Ambasadori i ri i Katarit, Ali bin Hamad Al-Marri, i paraqiti Letrat Kredenciale, Presidentit Meta

712
Sigal

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, pranoi Letrat Kredenciale nga Ambasadori i ri i Shtetit të Katarit në vendin tonë, zotit Ali bin Hamad Al-Marri.

Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, si dhe shprehu mirënjohjen për ndihmën e madhe financiare dhe mbështetjen e projekteve të shumta zhvillimore nga Katari në Shqipëri.

Në mënyrë të veçantë, Presidenti Meta, iu referuar mbështetjes së dhënë gjatë përballimit të krizës së Kosovës në vitin 1999, por edhe për përballimin e fatkeqësive të tjera natyrore dhe vështirësive sociale në zona të ndryshme të vendit.

Duke iu referuar potencialeve të mirënjohura investuese të Katarit, Presidenti Meta, shprehu besimin se Ambasadori Al-Marri do t’i japë një shtytje të re bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve dhe do të nxisë investimet e kompanive të Katarit në Shqipëri.

Interesi për bashkëpunim në fushën e transportit ajror, do t’i jepte një nxitje të mëtejshme këtyre investimeve, por edhe shkëmbimeve turistike e do të rriste kontaktet e drejtpërdrejta midis dy vendeve – nënvizoi Presidenti Meta.