëm, edhe është fatkeqësi historike të kenë një krye një njëri që nuk respekton asnjë vlerë. Një kalbësirë të cilën shqiptarët duhet ta hedhin një minutë e më parë si një rrezik kombëtar të qenies së tyre, të vendit të tyre dhe integrimit të tyre në Evropë”, u shpreh ish-kryeministri Berisha.
Sigal