Administrata, “peshqesh” për mercenarët e Rilindjes

189

Shpërthen deputeti socilaist i Kurbinit, Gjetan Gjetani: Kritikat për qeverinë Rama dhe pse koncepti i ‘Rilindjes’ janë PPP dhe jo buka e gojës për qytetarët. Në prag të zgjedhjeve nis furtuna në administratë, gati zëvendësimi i 568 punonjësve

Deputeti socialist, Gjetan Gjetani kritikon qeverinë e kryeministrit Rama

 Administrata e Kurbinit bëhet “peshqesh” për mercenarët e Rilindjes

Deputeti i përjashtuar i PS-së, Gjetan Gjetani ka dalë kundër kabinetit të kryeministrit Rama duke vënë në dukje të gjitha gjërat që nuk shkojnë në zonën e tij, atë të Kurbinit. Me anë të një statusi në Facebook, Gjetani vë në dukje se Drejtoria e Ujësjellësit nuk e furnizon me ujë zonën, zjarrfikëset nuk ngjisin dot maloren për të shuar zjarrin për shkak të makinave të degraduara dhe se spitali i Kurbinit prej vitesh është kthyer në një qendër shëndetësore, ku pacientët përcillen drejt Lezhës ose Tiranës.

Gjetan Gjetani: Koncepti i Rilindjes për shtetin është PPP

Administrata në Kurbin po gëlon nga militantët e paaftë, teksa ata pak specialistë që kishin mbetur në këtë zonë janë zëvendësuar, pasi koncepti i Rilindjes për shtetin është PPP, e jo shërbimi i devotshëm karshi qytetarëve, teksa Rilindja për pjesën e drejtorllëkut ka menduar dhe nuk e ka lënë vetëm në dorë të militantëve, por edhe në dorë të mercenarëve. Për shkak të skemës re së përfitimit ndihmës sociale, e “kopjuar” në ndonjë vend të BE shumë familje të varfra kurbinase e humbën përkrahjen sociale që merrnin nga shteti, që ishte e vetmja e ardhur mujore për to. Puna të në të zezë dhe emigrimi ishte e vetmja zgjidhje që u mbeti, ndërsa puna për të gjetur skrap në rrënojat e ish-uzinës u ka kushtuar jetën shumë skamnorëve Kurbinas. Kurbini është qyteti që furnizon me ujë një pjesë të mirë të Shqipërisë, ndërsa një pjesë e madhe e Kurbinit vetë nuk furnizohet me ujë, pjesa tjetër furnizohet me ujë që nuk pihet, e kjo i detyron qytetarët e varfër kurbinas të drejtohen tek dyqanet për të blerë ujin e pijshëm. Drejtoria e Ujësjellësit as nuk e ka idenë, cilat janë përgjegjësitë e cilat detyrat e saj, ndërsa koston në fund të muajt e paguajnë banorët e zonës. Drejtoria e Zjarrfikëseve më shumë se me makinat që janë në gjendje të degraduar aq sa nuk ngjisin dot maloren për të shuar një zjarr në kurorën e gjelbër mbi qytet, merret me shpërndarjen e tollonave të naftës mbi bazën e hierarkisë. Nuk e di kur e keni parë për herë të fundit ndonjë drejtor drejtorie të Bashkisë Kurbin apo institucioneve që varën nga Tirana të dalin e të ngrenë një problematike në emër të institucionit që drejtojnë. Ministri i Mjedisit që nuk lë festë në çdo katund të jugut pa bërë një panair apo një aktivitet, Kurbinin nuk e njeh, pasi askush nuk e ka ftuar nga institucionet përgjegjëse, ose më saktë, nuk i ka paraqitur një projekt se si mund të rivitalizohet turizmi në këtë zonë, ndonëse Kurbini ka asete të jashtëzakonshme që turizmi të jetë aktiv në 12 muajt e vitit. Më e pakta ta kenë ftuar për një drekë në Patok, e t’i thonë se kjo perlë e natyrës më pak investime mund të kthehet në një nga destinacionet turistike më të mira në Ballkan. As, Mirela Kumbaro, as Ministrja e re Kulturës, Elva Margariti, që nuk kanë lënë stan pa rikonstruktuar në qarkun e Gjirokastrës, nuk e morën mundimin të vijnë e të hedhin sytë ne Kurbin, vendin ku është hapur shkolla e parë e shqipe, vendin ku kishat shekullore e kalatë ulërijnë prej 7 dekadash që dikush t’i kthejë sytë e t’i rikthejë në identitet. Kumbaro e Margariti me siguri i dinë asetet e Kurbinit, por drejtuesit lokalë që kanë përgjegjësinë t’i evidentojnë këto pasuri të paçmuara, nuk kanë denjuar as ta kalojnë vijën e verdhë të qytetit, për të parë ,nëse janë ende aty.  Në media çdo ditë po shohim se si siguria ushqimore po trajtohet si një problem serioz, teksa institucionet lokale në Kurbin përgjegjëse për sigurinë ushqimore në pazarin e Milotit shkojnë vetëm për ndonjë peshqesh, por kurrë nuk e ngrenë nevojën për ngritjen e një tregu bashkëkohor në Milot, pazari i famshëm i të cilit është një njollë turpi për Kurbinin, lidhur me kushtet ku tregtarët detyrohen të shesin produktet e tyre dhe konsumatorët t’i blejnë. Spitali i Kurbinit prej vitesh është kthyer në një qendër shëndetësore, kur maksimumi bëhet ndonjë gjilpërë ose serum dhe pacientët përcillen drejt Lezhës ose Tiranës, ndonëse nevojat janë që Kurbini të ketë një spital modern. Në aksin Mamurras Lezhë, ndodhin çdo ditë aksidente me pasoja të rënda e, nëse spitali i Kurbinit do ishte funksional, humbjet në jetë njerëzish do ishin më të ulëta. Ndërkohë të mos flasim për rrugët rurale të Kurbinit, që siç thotë Rama: “kanë mbetur rrugëve!”.

Furtunë në administratën publike, largohen 568 punonjës

Largimet nga administrata publike janë rritur me 23.5% gjatë vitit 2018, ndërsa masat disiplinore ndaj punonjësve janë shtuar në masën 150.9% krahasuar me vitin 2017. Sipas të dhënave të Departamentit të Administratës Publike, të siguruara nga Shqiptarja.com, rezulton se, gjatë vitit 2018 janë larguar gjithsej 568 punonjës nga administrata publike për arsye të ndryshme. Prej të larguarve, 229 nëpunës civilë kanë dhënë dorëheqjen, ndërsa 38 janë shkarkuar për shkak të shkeljeve në detyrë dhe në kuadër të luftës kundër parazitëve dhe grabitqarëve në zyrat e shtetit. Gjithashtu, nga grupi i të larguarve, 112 punonjës kanë dalë në pension, 11 janë larguar për shkak të veprimit të ligjit të dekriminalizimit, ndërsa 178 për arsye të tjera, të paspecifikuara. Sipas të dhënave, krahasuar me vitin 2017, në vitin 2018 dorëheqjet janë rritur me 19.9%, daljet në pension me 3.7%, shkarkimet janë rritur me 15.2% dhe largimet për arsye të tjera, të paspecifikuara, me 52.1%. Gjatë vitit 2018, janë marrë 228 masa disiplinore ndaj punonjësve të administratës publike, pa përfshirë 38 masa me largim nga puna, të cilat janë përfshirë në numrin e përgjithshëm të largimeve nga administrata. 34 punonjës janë ndëshkuar me mbajtjen 1/3 së pagës për një periudhë deri në 6 muaj, 96 punonjës me pezullim nga e drejta e ngritjes në detyrë deri në dy vjet dhe 98 me vërejtje. Krahasuar me vitin 2017, gjatë vitit 2018, janë rritur me 15.2% rastet e masës disiplinore “Largim nga shërbimi civil”, janë rritur me 112,5% rastet e masës disiplinore “Mbajtje deri në 1/3 e pagës për një periudhë deri në 6 muaj”, janë rritur me 159.5% rastet e masës disiplinore “Pezullim nga e drejta e ngritjes në detyrë deri në dy vjet përfshirë rritjen në shkallën e pagës” si dhe janë rritur me 390 % rastet e masës disiplinore “Vërejtje”. Në kategorinë ekzekutive janë emëruar 819, në kategorinë e ulët drejtuese 184 persona, në kategorinë e mesme drejtuese 54 persona dhe 17 persona në nivelet e larta drejtuese. Largimet nga administrata (2018). Dorëheqje, 229 nëpunës civilë. Dalje në pension, 112 nëpunës civilë. Masa disiplinore “Largim nga shërbimi civil”, 38 nëpunës civilë. Lirim për shkak të ligjit nr. 138/2015, 11. Arsye të tjera, 178. Masa disiplinore (2018). Mbajtjen deri në 1/3 e pagës për një periudhë deri në 6 muaj, 34 nëpunës civilë. Pezullim nga e drejta e ngritjes në detyrë deri në dy vjet, përfshirë rritjen në shkallën e -pagës, 96 nëpunës civilë. Vërejtje 98 nëpunës civilë.