Balla: S’ka seancë për Reformën Zgjedhore, e kuptoj hallin e PD

538
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se kreu i Kuvendit nuk ka kryer asnjë shkelje të neneve të Rregullores së Kuvendit dhe këtë sipas tij, nuk e thotë as opozita.

Ai tha se PD po e përdor një rast të tillë për ta kthyer në kauzë, por sipas Ballës nuk mund të jetë e tillë.

Balla: PD dhe deputetët e saj kanë thyer Rregulloren me të dyja këmbët dhe thirrja ime ka qenë miqësore që të gjendej një zgjidhje gjithmonë brenda kuadrit të Rregullores. Në përfundim të kësaj seance, Konferenca e Kryetarëve të rimerrte në diskutim atë që u votua dje. Jam i bindur se kërkohen kauza sepse e dimë hallin e PD, por këto nuk mund të bëhen në kurriz të Kuvendit të Shqipërisë.

Nenet e Rregullores sot u zbatuan ashtu siç parashikohen. Ato janë të njëjta ndaj çdo deputeti. Kushdo qoftë se do të bënte të njëjtat shkelje i njëjti vendim do të jetë. Dua t’i them gjithë publikut shqiptar që nëse ka një nen të shkelur nga kryetari i Kuvendit, Lulzim Basha dhe PD kanë të drejtë ta thonë. Nuk gjejnë dot një nen të rregullores që të jetë shkelur në Punimet e Kuvendit. Koha kur Kuvendi ishte një teatër jo i këndshëm ka mbaruar një herë e përgjithmonë dhe sot është rasti më i mirë për t’i thënë çdo deputeti që për sa i përket Rregullores së Kuvendit jemi të gjithë të barabartë. Edhe mua si kryetar i grupit parlamentar më është ndërprerë fjala kur kam kaluar minutazhin që më takon.

Balla u pyet nëse do të ketë një seancë të posaçme për diskutimet e Kodit Zgjedhor, sipas të cilit seanca do të jetë të enjten e ardhshme.

Balla: Kjo është një gjë tërësisht e paimagjinueshme se si PD sot shpërdoroi gjithë këtë kohë të rëndësishme për çdo deputet për të bërë punë të rëndësishme. Sa kohë që Konferenca e Kryetarëve dje ka përcaktuar se kur janë seanca, mund t’ju them se seanca e përcaktuar edhe me votën e zt.Spaho është sot një javë.

Kuvendi i Shqipërisë më në fund po hyn në një bindje që respektimi i Rregullores do të jetë i njëjtë për të gjithë dhe ky është mesazhi për sot. Rregullorja e Kuvendit lë hapësira për kërkesa për debat, por duhet që çdo grup parlamentar të respektojë edhe grupet e tjera parlamentare.

Ju keni parë që grupet e PS dhe LSI morën atë vendim për ta shtyrë. Mund të thoja se për këtë çështje nuk do të ketë diskutime, por propozuam që kjo çështje mund të hiqet nga rendi i ditës nëse në favor të saj votojnë më shumë se gjysma e deputetëve të pranishëm. Asnjë deputet, qoftë ky edhe kryetari i PD të çohet dhe të kërkojë thirrjen e Konferencës së Kryetarëve.
Sigal