Agron Duka:“Politikën e bëjnë njerëzit e suksesshëm në jetë”

208

Tani jam nën siglën e Partisë Republikane, e cila është djathtas, apo brenda aspiratës, ideve dhe vendit ku më takon mua të jem. Sinqerisht, ndihem mirë, jam i qetë dhe, mbi të gjitha, i vlerësuar e mirëpritur.

Agron Duka është një personazh i politikës, i cili nuk u bë kurrë “prapavija” financiare e liderit apo partisë, nga qenia biznesmen i madh, dhe, ca më shumë,  nuk e përdori politikën si një “trampolinë” për të arritur me çdo kusht suksesin e biznesit, siç ndodh rëndom në politikën shqiptare. Kjo mund të shpjegojë edhe mosdakortësinë e tij me kryetarin e PS-së, për renditjen e tij në listat e kandidatëve dhe “divorcin” politik  të zotit Duka me PS-në. Zoti Agron Duka, në intervistën për “Telegraf” pohon, se kandidimi i tij në PR, bëhet, së pari, pasi bindjet e tij janë të djathta, këtu e vlerësojnë, por, më e rëndësishmja, zoti Duka  ka si aksiomë që “politikën e bëjnë njerëzit e suksesshëm në jetë”, ndaj përvoja e tij, si biznesmen, e ndihmon dhe i jep një shtysë e besim më të madh edhe në misionin e politikanit. Zoti Duka kërkon votën në siglën e PR-së, sepse  “tek personi im shohin njeriun që do t’i përfaqësojë denjësisht në Parlamentin e ardhshëm.”.

 Zoti Duka, përse e ndjeni të domosdoshme që të jeni aktiv në politikë? Kur një biznesmen i madh, përzihet drejtpërdrejt më politikën, a nuk është shumë i madh rreziku që të krijohet opinioni, që biznesmeni e përdor politikën si armë për të mbrojtur interesat e veta ekonomike?

Më vjen mirë që pyetja e juaj është e drejtpërdrejtë. Politika është një art, detyrim dhe profesion, i cili vjen natyrshëm tek  njerëzit, që janë të suksesshëm në jetën e tyre, tek njerëzit që dinë të duan, udhëheqin e respektojnë komunitetin, ku jetojnë dhe tek ata që  rri bukur  përgjegjshmëria njerëzore. Me gjithë përfshirjen e biznesit tim të madh, në rastin konkret, mendoj se unë kam dhënë prova për vërtetësinë e mësipërme, e për rrjedhojë,  për të mbetur në politikë. Pavarësisht nga qenia ime në parlament apo qeveri, në pozitë  apo opozitë, ndikimi në biznesin e stabilizuar është nul.

– E thënë, ndryshe, a mund të jeni objektiv, si ligjbërës, në hartimin e politikave ekonomike, që do të cenojnë drejtpërdrejt “të drejtat” e fitimeve që keni nga biznesi?

Objektiviteti i bërjes së ligjeve varet nga disa faktorë të rëndësishëm, objektiv dhe  të përcaktimit politik. Kjo gjë nis nga programi i partisë, të cilën përfaqëson, nga orientimi i këtij programi në raport me kohën, zhvillimin dhe ecurinë e vendit. Unë, që kam njohje reale me botën e biznesit, jam i vetëdijshëm se kjo fushë ka jetëgjatisi atëherë, kur ka një angazhim të plotë  në korrektësinë  e detyrimeve të saj. Politikat ekonomike të një vendi në dinamikën, strategjinë dhe realitetin  e tyre përmbledhin një mori faktorësh me përmasa shumë më të mëdha se kartoni i një deputeti.

– Besoni te Rama, i cili tha se të gjithë biznesmenët që janë kandidatë, nëse fitojnë, do të heqin dorë nga biznesi. Ju do ta bëni, e quani nevojë?

– Zoti Rama ka idetë e tij për politikën, biznesmenët etj.. Unë dëshiroj të flas për veten time dhe subjektin politik që përfaqësoj. Në rast se një gjë të tillë do të ma kërkojë ligji, unë i nënshtrohem atij, sikundër  të gjithë shqiptarët.

– Zoti Duka, më ka bërë përshtypje një pohim i juaji i kohëve të fundit. Pranoni që jeni i djathtë, ndërsa deri para pak ditësh i përkushtoheshit kauzës së Majtë. Përveç kontradiktës, ju kontribuonit te e Majta gjatë gjithë kohës,  për çështje interesash, apo për çfarë tjetër?

E vërteta është se e Majta më ka bërë e para ftesën për të hyrë në politikë,  por e vërteta tjetër është se unë asnjëherë,  edhe pse isha deputet e ministër, nuk u bëra anëtar i PS-së. Tani jam nën siglën e Partisë Republikane, e cila është djathtas apo brenda aspiratës, ideve dhe vendit, ku më takon mua të jem. Sinqerisht, ndihem mirë, jam i qetë dhe, mbi të gjitha, i vlerësuar e mirëpritur.

– Meqë ju keni kontribuar në hartimin e një programi elektoral për Bujqësinë, te PS-ja, sot, në këtë pozicion që jeni, çfarë keni mbajtur dhe çfarë keni shtuar, meqë jeni në një kah të kundërt politik?

Bujqësia  është profesioni im i parë. Këtu ju duhet të shtoni  edhe eksperiencën  si ministër, për të arritur tek një program i vërtetë kombëtar. Programin e bujqësisë unë nuk e hartova si socialist, por si një specialist i mirëfilltë, përkrah njerëzve të zot e me mendje të ndritur në këtë fushë të rëndësishme të jetës në vendin tonë.

– Duke shpjeguar arsyet e kalimit tuaj në PR, keni pohuar se, “I përmbahem kontratave”. E keni fjalën për politikën? Kujt kontrate duhet t’i përmbaheni? Me liderin e një kahu politik? Me elektoratin? Apo bindjeve politike?

Në pyetjen tuaj ju rendisni  si përmbajtje një sërë kontratash. Realisht, deklarata  ime  ‘Jam njeri që i përmbahem kontratave “është përqendruar si kundërthënie e zërave e thashethemeve të devijimit paszgjedhor. Kontrata ime me Partinë Republikane është dhe do të mbetet e pacenuar nga ana ime.

– Kur përmendni “kontratën në politikë”, kjo a ka të njëjtin kuptim me moralin politik, apo me moralin e politikanit?

Morali i politikanit  për mua është tepër i rëndësishëm, sepse aty kanë zanafillën e vet të gjitha veprimet, ose mosveprimet  e tij politike, ndërsa për moralin politik shembujt, faktet dhe emrat janë me lista shumë të gjata. Një herë tjetër do të gjejmë kohën të flasim edhe për to.

– Jeni shprehur për Ramën se, “një nga gabimet e Ramës është që e transferoi PS-në kryesisht tek bashkitë”.  Sipas jush, përse Rama e bëri këtë dhe cili është gabimi?

Për Ramën kjo është mënyra që ai ka zgjedhur për të drejtuar Partinë Socialiste. Ai mendon se Kryetarët e Bashkive që kanë fituar për pushtetin vendor, mund të marrin përsëri vota edhe në këtë raund të zgjedhjeve parlamentare. Kjo për mua është e gabuar, sepse specifikat janë krejtësisht të ndryshme dhe demotivimi i anëtarësisë së partisë është evident, ata ndjehen të anashkaluar në vendimmarrjet partiake.

– Thoni se, “Njeriu për të arritur një rezultat duhet të niset nga e tashmja”. Edi Rama, nga cila e tashmja, është nisur, për kandidatët që ka futur në listën e PS-së?

Për këtë duhet të pyesni Edi Ramën. E tashmja ime ndryshon nga e tashmja e tij.

–  Kë bindje keni: Elektorati voton kandidatin apo partinë? Sepse në rastin tuaj, shpresoni që elektorati që ju ka besuar deri tani, mund t’ju rijapë votëbesimin? Dhe elektorati i djathtë, shpresoni t’ju japë votën, meqë jeni në kahun e tij?

Besoj se këtë histori zgjedhore  2013-s,  më i mençuri është elektorati. Është pikërisht ai që do të gjykojë më drejtë e më saktë për të ardhmen e vet dhe të Shqipërisë në tërësi. Vota për kandidatin padyshim është e ndërthurur me votën për Partinë, sepse formula e këtij Kodi Elektoral e lejon dhe e pranon këto lloj gjëje. Unë kërkoj votën e atyre njerëzve që besojnë tek Partia Republikane dhe të tjerëve që tek personi im shohin njeriun që do t’i përfaqësojë denjësisht në Parlamentin e ardhshëm.

– Mendoni se PD-ja mund t’ju konsiderojë aleatë të natyrshëm juve?

Ne jemi së bashku në koalicionin e djathtë.

– Deri tani keni këmbëngulur për një rotacion. Po tani, a keni të njëjtin mendim? Atëherë e thoshit, nga detyrimi partiak, apo e ndjenit si domosdoshmëri edhe vetë ju?

Në politikë suksesi ose objektivi nuk bazohet vetëm në këmbëngulje. Reflektimi, gjykimi, vlerësimi dhe vendimmarrja në kohën, rrethanat dhe  momentin e caktuar janë veprimi i duhur, të cilin besoj se e kam gjetur saktë.

E vërteta e “divorcit” me Edi Ramën

– Sikur Edi Rama, t’ju kishte plotësuar dëshirën që ju të kandidonit në Shijak, do të kishit arsye që të qëndronit në PS, meqë tani pohoni se jeni i Djathtë?

Unë jam Agron Duka shumë pak ose asnjëherë  nuk kam ecur në jetë me sikur, sepse kur zgjedh për të realizuar diçka nisem për ta bërë atë shumë mirë. Të gjithë që kanë punuar me mua, apo të tjerë që më njohin, e dinë se themelet e parimeve të mia  janë ndërtuar së toku  me  bashkëpunimin, respektin, profesionalizmin dhe mirënjohjen. Për fatin tim, unë  këto virtyte nuk i lashë andej nga kalova, por i gjeta këtu tek  jam sot në pozicionin  e natyrshëm e Djathta dhe Partia Republikane.

 – Ju faleminderit!