Basha në Berlin: Të hapen negociatat me Shqipërinë

636
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i kërkoi qeverisë dhe Parlamentit gjerman të mbështesin hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Në ditën e parë të vizitës në Berlin, Basha zhvilloi në Bundestag takime me ekspertët e Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë nga zyra e Kancelares Merkel dhe nga grupi i CDU/CSU në Parlamentin gjerman. “Kemi kërkuar mbështetjen e grupit CDU/CSU për hapjen e negociatave si një akt që do të mbështesë Shqipërinë në një ëndërr që e ndajnë të gjithë shqiptarët, të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian, por edhe si një përpjekje të shtuar për të plotësuar kriteret e paplotësuara në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, reformës në drejtësi, reformës në administratën publike, respektimin e të drejtave të nëpërkëmbura të njeriut, siç e tregoi rasti i fundit i Kukësit”, tha Basha. Kreu i opozitës u shpreh se të gjitha këto janë shqetësime të thella të partnerëve tanë dhe janë arsye të mëdha për të dyshuar ndaj Shqipërisë. “Ndaj, në emër të opozitës, në emër të Partisë Demokratike, kemi kërkuar që ta shohin këtë si një proces, i cili mundëson vazhdimin e betejës për të çmontuar krimin e organizuar dhe kapjen e shtetit nga krimi i organizuar, për të çmontuar narkoshtetin si një problem jetik për Shqipërinë, për të luftuar korrupsionin, për të vendosur të gjithë qytetarët të barabartë para ligjit, për të vendosur në veçanti politikanët e korruptuar dhe me lidhje kriminale para drejtësisë, për të çliruar ekonominë nga monopolet dhe nga oligarkia, për të rikthyer konkurrencën si një parakusht i zhvillimit ekonomik që krijon vende pune”, u shpreh Basha. Gjatë diskutimit në Bundestag, Basha theksoi se përmes hapjes së negociatave opozita ka më shumë mundësi në fuqizimin e betejës së saj për një Shqipëri të çliruar nga padrejtësia, të çliruar nga përqendrimi i pushtetit në një dorë të vetme dhe të çliruar nga korrupsioni dhe krimi i organizuar. Gjatë qëndrimit në Berlin, kryetari i Partisë Demokratike do të takohet me Kryetarët e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Komisionit të Çështjeve Evropiane të Bundestagut. Më pas ai është ftuar në një seancë të posaçme dëgjimore nga Komisioni i Politikës së Jashtme dhe ai Çështjeve Evropiane të Bundestagut.
Sigal