Basha nga Londra: Për demokraci janë këputur koka mbretërish. Populli nuk arrestohet dot. Shqipëria e frikës do të bjerë!

742
Sigal

Kryetari i PD-së Lulzim Basha ndodhet në Londër. Ai është pritur nga Kryetari i Partisë Konservatore britanike Brandon Lewis.

Basha: Konservatorët britanikë, aleatë për modernizimin e PD-së

Basha i shprehu Lewis mirënjohjen për mbështetjen e jashtëzakonshme që Partia Konservatore po i jep PD-së për komisionin e përzgjedhjes së kandidatëve sipas modelit britanik, në kuadër të modernizimit dhe hapjes së PD dhe fuqizimit të mëtejshëm të anëtarësisë në procesin e organizimit të primareve. Përfshirja direkte e Përzgjedhësit Kryesor të konservatorëve britanik (Chief Assessor) në ngritjen e komisionit të përzgjedhjes së kandidatëve në Partinë ka një domethënie shumë të madhe për bashkëpunimin e mëtejshëm afatgjatë midis dy partive simotra. Në takim mori pjesë edhe kryetari i degës PD në Britaninë e Madhe, Naim Hasani.

Me komunitetin shqiptar në Londër: Shqipëria e frikës, ka rënë

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, nga takimi me komunitetin shqiptar në Londër, i ka bërë thirrje Ramës që ta harrojë se mund të zhvillojë zgjedhje më 30 qershor, dhe se nuk e arreston dot gjithë popullin. ‘Edi Rama ka vënë bast për Shqipërinë e frikës, që ka ndërtuar këto 6 vjet për të mundur Shqipërinë e shpresës. Që Shqipëria e frikës të qëndrojë, duhet të arrestojë gjithë popullin. Që Shqipëria e tiranisë të qëndrojë, duhet të diktojë votime moniste në 5700 kuti votimi, votime me 1 kandidat ose kandidat të diktuar nga krimi. Që Shqipëria e frikës të qëndrojë, duhet të detyrojë të gjithë shqiptarët të largohen nga shtëpitë e tyre. Nuk do t’ia dalë kurrsesi.

Mesazhi nga Londra për kryeministrin Rama

Për demokraci janë këputur koka mbretërish dhe këtu në Londër e dini më mirë se kushdo. Sa herë që monarku futet në parlament për të mbajtur fjalën e saj, i përplaset dera e dhomës së komuneve në fytyrë, për t’i kujtuar në mënyrë simbolike se ai nuk mund të ketë çdo pushtet në dore, garancia për drejtësinë që funksion për të gjithë njësoj, nëse janë aristokratë apo refugjatë. Ligji është i barabartë për të gjithë. Prandaj, shqiptarët ia dalin të ndërtojnë në një kohë të shkurtër jetë shumë më të mirë në Angli se në shtëpi. Një qeveri që punon kundër qytetarëve bie. Ky është kufiri që ndan lirinë nga tirania, ku qeveria ka frikë popullin, opinionin publik. Ndërsa në Shqipëri është frika dhe terrori si mënyrë synimi. Baza e kësaj janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Pa pasur një parlament që është peng i votës së lirë jo i kriminelëve, nuk ka zhvillim ekonomik, mundësi të barabarta për të gjithë”, u shpreh Basha.