Akademiku Alfred Uçi:“23 Qershori, një nyje e rëndësishme e historisë tonë”

592
Sigal

Akademiku Alfred Uçi, në intervistën ekskluzive për “Telegraf”, pranon që rezultatin zgjedhor të 23 Qershorit e ka pritur me gëzim të jashtëzakonshëm, edhe pse është disi i vonuar. E vlerëson rezultatin e zgjedhjeve të 23 Qershorit si “një nyje e rëndësishme e historisë tonë”, madje, duke e krahasuar me ardhjen e Skënderbeut në Krujë, e deri te 1991-shi. Akademiku Uçi argumenton përse nuk është mbyllur periudha e tranzicionit, duke dhënë 3 arsyetime dhe, së fundi thotë se: “Të ishte mbyllur tranzicioni do të kishim qenë në Europën e Bashkuar”. Por, ajo që dëshiron të theksojë Akademiku Uçi është “rezultati i zgjedhjeve, duke u zhvilluar paqësisht, të shtyn drejt një leximi serioz  e mësimdhënës të tij”. Dhe, rëndësia e këtij leximi të rezultatit zgjedhor, sipas Akademikut Uçi, “duhet të përmbajë të vërtetën, jo vetëm për disfatat reale, por edhe për arritjet, fitoret, që s’i kanë munguar asnjërës palë”. Këshilla e parë që Akademiku Uçi i jep forcave progresiste, fituese të zgjedhjeve është “detyra e parë më e ngutshme, më e vështirë dhe më e rëndësishme për Aleancën e Rilindjes është të hartojnë strategji shkencore për të gjithë problemet dhe perspektivat e zhvillimit të vendit, duke u mbështetur dhe këshilluar me shkencëtarë e specialistë të zotë e të ndershëm”.

 -Prof. Uçi, si e pritët rezultatin e zgjedhjeve të 23 Qershorit?

– Me gëzim të jashtëzakonshëm, sepse erdhi pas një pritjeje shumë të gjatë të një mase të madhe njerëzish, të cilët me votën e tyre zgjodhën lirisht e të qetë e me besim shumicën absolute të Aleancës së Rilindjes, që të drejtojë Parlamentin e qeverinë katër vitet e ardhshme. Por ky gëzim përcolli edhe shqetësimet për vonesën e kësaj fitoreje dhe ringjalli shpresa të reja për një  të ardhme të mbarë për gjithë popullin.

– Përse e  quajtët gëzim të vonuar?

Sepse më sjell në mendje edhe kujtime të atyre ditëve, kur po rrokullisej regjimi totalitar, monist  dhe kur lindën shpresa për të ndërtuar një Shqipëri më të mirë, demokratike, të lirë dhe të denjë për të hyrë në Bashkimin Europian. Por, siç dihet, kthesat e thella  radikale janë procese të ndërlikuar dhe të vështirë, sepse Historia  nuk ecën sipas dëshirave, utopive e ëndrrave njerëzore, sado të bukura të jenë. Historia ecën sipas ligjeve e huqeve të saj. Dhe vërtet faza e parë dhjetëvjeçare e periudhës së tranzicionit (1991-2000) ishte e ngarkuar me kontradikta të ashpra, me zigzage e konflikte e procese kaotike, që u mbyll me ndihmën e ndërhyrjes diplomatike e ushtarake të Bashkimit Europian dhe të NATO-s dhe vendi shpëtoi nga një luftë civile irracionale. Prandaj, në këtë fazë  mbizotëroi entuziazmi dhe veprimi i prishjes, se sa i ndërtimit. Por, periudha e dytë 13-vjeçare, gjithashtu, ishte kontradiktore, me konflikte të ashpra politike, pati fitore dhe humbje për të dy krahët kryesorë të politikës shqiptare. Ja përse e quajta rezultatin e zgjedhjeve të qershorit “gëzim i madh i vonuar”.

– Domethënë, me këtë që thatë, ju nisni leximin e rezultatit të zgjedhjeve?

– Po, rezultati i zgjedhjeve, duke u zhvilluar paqësisht, të shtyn drejt një leximi serioz  dhe mësimdhënës të tij. Ai ka nisur, artikuj e debate evidentohen mjaft të vërteta, por ka edhe opinione, që, me dashje ose pa dashje, po japin edhe vlerësimin të pasakta, ose të gabuara. Kështu, dëgjova atë që tha  i pari, se përgjegjësinë për këtë disfatë të PD-së e mban të tërë, “personalisht vetë”.  Por ai heshti.  Shkaqet, fajet, gabimet, të metat, që e shkaktuan disfatën, nga edhe rrjedh jo vetëm përgjegjësia, por edhe mësimet, që nxirren për të siguruar vazhdimësinë e asaj politike që dështoi në këto zgjedhe dhe më tej, e mbylli diskutimin, duke renditur një për një rezultatet e suksesshme të kësaj politike 20 -vjeçare që ka ndjekur PD-ja. Të mos harrojmë se për një lexim më të saktë të rezultatit të zgjedhjeve të fundit  ka nevojë edhe pala tjetër fitimtare, tashmë, madje, jo vetëm për fitoret e saj të herëpasherëshme, por edhe për disfatat që, gjithashtu, nuk i kanë munguar edhe kësaj (nuk ka rëndësi që liderët e saj i ka pasur të ndryshëm). Madje, dua të theksoj, se ndër ato arritje pozitive që përmenden për PD-në, në ‘to ka kontribuar, më pak apo më shumë, edhe PS-ja, LSI-ja etj., dhe ato kanë qenë edhe nga rastet e bashkëpunimit të palëve kundërshtare, pastaj ato janë edhe rezultat i gjithë shoqërisë, popullit. Të mos  harrojmë, se ky i fundit është Sovrani e Kryegjykatësi më i drejtë.

– Ju profesor, kërkoni që në lexim të vlerësohen edhe rezultatet pozitive të periudhës së tranzicionit?

– Po, leximi duhet të përmbajë të vërtetën, jo vetëm për disfatat reale, por edhe për arritjet, fitoret, që s’i kanë munguar asnjërës palë. Unë dua të theksoj rëndësinë e madhe historike të rezultatit të zgjedhjeve të fundit. Them “historike”, se më kujtoi ca nyje nga më kryesoret e historisë të kombit tonë. Më kujtoi ardhjen e Skënderbeut në Krujë, ku u foli dhe u tha shqiptarëve: “Lirinë nuk ua solla unë, po e gjeta në zemrat, shpirtin tuaj liridashës, atdhetar!”. Më kujtoi Lidhjen e Prizrenit, Rilindjen Kombëtare, ditën e shenjtë të Shpalljes të Pavarësisë kombëtare të 28 Nëntorit 1912, edhe të periudhës së Pavarësisë, kur plekseshin mbeturinat e feudalizmit anadollak me elemente të kapitalizmit, që u mbyll kjo periudhë me pushtimin e vendit nga shtetet fashiste. Më kujton edhe Lëvizjen Nacional Çlirimtare, e cila u mbyll me ditën e Çlirimit – 29 Nëntor 1944, ose vitin 1991 të Demokracisë. Këto janë nyje edhe fitoresh, por edhe humbjesh, për shkaqe objektive e subjektive, por të brendshme ose të jashtme. Shqipëria ka ecur përpara, por ka pasur edhe pësime regresive.

– Profesor, cilat janë rezultatet e arritura pozitive të kësaj periudhe?

– Rezultate pozitive brenda kësaj periudhe tranzicioni janë të shumta, që shihen me sy e mend nga secili shqiptar, që banon këtu, ose edhe nga vizitorët emigrantë, madje, edhe nga shumë të huaj. Nuk dua t’i bëj listën këtyre, por s’dua as ta kufizoj  vetëm me “Rrugën e Kombit”, me “Tunelin e Kërrabës”, ka të tjera arritje që janë më të rëndësishme, si “liria e mendimit”, ndërtimi i shkollave”, vizat e qarkullimit jashtë shtetit etj., etj.. Kur udhëtoj me makinë në Durrës, shikoj copa trojesh të lira, ara, por, kur kthehem pas tre muajsh, i shoh të zëna me godina shumëkatëshe, me uzina, banka, supermerkate, universitete etj..  Po kështu, lagje të reja të Tiranë kanë ndryshuar kaq shumë, saqë kam humbur rrugën e s’dilja dot te vendi që desha, se nuk e njihja këtë lagje të re, të mbushur me godina të reja të bukura.

– Cili është shkaku i këtij zhvillimi? Merita e kujt është?

– Unë nuk jam i kënaqur me projektet, me premtimet dhe me programet e 70 e ca partive politike, që më tepër kanë karakter elektoral dhe ngarkohen me shumë parulla  vitrinash elektorale. Faktor vendimtar të të këtij progresi të Shqipërisë të sotme ka qenë dëshira e madhe e popullit, që të mos vuante më nga hallet, të angazhohej me vullnet të lirë në ndërtimin e një Shqipërie së Re. Rezultatet pozitive nuk kanë qenë, siç shpjegohen shpesh, por gabimisht nga “gjenialiteti” i këtij, apo atij lideri, nga urtësia ose autoritarizmi i tij, të ndonjë ministri të shquar për mençurinë e tij, ndonëse ka ministra që kanë ditur vetëm të mbushin xhepat e tyre me pare ryshfeti, korrupsioni, deri edhe krimi. Nga ana tjetër, faktor vendimtar ka qenë marshimi i kapitalizmit bashkëkohor, i cili ka forcë krijuese zhvillimi të jashtëzakonshme. Në qoftë se s’u  mjafton shembulli që përmenda, e autostradës Tiranë-Durrës, shihni në televizor dhe internet si marshon kapitalizmi në Kinë, në Brazil, në Korenë  e Jugut, në Venezuelë apo në Afrikën e Jugut. Por kapitalizmi ka edhe dobësitë e veta. Krizat periodike, diferencimin social në pak miliarderë e pasanikë dhe miliona e miliona të varfër, që ankohen e vuajnë nga uria e nga fatkeqësi të tjera. Por në përparimin që ka arritur Shqipëria, nga rruga kapitaliste kanë depërtuar droga, prostitucioni masiv, korrupsioni financiar, papunësia e përhershme masive, shkatërrimi i begative natyrore, shfrytëzimi i njeriut nga njeriu etj., etj.. Tek ne u çelën bankat piramidale, që vodhën gjithë kursimet modeste të gjithë popullsisë të fshatit e qyteteve. Prandaj, gjatë 20 viteve të fundit, ka pasur arritje pozitive, por ka pasur edhe ekzistojnë shumë gjëra të nevojshme e të dobishme pa u bërë. Prandaj, leximi i rezultatit të zgjedhjeve të fundit ka nevojë të mos i harrojë as arritje, por as problemet e mëdha të pazgjidhura.

– Përmendët kryesisht fenomene social -ekonomike, por a nuk ka fusha të tjera, ku mbeten detyra të rëndësishme për t’u plotësuar?

– Sigurisht, në programet e partive politike ka elementë  që vijnë nga studimet shkencore, në përgjithësi më tepër mbushen me elemente elektorale, propagandistike publicistikë, me parulla të përgjithshme që sajohen me intuitë, ose me hamendje, të cilat kanë karakter lavdërues, thirrës, madje e virtual. P.sh, një fizikan, që kishte qenë i Majtë dhe tani është Djathtë, kishte përgatitur për PS-në një studim shkencor me rezultatin e pritshëm të zgjedhjeve të 23 Qershorit. Konkluzioni i tij “shkencor” ishte se, Aleanca e Rilindjes do të humbiste, ndërsa ndodhi e kundërta dhe,  veç të tjerave, as qeveria që largohet nga këto zgjedhje, por as ajo që do të vijë, nuk kanë ku të mbështeten për përgatitjen e programeve, strategjive të studimit e të zgjidhjes së problemeve, që dalin nga jeta dhe zhvillimi i saj.  E them këtë se në një artikull mjaft të mirë, kishte një titull “leximi’ që e shpallte “Tranzicionin të mbyllur, të përfunduar”. Unë s’kisha për ta quajtur “të mbyllur” më 23 Qershor, pavarësisht nga humbja ose fitorja të palëve të kundërta.

– Përse ju nuk do ta quani tranzicionin “të mbyllur” në Shqipëri, tashmë pas 22 vjetëve të demokracisë?

– Sepse unë e di që fjalët që përdoren për të shprehur konceptin historik të “periudhës së tranzicionit”, kanë fituar në shkencën e historisë ose të sociologjisë kuptimin e një termi shkencor, siç është termi tjetër historik “epoka”.  Të dy këta terma janë shkencorë dhe dallohen vetëm nga aspekti sasior i kohëzgjatjes së tyre të  ndryshme. Por nuk është ky arsyetim termash shkencorë, që më shtyn të pranoj se, s’është mbyllur periudha e tranzicionit, së pari, ngaqë gati gjithë historia e të kaluarës sonë ka qenë një varg periudha tranzicioni, nga Perëndimi në Lindje, pastaj nga Lindja në Perëndim, nga  paganizmi në krishtërim, nga Bilanci tek Perandoria Osmane, nga Turqia tek Pavarësia, më tej, tek mbretëria zogiste, Italia fashiste. Me çlirimin, filloi periudha e tranzicionit, demek drejt socializmit, që u shndërrua në diktaturë moniste e në tranzicionin e fundit të pluralizmit. Së dyti, çdo periudhë tranzicioni është shkëputje e pjesshme nga e kaluara dhe përftim tiparesh e karakteristikash të së ardhmes, është e dyzuar, gjysmake, zigzage e papërfunduar. Së treti, edhe ne vazhdojmë të jemi ende në periudhë tranzicioni, sepse kanë mbetur pa u plotësuar shumë anë të rëndësishme të sektorëve kryesorë të jetës së shoqërisë: kombi vazhdon të jetë i ndarë në katër-pesë copa, edhe të pavarura, edhe të varura, të njohura e të panjohura ndërkombëtarisht. Unë nuk e quaj periudhën tranzitore në vetvete një gjë vetëm e keqe, por brenda saj, krahas gjërave të mira që janë bërë këto 15 vitet e fundit, plot gjëra janë bërë keq e shtrembër, në funksionimin e shtetit e të ekonomisë, të kulturës e arsimit, mjekësisë, të qyteteve dhe fshatit, të Veriut e të Jugut. Të ishte mbyllur tranzicioni do të kishim qenë në Europën e Bashkuar, e cila deri pardje nuk besonte se ne shqiptarët mund të bënim zgjedhje parlamentare të lira, normale sipas rregullave të demokracisë bashkëkohore. Ajo e di se, korrupsioni është i theksuar në gjithë sektorët e jetës dhe të shtetit. Ajo e di se ka varfëri e  papunësi kolosale, se po zhduket popullsia e zonave të tëra malore e po krijohet metropoli, ku jeta bëhet e lodhshme e kontradiktore me probleme të pazgjidhshme sociale, ekonomike e politike, etj., e të tjera. I themi këto se forcat progresiste, që kanë shumicën në Parlament, duhet të kenë programe shkencore të sakta, për t’i njohur problemet, detyrat e pikësynimet kryesore të zhvillimit të këtyre katër viteve që vijnë dhe më tej, drejt së ardhmes. Po ku t’i gjejnë këto studime? Dikush mund të kujtojë Akademinë e Shkencave, por ajo po jep shpirt se shkenca për ‘të u bë e pafuqishme për të mbajtur pesha të rënda; ajo që po jep shpirt, është krijuar nga dëshira e rilindësit Sami Frashëri. Dikush tjetër mund të kujtojë universitetet, por ata po mbetën siç janë do të jenë në gjendje të prodhojnë, së pari, një mori të diplomuarish prej tyre, që do të mbeten të papunë. Së dyti, do t’ua kalojnë bankave dhe ndërmarrjeve ekonomike, për nga fitimet dhe në bursë, para falimentimit të tyre, aksionet e tyre do të kenë vlerën zero, në qoftë se nuk do t’i “ndihmojë” pinjolli  i senatorit të Legës së Veriut në Itali, Renzo Bossi,  i cili pagoi për të marrë diplomë universiteti  privat në Shqipëri. Themeli i këtyre universiteteve është ideologjia e afarizmit fitimprurës dhe e  korrupsionit më të turpshëm. Këta të kujtojnë emrat shqip, që ua vuri akademive e universiteteve mesjetare obskurantiste të Spanjës. Fan Noli, kur përktheu romanin “Don Kishoti” të Servantesit, që të kuptonin shqiptarët si i pati kritikuar Servantesi gjenial në shqip, i cilësoi universitetet e prapambetura me  emrin e “Universitetit të Domosdovës dhe të Rrogozhinës”. Prandaj, detyra e parë më e ngutshme, më e vështirë dhe më e rëndësishme për Aleancën e Rilindjes është të hartojnë strategji shkencore për të gjithë problemet dhe perspektivat e zhvillimit të vendit, duke u mbështetur dhe këshilluar me shkencëtarë e specialistë të zotë e të ndershëm.

Ja përse tranzicioni  ende nuk është mbyllur në Shqipëri

Ne vazhdojmë të jemi ende në periudhë tranzicioni, sepse kanë mbetur pa u plotësuar shumë anë të rëndësishme të sektorëve kryesorë të jetës së shoqërisë: kombi vazhdon të jetë i ndarë në katër-pesë copa, edhe të pavarura, edhe të varura, të njohura e të panjohura ndërkombëtarisht. Unë nuk e quaj periudhën tranzitore në vetvete një gjë vetëm e keqe, por brenda saj, krahas gjërave të mira që janë bërë këto 15 vitet e fundit, plot gjëra janë bërë keq e shtrembër, në funksionimin e shtetit e të ekonomisë, të kulturës e arsimit, mjekësisë, të qyteteve dhe fshatit, të Veriut e të Jugut. Të ishte mbyllur tranzicioni do të kishim qenë në Europën e Bashkuar,

Vijon në numrin tjetër

 – Faleminderit!

Profili akademik i Prof. Alfred Uçi

Prof. Alfred Uçi është Anëtar (Akademik) i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ai është, gjithashtu, anëtar themelues i Institutit të Sociologjisë dhe anëtar i Bordit Akademik të tij në Tiranë.

 Ndër librat e shkruar e botuar prej tij përmendim:

         Estetika, jeta, arti (1970);

         Probleme të estetikës (1976);

         Labirintet e modernizmit (1978); Çmimi i Republikës klasa e I.

         Probleme të estetikës (1980); Prishtina, Jugosllavia.

         Mitologjia, folklori, letërsia (1982); Çmimi i Republikës i klasa e I

         Çështje teorike të estetikës dhe të kulturës (1986);

         Estetika – Vëllimi I, II, III (botim 1987-1988); çmimi i Republikës klasa e I.

         Shekspiri në botën shqiptare (1996);

         Dostojevski në kohën tonë (1997);

         Ferrparajsa Danteske (1998);çmimi i Ministrisë së Jashtme të Italisë.

         Prometeu dhe Hamleti (Botuar greqisht, në Athinë, 1998);

         Grotesku kadarean (1999);

         Estetika e groteskut – Teoria dhe historia (2001);

         Estetika  në letërsinë shqipe. Shkup, Maqedonia  (2001); çmimi “Penda e argjendtë”, 2003.

         Paradigma të ndërgjegjes shoqërore – estetikë filozofike (2001);

             Filozofia e T. A. Kavaliotit, Voskopoja dhe Akademia e Re, shek.XVIII  (2004);çmimi “Exelence” –2007,UE.

             Estetika e folklorit, 2007,p.506.

         Universi estetik i Antikitetit greko-romak, vëllimi i(2003); p.411.

         Universi estetik i mesjetës, vëll. II (2005); p.4006.

         Universi estetik i botës moderne; shekulli  XVIII-XX, vëll. III (2008);p.601.