Audio-përgjimi i vëllait, vjen zotimi dhe paralajmërimi i FORTË i Fatmir Xhafës

666

Ministri i Punëve të Brendshme Fatmir Xhafaj thotë se merr përsipër të dorëhiqet nga ky post, në rast se audio-përgjimi i publikuar nga Partia Demokratike për vëllain e tij, rezulton i vërtetë. Por sipas asaj që beson Xhafaj, kjo ka pak gjasa të ndodhë. Në të kundërt. Ai paralajmëron se kreu demokrat Lulzim Basha do të përballet me ligjin.

Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, ministri i Brendshëm i bën një zotim qytetarëve që nesër (të shtunën do të dalin në protestën e paralajmëruar nga opozita): Nëse audio përgjimi i bërë publik nga PD, do të rezultojë i vërtetë, unë do të marr çdo përgjegjësi morale, politike e ligjore, përfshi dhe largimin nga funksioni i Ministrit të Brendshëm. Jam i gatshëm ta bëj këtë pa hezitim.

Partia Demokratike publikoi një audio-përgjim në të cilin pretendon se vëllai i ministrit, Agron Xhafaj, bisedon me një trafikant droge, të identifikuar më pas si Albert Veliu. Agron Xhafaj ndërkohë ndodhet në Itali, ku ju vetëdorëzua autoriteteve atje, pasi PD-ja, publikoi një vendim të formës së prerë të gjykatës Italiane që e ka dënuar me 7 vjet e 2 muaj burg për trafik droge. Audio-përgjimi është dërguar për ekspertizë në Itali, për tu verifikuar nëse zëri është realisht i vëllait të ministrit të Brendshëm.

Reagimi në Twitter i ministrit Xhafaj

E vërteta është vetëm një, dhe vetëm një në këtë rast. Ai që nuk është në anën e të vërtetës, duhet të përgjigjet. Këtë e kërkon interesi i ligjshëm i qytetarëve. #Drejtësiderinëfund

Nëse provohet e kundërta, atëherë duhet që Lulëzim Basha të dorëhiqet dhe të përballet me ligjin. Pyeteni: A është ai i gatshëm për këtë sfidë?

Bashkëqytetarëve të thirrur në protestë, u them sot: Nëse audio përgjimi i bërë publik nga PD, do të rezultojë i vërtetë, unë do të marr çdo përgjegjësi morale, politike e ligjore, përfshi dhe largimin nga funksioni i Ministrit të Brendshëm. Jam i gatshëm ta bëj këtë pa hezitim.