Aleks Hajdari: Krimi ka gjunjëzuar politikën dhe Policinë e Shtetit, vendi “arenë lufte”

Alma Çuka

Përfshirja e policisë në trafikun e drogës, mbështetja e krimit nga politika, deklaratat e Ambasadës Amerikane, roli i ish-ministrit të Brendshëm, disa nga pikat e intervistës

Ish-drejtuesi i policisë në disa qytete të vendit aktualisht kryetar i shoqatës së policëve në lirim, Aleks Hajdari në një intervistë për gazetën “Telegraf”, flet mbi situatën aktuale në vend. E konsideron të rëndë përfshirjen e politikës në Policinë e Shtetit. Të njëjtin mendim ka edhe për policinë, e cila sipas tij, në katër vitet e fundit është bërë pjesë e trafikut të drogës dhe ka vjelë prej trafikantëve 30% të fitimit. Shprehet se situata nuk mund të ndryshojë për aq kohë sa politika është e kapur nga krimi dhe policia i ka duart e bllokuara. Ka një mesazh të fortë për politikën dhe policinë. Ndërsa shton, se Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit duhet t’i kthehen kompenetcat e zaptuara nga ish-ministri Tahiri. 

Zoti Hajdari prej kohësh policia e shtetit është vënë përballë akuzave për mbështetje të Krimit, kryesisht trafikut të drogës. Këtë qëndrim e ka mbajtur edhe politika, kryesisht opozita. Cili është mendimi Juaj?
Lufta ndaj krimit të organizuar në radhë të parë është vullnet politik i Qeverisë dhe në radhë të dytë detyrim ligjor i Policisë së Shtetit për të analizuar situatën, identifikuar problematikat, planifikuar rrugët, mënyrat, format, mjetet dhe burimet njerëzore të nevojshme për të luftuar krimin e organizuar në veçanti dhe atë të rrugës në përgjithësi si dhe për të përcaktuar mënyrën e kontrollit të realizimit të këtyre objektivave. Për fatin e keq ky vullnet nuk ekziston dhe ky planifikim nga Organizata e Policisë nuk është bërë të paktën deri në këto momente që po flasim, përkundrazi kontrollin e territorit e kanë marrë në dorë organizatat dhe grupet kriminale apo individë me begraund kriminal duke bërë që ata të rrisin në mënyrë të shfrenuar dhe të pakontrolluar nga shteti fitimit e tyre dhe duke u bërë kështu vendimmarrës në jetën politike të vendit dhe në atë ekonomike. Kjo u pa qartë edhe në zgjedhjet parlamentare 2017 ku këto organizata dhe grupe kriminale ishin përkrahë Qeverisë në fushatë duke financuar paratë e përfituara kryesisht nga trafiku i drogës dhe të mbështetura totalisht nga Organizata e Policisë e cila tashmë ka dalë jashtë funksionit të saj dhe për fatin e keq zbaton orientimin politik të kësaj Qeverie për të mos i prekur apo cenuar interesat e kësaj kategorie njerëzish dhe duke i kthyer në problem për komunitetin dhe shoqërinë tonë. Unë besoj që kjo tashmë është një realitet i dhimbshëm pasi kur shikon që në vitin 2016 i gjithë territori shqiptar ishte i mbushur me cannabis sativa, ku drejtuesit e lartë të policisë ishin pjesë e këtij procesi duke përfituar 30% e fitimit duke lënë të lirë organizatat dhe grupet kriminale të kultivojnë dhe trafikojnë ato jashtë territorit të vendit, duke rikthyer Shqipërinë në vendin kryesor të prodhimit të lëndës narkotike cannabis sativa, të furnizimit të vendeve të BE-se dhe korridor të kalimit të drogave të forta kryesisht heroinë dhe kokainë

Në mes të shtatorit policia u godit rëndë në Elbasan….
Rasti i Elbasanit është vërtetë një goditje e rëndë ndaj policisë, por është produkt i marrëveshjeve politike që kjo qeveri ka bërë me individë të caktuar të botës së krimit për të marrë rezultat sa më të thellë në qarkun e Elbasanit në zgjedhjet Parlamentare që u zhvilluan në Qershor 2017. E kam thënë dhe e them, nuk ka dhe nuk mund të ketë individ që mund të ngrerë dorën ndaj shtetit kur shteti nuk është i përfshirë në marrëdhënie me këtë kategori njerëzish dhe kur nuk ka përkrahjen e politikës dhe mbështetjen e policisë. Unë mendoj që ka shumë qarqe të tjera në Shqipëri që situata kriminale është shumë më e rëndë se në qarkun e Elbasanit. Koha do e vërtetojë këtë gjë. . Vendi është kthyer në një arenë lufte ku çdo ditë ekranet televizive dhe portalet kanë si lajm të parë vrasjet që kanë mbërthyer gjithë territorin, krimin në familje dhe çfarë është më e rëndë, individ të caktuar dhe të përkrahur nga Qeveria guxojnë të ngrenë dorën kundër uniformës së shtetit dhe të godasin edhe drejtues të lartë të policisë siç është rasti i Elbasanit. 

Çfarë note do i vendosnit linjës së drejtuesve të policisë në vend?
Me keqardhje e them por nuk mendoj se mund t’u japësh vlerësim pozitiv zinxhirit drejtues të Organizatës së Policisë, për disa arsye: Në katër vite të drejtimit të Ministrisë së Brendshme nga ish -Ministri Tahiri, Organizata e Policisë u përballë me shumë fenomene negative. U përjashtuan nga kjo organizatë punonjës policie profesionist, të përkushtuar dhe të mirë trajnuar brenda dhe jashtë vendit dhe u zëvendësuan me militant politik në momentin më të mirë dhe në atë më të keq me persona të inkriminuar e të lidhur me botën e krimit apo të përjashtuar nga organizata e policisë për shkelje të rënda të evidentuara gjatë ushtrimit të detyrës nga ana e tyre. Drejtuesit e policisë u përfshinë në procesin e kultivimit dhe trafikimit të lëndës narkotike. Nuk arritën të mbajnë nën kontroll territorin dhe personat me tendenca kriminale pasi gjatë kësaj periudhe kemi parë të rishfaqet fuqishëm fenomeni i tritoleve. Të gjitha vrasjet e bujshme dhe me impakt negativ në komunitet janë akoma të pazbuluara ndërkohë që u rishfaq fuqishëm vrasja me pagesë siç është rasti i vrasjes së bankierit Artan Santo në mes të Tiranës.

Është puna e dobët e policisë apo politika që e ka çuar vendin deri në këtë pikë?
Siç e thashë edhe më lart, mendoj se është ndërthurje në mes të të dyjave. Nëse nuk ekziston vullneti politik, policia është e dështuar dhe nuk mund të ketë progres, ndërsa regresi është absolutisht punë e dobët e policisë dhe mungesë aftësie e drejtuesve të saj në hartimin e strategjive, planifikimin e objektivave, planifikimin e mjeteve dhe burimeve njerëzore për arritjen e këtyre objektivave dhe përcaktimin e mënyrës dhe formave për kontrollin e realizimit të këtyre objektivave nga Organizata. Është e pafalshme që në vitin 2017 Policia të humb kontrollin e territorit, të mos arrijë të mbajë nën kontroll individ me tendeca të mprehta kriminale, të humb besimin dhe mbështetjen tek komuniteti dhe të dalë jashtë objektit të punës së saj duke harruar objektivin themelor, sigurimin e rendit dhe qetësisë publike, sigurimin e jetës dhe pronës, përkundrazi kanë vendosur si objektiva parësor ndërtimet pa leje, lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike apo rritjen e të ardhurave me gjoba maksimale ndaj drejtuesve të automjeteve.
 
Mendoni se ndryshimi i ministrit të Brendshëm do të pasqyrohet edhe me ndryshimet e duhura në polici?
Nuk shikoj që me ardhjen e z. Xhafaj në krye të Ministrisë së Brendshme të kemi ndonjë ndryshim thelbësor në mënyrën e menaxhimit të organizatës apo në ndryshimin e objektivave të saj, pasi kjo lidhet edhe me orientimet që jep qeveria për Organizatën e Policisë. Por ne duhet t’i japim kohën e duhur atij që të shikojmë se si do performojë policia në drejtim të përcaktimit dhe arritjes së objektivave të saj. Ajo çfarë shikoj deri tani është se kemi një Ministër që qëndron më larg nga paraardhësi i tij nga show mediatik, mendoj se ka krijuar më shumë hapësira për rritjen e vendimmarrjes nga drejtuesit e policisë por ai duhet të rikthej kompetencat e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit pasi ato ishin të gjitha të gllabëruara nga paraardhësi i tij z. Tahiri. Ajo çfarë është për t’u vlerësuar është fakti që z. Xhafaj pranoi realitetin e kanabizimit të gjithë territorit dhe shkarkoi nga detyra një pjesë të përgjegjësve të kësaj situate. Megjithatë ai duhet të shkoj më tej duke analizuar situatën e krijuar në identifikimin dhe vendosjen para drejtësisë të gjithë personat përgjegjës.

Qeveria së fundmi është shprehur se do të luftojë me çdo çmim krimin dhe trafikun e drogës. Madje ka paralajmëruar ndëshkim për çdo polic që mbështet krimin. Si e lexoni këtë mesazh?
Së pari, qeveria duhet të japë mesazhin dhe të shkëputet përfundimisht nga kjo lloj marrëdhënie që ka krijuar deri tani me botën e krimit dhe së dyti, duhet të distancohet dhe të lejojë që policia të bëjë detyrën që i takon. Qeveria është shkaku kryesor që policia ka arritur në këtë pikë që është sot pasi është 100 % produkt i prodhuar nga ajo për shkak të politikave të gabuara që ka përcjell tek Organizata e Policisë dhe ndërhyrja në kompetencat dhe vendimmarrjet që kanë bërë drejtuesit e lartë të Organizatës së Policisë së Shtetit.

Ambasadori amerikan foli hapur. Shqiperia kontrollohet nga klane mafioze. si e konsideroni këtë deklaratë?
Ne kemi parë dy herë në 27 vite demokraci, që Ambasada Amerikane të mbajë deklarata të tilla në lidhje me situatën e rendit, në vitin 2004 ish -Ambasadori Jeffrey deklaroi se katër klane mafioze kontrollojnë jetën politike dhe ekonomike të vendit dhe sot në 2017, Ambasadori Lu e shtoi dozën në katër klane dhe 20 familje mafioze. Mendoj që është një përfundim i arritur nga informacionet që i janë drejtuar Ambasadës Amerikane nga institucione ndërkombëtare që monitorojnë punën e Organizatës së Policisë në vendin tonë, nga raportet që kanë prodhuar organizmat ndërkombëtare, të cilat kanë qenë nga më negativet në vitet e fundit.

Keni një mesazh për politikën dhe drejtuesit e policisë së shtetit??
Politika të qëndrojë larg Organizatës së Policisë në mënyrë që të kemi një organizatë të depolitizuar siç ligji e dikton dhe të jetë vendimmarrëse në rrugët që ajo zgjedh për të realizuar objektivat që i përcillen asaj për zgjidhje nga Qeveria. Organizata e Policisë të analizojë situatën e krijuar në vend duke identifikuar arsyet dhe faktorët që kanë sjellë këtë situatë, të planifikojë detyrat që duhen zgjidhur, mjetet dhe burimet njerëzore të nevojshme me qëllim rikthimin e kontrollit të territorit dhe rritjen e besimit të komunitetit tek policia, nëpërmjet rritjes së parametrave të rendit dhe sigurisë publike, duke e bërë jetën e qytetarit më të sigurt si dhe të përcaktojë saktë mënyrën e kontrollit të realizimit të objektiva të përcaktuar prej saj.