30 mijë vota për një post ministri

455
Sigal

Berisha fut në listën blu krerët e tre partive aleate, të tjerët në garë për vota

Tridhjetë mijë vota për një post ministri. Ky është kursi i ri i bursës së fushatës elektorale të Partisë Socialiste, për konvertimin votave të aleatëve në poste qeveritare. Në këtë kontekst bëhet e ditur se shumica e partive aleate të selisë rozë, kanë përballë tyre, vetëm një alternativë bashkëpunimi, në formën e një kushti. Nëse ata arrijnë të marrin 30 mijë vota, do të kenë të sigurtë një portofol ministror, për kryetarin e partisë së tyre, ose për ndonjë nga drejtuesit e tjerë, të strukturave partiake, Kjo bisedë është bërë gjatë kësaj periudhe, nga ana e Ramës, ose stafit të tij, me 90 për qind të liderëve partiakë të partive aleate, të majta, të cilët sot e tutje, duhet të përveshin mëngët, nëse duan që emri i partisë së tyre, të përmendet edhe pas 23 qershorit. Ndryshe, pas zgjedhjeve të përgjithshme, emrat e shumë partive politike do të kujtohen si fosile të krijesave prehistorike, që nuk do të kenë më të ardhme. Sepse Kodi Zgjedhor, i cili ka favorizuar një sistem bipolar nuk do të ketë kurrë mëshirë për partitë e vogla në të ardhmen. Kjo vjen për mbarëvajtjen e pushtetit të ardhshëm , por edhe si hakmarrje ndaj partive të vogla, të cilat në të kaluarën, kanë bërë ligjin kundrejt ndarjes së portofoleve ministrore. Duke u bërë presion partive të mëdha, se: “Po nuk na dhatë tre ministri, ne do dalim nga koalicioni dhe do shkojmë në zgjedhje të reja, të parakohshme”.

Pazari me votën

Votuesit janë të lirë t’ia japin votën e tyre, cilës parti të duan, por pas numërimit të votave, partitë aleate do të përpiqen të bëjnë pazare me dy partitë e mëdha, duke kërkuar sa më shumë privilegje, apo poste për veten e vet. Kjo është arsyeja që lideri socialist, Edi Rama ka kërkuar që kjo bisedë të bëhet paraprakisht, duke mos zhgënjyer në fund, asnjë prej aleatëve të vet. Prandaj, ai u ka vënë kusht këtyre partive të majta, që nëse duan ndonjë post ministror, atëherë ata duhet të përpiqen të sigurjnë nga elektorati i tyre, numrin prej 30 mijë votash. Në rast se ndonjë prej partive e arrin këtë shifër, automatikisht kjo parti do të përfshihet në qeverisje, por nga ana tjetër, ajo mund të garantojë edhe një vend në Parlament. Në këtë kuadër, duhet thënë se do të bëhet edhe ndonjë përjashtim, për ndonjë parti të veçantë që nuk ka shumë elektorat, por që ka një lidership të fortë. Në këtë përjashtim, emri i parë që diskutohet, se mund të vihet në listën emërore të Partisë Socialiste është ai i Spartak Ngjelës. Sepse partia e tij, “Ligj e Drejtësi”, është një parti ende e panjohur, në elektoratin e gjerë, Dhe shumë njerëz nuk kanë arritur akoma që t’i mësojnë emrin. Por vetë, Ngjela është një politikan i formuar dhe me përgatitje të mjaftueshme intelektuale, për të ndikuar gjerësisht, në elektorat, lidhur me mbështetjen ndaj së majtës. Përveç kësaj, Ngjela është një politikan i vendosur dhe i pozicionuar prej disa vitesh, në skalionin kundër Berishës. Kështu, që Ngjela, i cili është i bindur edhe vetë në mundësitë modeste të partisë së tij, për të mbledhur votat, duket se e ka siguruar një vend në listën e selisë rozë. Nga ana e vet, Partia Socialiste e ka bërë këtë sakrificë, për të marrë kontributin e Ngjelës, gjatë fushatës elektorale, por edhe për të pasur më vonë, një zë të vendosur, kundër Sali Berishës. Ndërsa partitë e tjera, të  majta që kryesohen nga Skënder Gjinushi, Paskal Milo, Petro Koçi, etj, do të luftojnë dhëmbë për dhëmbë në fushatën elektorale, për të mbledhur numrin e duhur të 30 mijë votave, në mënyrë që të integrohen në kabinetin e ardhshëm qeveritar, natyrisht, nëse më 23 qershor fiton Partia Socialiste.

 20 mijë vota

Nëse njëra nga partitë aletae nuk arrin të marrë 30 mijë vota, por mund të kapë shifrën e 20 mijë votave, atëherë pretendimi i saj do të ulet gjer në kufijtë e një zëvendësministri. Dhe nëse ky numër  kap shifrën e 10 mijë vortave, atëherë shpërblimi arrin me një, ose dy drejtorë drejtorish. Ky stimul është dhënë nga Rama me qëllim që partitë aleate, të kërkojnë prej strukturave të tyre, maksimumin e e mundësive dhe nga ana tjetër, të shikojnë veten e tyre në pasqyrë, duke ulur pretendimet.

Reagimi i aleatëve

Aleatët shpresojnë deri në minutën e fundit të dorëzimit të listave rozë, se Edi Rama mund t’i vendos emrat e tyre, në këto lista, nëse ata nuk kërkojnë poste pas zgjedhjeve. Gjatë tratativave të kësaj periudhe mësohet se krerët e partive aleate, nuk kanë shprehur asnjë interes për poste ministrore, por ata kërkojnë me çdp kusht, përfaqësim në Parlament, qoftë ky edhe një përfaqësim minimal, me anë të një deputeti. Për këtë arsye, kryetarët e partive aleate kanë kërkuar nga Rama rishikimin e këtij vendimi, duke mos kërkuar asnjë post, ose duke kërkuar aq poste, sa ua garanton, numri i votave. Ndërsa, në lidhje me kushtin për të mbledhur 30 mijë vota, secili prej aleatëve, e di fare mirë, se nuk do të arrijë dot, t’i mbledhë. Dhe justifikimi për rezultatin e ardhshëm të zgjedhjeve është bërë gati që tani nga këto parti. Ata do të justifikohen me manipulimin e zgjedhjeve, me mashtrimet elektorale, vjedhjen e votave dhe keqformulimin e Kodit Zgjedhor. Me këto justifikime, shumica e partive të vogla dhe të papërfaësuara në Parlament, arritën të shtyjnë ekzistencën dhe pjesëmarrjen e tyre për 4 vjet në politikë. Për hir të së vërtetës duhet thënë edhe fakti tjetër se mbi këto zgjedhje që kaluan, vjedhja nga dy partitë e mëdha ishte e konsiderueshme. Ndërsa, tani, në rast dështimi me numrin e votave, mbijetesa e tyre do të jetë shumë e vështirë. Por nga ana tjetër, shumica e politikanëve që drejtojnë partitë e vogla, nuk  e konceptojnë më, aktivitetin e jetës së tyre jashtë politikës. Kështu që, njëlloj si ish lideri socialist, Fatos Nano, ata do të vazhdojnë të qëndrojnë rreth e qark mjedisit politik, duke pritur ndonjë moment të volitshëm krize, për t’u rikthyer përsëri.

 Aleatët blu

Nga an e vet Partia Demokratike dhe lidershipi i saj, Sali Berisha kanë adresuar tre premtime konkrete, karshi aleatëve, duke i përfshirë liderët e tyre, në listat blu. Në këtë mënyrë, deri tani duket se krerët e partive aleate të djathta, si Fatmir Mediu, Ekrem Spahia dhe Nard Ndoka, etj, duken më të qetë. Ndërsa, Dashamir Shehi ka vazhduar ende të deklarojë se emri i tij nuk është i përfshirë në listat emërore të Partisë Demokratike. Nga ana tjetër, burime pranë Berishës kanë konfirmuar se po bëhet presion i madh nga baza, për mospërfshirjen e emrit të Fatmir Mediut, në to. Por pavarësisht, nga kjo, Partia Demokratike në momentin aktual, synon një bashkëpunim me shumë prej individëve të larguar, si edhe me shumë prej partive që qëndrojnë larg saj. Për këtë arsye, Berisha riktheu Eduard Selamin, afroi Nard Ndokën, i dha një sinjal bashkëpunimi Dashamir Shehit dhe mblodhi informacione rreth gjykimeve të Aleksandër Meksit. Kjo ka ndodhur sepse Berisha po përgatitet për qeverisjen e tretë, e cila sipas tij do të garantojë integrimin dhe rritjene mirëqenies së popullit. Madje, në këtë kontekst, Berisha ka përgatitur edhe një platformë bashkëpunimi me homologët e partive të tjera në Kosovë, Maqedoni, etj. Sidomos, në lidhje me atë, që quhet bashkim kombëtar, apo çështje nacionale. Por pavarësisht, nga kjo, përsëri në kontaktet me partitë më të vogla, edhe liderët blu kanë premtuar poste qeveritare, nëse këto parti arrijn shifra të larta në rezultatet e 23 e qershorit.

 Rezulatti i zgjedhjeve 2009

Rezultati i zhgjedhjeve të përgjithshme në vitin 2009 ka rezultuar kështu: Partia Social Demokrate e Gjinushit ka marrë 26.700 vota, Partia Demokracia Sociale e Milos ka marrë 10.395 vota, Partia G99 e Velisë k amarrë 12.989 vota dhe PBDNJ e Dules k amarrë 16.078 vota. Ndërsa në krahun e djathtë aleatët e Berishës kanë marrë këto vota: Partia Republikane e Mediut ka marrë 31 990 vota, Partia Aleanca Demokrartike e Cekës ka marrë 4.682 vota, Legaliteti i Spahisë ka marrë 10.711 vota dhe Balli Kombëtar ka marrë 5.112 vota.