35 mijë dosje ‘flenë’ në Gjykatën e Lartë, 5515 ankesa në 4 muaj në Kushtetuese

91

Avokati i Popullit jep alarmin: Në Shqipëri mungojnë institucionet kushtetuese të mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut. Dosjeve ankimore për antikushtetueshmërinë e ligjeve u shtohen edhe mijëra dosje, civile, penale e administrative në Gjykatën e Lartë në Apel

Avokati i Popullit: Mungojnë institucionet kushtetuese të mbrojtjes të së Drejtave të Njeriut

 Nuk ka Gjykatë Kushtetuese, 5515 ankesa në 4 muaj, 35.000 dosje “flenë” në Gjykatën e Lartë

Jakup B. GJOÇA

Mazhoranca, por edhe disa ambasadorë të akredituar në Tiranë, pretendojnë se reforma në Drejtësi është një sukses i madh. Mirëpo, vetëm në 4 muajt e fundit janë arkivuar pranë institucionit të Avokatit të Popullit mbi 5.5015 ankesa nga qytetarët, të orientuara kryesisht ndaj administratës publike, e ndjekur më pas nga seksioni i fëmijëve. Kjo për shkak se në Shqipëri për më shumë se 2 vjet nuk ka më Gjykatë Kushtetuese. Ndërkohë që opozita denoncon shumë ligje, të cilat janë miratuar nga mazhoranca në kundërshtim edhe me Kushtetutën, duke filluar që nga procesi i emërimit të kryeprokurores së Përkohshme, e shumë e shumë ligje të tjera, sikundër ai për prishjen e Teatrit Kombëtar, shpronësimin e pronave në Bregdet, etj, por në mungesën e Gjykatës Kushtetuese, askush nuk ka më mundësi të ankimojë. Madje, kjo mungesë e Gjykatës Kushtetuese ka lënë pezull edhe ngërçin e emërimit të ministrit të Jashtëm. Ndërkohë, është paralizuar edhe Gjykata e Lartë, për shkak se nga procesi i vettingut janë përjashtuar nga sistemi i Gjyqësorit shumica e anëtarëve të saj dhe nuk është bërë i mundur zëvendësimi i tyre. Kjo zvarritje ka shkaktuar kolapsin e Gjyqësorit, për shkak se në raftet e Gjykatës së Lartë flenë mbi 35.000 dosje që presin radhën për t’u gjykuar. Së shpejti, me ritmin e ngadaltë të vettingut, do të mbeten pa gjyqtarë edhe gjykatat e Apelit, e ato administrative. Avokati i Popullit Erinda Ballanca në raportimin vjetor të analizës së këtij institucioni në Komisionin e Ligjeve, nënvizoi se reforma në drejtësi nuk po ecën sipas afateve të përcaktuara në ligj. Erinda Ballanca: Mungesa e një Gjykate Kushtetuese efektive dhe mungesa e një Gjykate të Lartë efektive kanë qenë problemi thelbësor në garantimin e të drejtave të njeriut në vend dhe mbetet në vijim edhe përgjatë këtij viti. Nuk është gjetur një zgjidhje përfundimtare për të përgatitur, për të adresuar një ambient spitalor jashtë ambienteve të burgjeve për personat që kanë marrë masa nga gjykata për mjekim të detyruar.