Xhoi Jakaj: Zgjedhjet e të rinjve mes drogës dhe emigrimit

664
Pedagoge Dr e burgut të grave
Shoqëria jonë është e mbushur me probleme ekonomike, financiare, politike, kulturore, sociale… e sikur të mos mjaftojnë këto, disa të tjera kemi ne kohën t’i krijojmë. (Domosdo do t’i krijojmë përderisa me punë nuk preferon të merret gjysma e shqiptarëve!) Krijimi i sistemit demokratik e përballi vendin tonë me një sërë problematikash, të cilat më parë ndoshta edhe nuk i kishte dëgjuar masa e gjerë e tyre. Demokracia e re e përballi shoqërinë tonë edhe me një liri të cilën nuk dinte as se si ta përdorte. Anijet, gomonet, skafet plot e përplot me shqiptarë në kërkim të një tjetër jete ishin një nga pamjet më të zakonshme të asaj periudhe. E ndërsa disa me lirinë e tyre kërkonin shpresë diku gjetkë, të tjerë nuk dinin ç’të bënin me të. Me dëshirën për t’u bërë po aq qytetarë sa njerëzit e shteteve të tjera Evropiane – kuptohet, çfarë shihnin në televizione e ëndërronin ta realizonin në rrugë e forma të shpejta e shpesh jo të drejta,ata që nuk mundën të largoheshin – (rinia e asaj kohe) filloi të përdorte në masë droga të ndryshme. Pamje të tmerrshme kishin rrugët teksa thuajse në çdo cep të zinin sytë të rinj të shpërfytyruar nga mbidoza. Politika të ndryshme u krijuan e masa nga më të ndryshmet ndërmarrin qeveritë shqiptare njëra pas tjetrës për të zhdukur fenomenin “drogë” – vetëm se lufta kundër drogës është luftë e humbur në çdo vend të botës. Sot, ne pothuajse jemi sërish në të njëjtat pozita si para 26 vjetësh, vetëm se ndryshe nga dikur, të “drogohesh” ose jo është në dorën e gjithsecilit. Sot u kthye në mani kultivimi dhe përpunimi,Megjithëkëtë drogat mbeten një problem shqetësues për shoqëritë anë e mbanë globit. Beteja kundër drogës dhe përdorimit të drogës bën bujë ende dhe për arsye të mira. Sidoqoftë, me gjithë vëmendjen e vazhdueshme që sot “lufta e drogës” merr, duket sikur drogat më të zakonshme sapo janë zbuluar. Edhe pse procesi kryesor i prodhimit të shumicës së drogave shpesh kryhet nga fermerë në disa qoshe të largëta të botës, realiteti është se shumica e drogave moderne u zbuluan mijëra vjet më parë. Evidenca arkeologjike dëshmojnë se opiumi dhe kërpudhat “magjike” janë përdorur pothuajse 10.000 vjet më parë. por nuk flitet shumë për efektet negative të tyre në lashtësi. Sot, drogat janë ilegale dhe ndoshta ky është edhe një nga faktorët që ndikon gjithnjë e më shumë për të tërhequr masën pas tyre. Psikologjikisht sa më shumë t’i thuash dikujt se çfarë duhet të bëjë e çfarë jo, aq më shumë gjasa ka të priret të kryejë veprimet e ndaluara sesa ato që i lejohen; është mëkati themelor i njerëzimit – molla e Evës. Le të bëjmë një historik të shkurtër të drogave që luftohen kaq shumë sot: Opiumi është padyshim droga më e përdorur gjerësisht në historinë e lashtë. Historia e opiumit është e gjatë dhe komplekse, por historianët besojnë se u kultivua së pari nga sumerët në 3400 p e s. Opiumi rrjedh nga lateksi i gjetur në lëvozhgën e luleve të lulëkuqes. Historikisht, droga është përdorur për të siguruar lehtësim dhimbjeje, nxit gjumin, kurimin e diarresë dhe madje edhe përmirëson epshin. Droga është përpunuar sot në derivate si heroina, ndërsa lulja mund të shndërrohet në një çaj të fuqishëm. Afganistani është prodhuesi më i madh i opiumit. Nivelet e prodhimit kanë mbetur të larta, paçka trazirave politike të Lindjes së Mesme. Kërpudhat Magjike (Psilocybin) janë përdorur nga njerëzit e lashtë në shkretëtirën Sahariane, si dhe në të gjithë kulturat e Amerikës Qendrore dhe Jugore. Kërpudhat magjike shquhen për krijimin e halucinacioneve, për të cilat përdoruesit e lashtë besonin se u ofronin qasje në nivele më të larta të inteligjencës. Besohet gjerësisht nga studentët e historisë së drogës, se halucinacionet e shkaktuara nga kërpudhat magjike çuan në disa nga evolucionet më të famshme fetare dhe kulturore të të gjithë specieve tona. Marijuana – droga që ndan botën. Mijëra vjet besohet të ketë qenë përdorur në Azinë e lashtë Qendrore dhe Jugore. Një varr 2.7000-vjeçar në Kinën perëndimore shfaq provën më të fundit, se kjo drogë është përdorur si substancë psikoaktive në kohët e lashta. Kanabisi (siç njihet ndryshe) është kultivuar në të kaluarën për fibrat e tij (kërp) si edhe për t’u përdorur si ilaç kundër dhimbjeve e për të krijuar një gjendje të qetësisë mendore. Edhe pse kanabis është ende i paligjshëm në shumicën e vendeve, ka raste të legalizimit mjekësor për shkak të përdorimit të tij në trajtimin e glaukomës dhe rritjes së oreksit të trupit. Të tjerë dëshmojnë edhe si medikament kundër kancerit. Kokaina – gjethet e kokainës janë përdorur si çaj mjekësor nga fiset MAJA për shkak të efekteve të fuqishme stimuluese. Kjo lloj droge është shumë e fuqishme: vetëm 100 gram gjethe bimore përmban sasinë e rekomanduar ditore për vitamina, hekur, fosfor, kalcium dhe hekur. Me gjithë këto efekte pozitive që duket se këto droga kanë dhe historinë e tyre të lashtë sa e gjithë bota, pse janë ilegale dhe pse iu bëhet kaq shumë jehonë efekteve negative të tyre? Të kujtojmë se si këto droga janë bërë ilegale: ndalimi i marijuanës lidhet me racizmin. Në vitin 1937 u ndalua në SHBA pasi përdorimi i saj bënte femrat e bardha të donin të shoqëroheshin me zezakët. Opiumi është droga e parë e ndaluar që në 1914, pasi përdorej nga kinezët që ndërtuan hekurudhat në Amerikë. Kokaina është bërë e jashtëligjshme më pas – pasi lloji krak i saj u bë në masë nga popullsia me ngjyrë, edhe pse sasi të vogla të saj gjendeshin tek Coca – Cola. Ajo që i bën të jashtë ligjshme këto droga lidhet me një sërë faktorësh të tjerë (si prostitucioni, trafikimi i qenieve njerëzore, vrasjet apo krimi i organizuar) si edhe me efektet e tyre anësore në rast varësie apo edhe mbidoze. Shoqërinë shqiptare e shqetëson në masë përdorimi (dhe kultivimi) i marijuanës. Vërtet nuk ka raste në botë të vdekjes nga mbidoza me të por pasojat tek përdoruesit e varur janë të rënda. Në fakt disa studiues ngulmojnë në faktin se marijuana nuk prodhon as përdorues të varur, por se është shoqëria e degraduar ajo që e gjen marijuanën si fajtore të gjendjes së mjerueshme ku kanë degraduar shumë njerëz, apo edhe për të justifikuar sjelljet kriminale. Kronikat e fundit të lajmeve, faqe e parë a e fundit e gazetave, portalet on-line, deklarimet e policisë gjatë kohëve të fundit flasin për një numër të madh krimesh (edhe si vrasja) që po kryhen nga të mitur e adoleshentë të cilët rezultojnë të jenë edhe përdorues të lëndëve narkotike. Sot është bërë e zakonshme që të dëgjosh edhe fëmijë 12 vjeçar të cilët me krenari thonë se kanë provuar hashash. Në një kohë ku çdo drogë e mundshme qarkullon pa më të voglin problem e ku një pjesë e mirë e “shitësve të pakicës” janë të mitur sigurisht që do t’i çojë këta fëmijë edhe në rrugën e kriminalitetit, qoftë për një “pazar të keq”, qoftë për të siguruar drogë për përdorim, qoftë për të “ngjitur” shkallët e karrierës kriminale. A është vërtet droga ajo që po e çon rininë drejt krimit apo ka faktorë të tjerë? Po i rikthehem edhe një herë tranzicionit aq të gjatë që kalon vendi yni saqë është bërë kaotik e rraskapitës për të gjithë. Teksa të gjithë e kanë përqendruar vëmendjen në respektimin e të drejtave të njeriut, demokratizimit, europianizimit, liberalizmit dhe në ofrimin e asaj çka sistemi i mëparshëm nuk ja lejoi/mundësoi brezit të prindërve të sotëm, një pjesë e rëndësishme e normave të domosdoshme për mirë-funksionimin e shoqërisë janë lënë në harresë ose janë “hedhur tej” si dekadencë e viteve të shkuara. Teksa të gjithë përqendrohen në “mirë-funksionimin” e qeverisjes politike edhe të rinjtë, në një mënyrë a një tjetër, janë lënë në harresë – në atë harresë ku nuk ju kushtohet vëmendje as nëse frekuentojnë shkollën apo nëse ju “hipi” në kokë dëshira për të provuar droga çdo ditë, e aq më pak vëmendje i kushtohet kulturës aq degraduese që ata manifestojnë çdo ditë. Rendja pas parasë e të mirave materiale e ka lënë në hije rëndësinë e arritjes së tyre nëpërmjet “punës së ndershme” siç ne shqiptarët quajmë çdo punë që arrihet nëpërmjet arritjes së një formimi të caktuar nëpërmjet edukimit e zhvillimit të intelektit. Në një mjedis të tillë inteligjenca pozitive nuk njihet aspak si koncept; në fakt një pjesë e mirë e shoqërisë sonë e di fare mirë se çfarë mund të quhet inteligjencë negative. Dhe janë pikërisht të rinjtë tanë ata që e duan paranë më tepër se çdo gjë tjetër sepse panë kushërinjtë e tyre apo komshinjtë që u pasuruan për 10 vjet e këta duan ta arrijnë për 1 vit. Ngase nuk kanë vullnet të punojnë për të arritur çka duan, ulen në një qoshe pallati e fillojnë të pinë cigare hashash njëra pas tjetrës derisa për një moment, në mendjen e tyre, u pasuruan. Shumë shprehen se është varfëria ajo që e shtyn rininë tonë të konsumojë lëndë narkotike por unë jam totalisht kundër tyre. Jam dakord se është varfëria ajo që i shtyn ta kultivojnë atë por për ta konsumuar – duhet më parë ta kesh blerë – dhe nëse të prek kjo varfëria që thonë ekspertët, nuk të lejon kurrsesi mundësi ta blesh. Ndaj jo, unë mendoj se është një degradim, një kalbje e shoqërisë sonë ajo që e lejon rininë të rrijë këmbë mbi këmbë nëpër kafenë, të mos ketë vizion për të ardhmen, të dembeloset për të punuar (se kanë prindërit ende që kujdesen për ta) . Historitë e hajdutëve dhe delinkuentëve sot janë për të rinj të moshës 14 – 25 vjeçare, dhe njëkohësisht përdorues të lëndëve narkotike. Mosha mesatare e vrasësve ka një trend të ri. Nga të gjitha teoritë e spekulimet pse të rriturit kryejnë krime, ne perfeksionuam edhe më të vegjlit. Me pak përjashtime, çdo adoleshent është i vetëdijshëm për veprimet që bën! Është i vetëdijshëm edhe se të përdorë drogë ose jo varet po nga ai. Është i vetëdijshëm se problemet e hallet e tij nuk do të zhduken po të përdorë drogë, e as nuk do të bëhet më i fortë me të. Ne pyesim veten se çfarë po ndodh me të rinjtë tanë por gjithçka është evidente, është para syve tanë çdo ditë. Shumë shprehen se është varfëria ajo që e shtyn rininë tonë të konsumojë lëndë narkotike por unë jam totalisht kundër tyre. Jam dakord se është varfëria ajo që i shtyn ta kultivojnë atë por për ta konsumuar – duhet më parë ta kesh blerë – dhe nëse të prek kjo varfëria që thonë ekspertët, nuk kë kurrsesi mundësi ta blesh. Ndaj jo, unë mendoj se është një degradim, një kalbje e shoqërisë sonë ajo që e lejon rininë të rrijë këmbë mbi këmbë nëpër kafenë, të mos ketë vizion për të ardhmen, të dembeloset për të punuar (se kanë prindërit ende që kujdesen për ta) Ndaj apeli im dhe i tërë intelektualëve në këtë vend është merruni me politikat rinore dhe punësimin e tyre prej vërteti, jo thjesht demagogji fushate për punësim fiktiv në letra dhe fjalime por aspak realiste. Sa nuk është vonë, ka të ngjarë që një pjesë e trurit të të rinjve të largohet në drejtim të vendeve të zhvilluara, e një pjesë tjetër të kthejë veten në shërbim të kultivimit, tregtimit dhe përdorimit të drogave të ndryshme.
Sigal