Xheladin Çelmeta/ Statusi i ushtarakut, kauza e të drejtës së mohuar

561
Po i hedh sërish këto rradhë për “Statusin e Ushtarakut”, edhe pse e di se pas leximit të tyre, pak kush do të reagojë. Aq më pak politika, që siç duket, prej kaq kohësh, “e ka ndarë mendjen” për të mos u marrë më me shqetësimet reale që kanë ushtarakët e grup moshës së pensioneve të parakohshme. E di, e them me bindje, se fatkeqësisht heshtja do të triumfojë përsëri. Se njerëzit sot janë, jo të lodhur, por të raskapitur nga retorikat pa fund. Jam i sigurtë se nesër, sërish kolegë të mij, teksa do shkëmbehemi në rrugë, do më thonë: “Mirë e kishe shtruar problemin, po kush të dëgjon?”. Por unë e kam gati edhe përgjigjen: “Unë do bëj atë që e ndjej se kam për detyrë. Për Statusin e Ushtarakut nuk do hesht asnjëherë; se ai nuk është thjeshtë vetëm një pension, por kauzë; është kauza e dinjitetit të ushtarakut”. Dhe për kauzën, nuk duhet heshtur asnjëherë, por duhet këmbëngulur, deri sa të realizohet. Statusi i Ushtarakut, është kauza e të drejtës së mohuar. 
“Koha e kolerës” kur lindi Akti Normativ
Për lexuesin e gjerë që nuk di se çfarë ka ngjarë me ne “qytetarët me uniformë” që pas shumë vitesh në shërbim të Atdheut dolëm një ditë në rezervë, po mundohem të spjegoj shkurt “pse”-në e reagimit tonë 6 vjeçar ndaj Aktit famëkeq Normativ. Përse duhej me çdo kusht të injorohej Statusi i Ushtarakut, për t’u zëvendësuar me Aktin Normativ? Vini re kohën kur sajua formula famëkeqe e Aktit Normativ: Ishte viti i afërt 2009, muaji korrik. “Koha e kolerës”. Ishte pikërisht periudha kur qeverisja e mëparshme e kishte çuar vendin në zgrip; të gjithë treguesit ekonomikë të shtetit kishin degraduar… Dhe nëse për momentin e atëhershëm, edhe mund t’i jepje “kuptim” aktit normativ, tani kjo gjë është kthyer në një makth të vërtetë. Ndaj mendoj, se qeveria aktuale e Koalicionit të Majtë, ashtu siç po mbush “gropën” e CEZ, e gjithë “gropat” e tjera që la pas keq-qeverisja e djeshme, ashtu siç normalizoi universitetet, faturat e energjisë elektrike, etj, etj, le të normalizojë tani edhe situatën problematike me pensionet e ushtarakëve në rezervë. Duhet bërë kjo, sepse edhe në këtë drejtim, qysh nga korriku i gjashtë viteve më pare, është krijuar po ashtu një “gropë” tjetër akoma dhe më e tmershme. Dhe kjo; jo më në arkën e shtetit, por në qesenë mjerane të familjeve të ushtarakëve në rezervë. Ato mezi po mbijetojnë sot, nga ankthi i një pensioni tre herë më të vogël nga ai që iu takon në fakt. Duhet ta dijë qeveria, se ushtarakëve në rezervë që janë edhe kryefamiljarë, po iu shtërngohet fryma, jo vetëm nga trajtimi “sipas aktit normativ”, por edhe nga një debi e shkaktuar për shkak të rrjedhojave të tjera negative që ai solli në gjithë këto vite. Shumë nga këto familje ushtarakësh i kanë fëmijët shpesh me universitete të mbaruara, por ende të pa punësuar, se nuk të afron asnjë shans; as privati e as shteti… 
Sqarim për politikanët që e kanë “harruar” Statusin e Ushtarakut 
Habitem se përse deputetët tanë sot, si të majtë, ashtu edhe të djathtë nuk kanë dëshirë të zhvillojnë qoftë edhe një seancë të vetme plenare për të drejtat e ushtarakëve, sipas ligjit të statusit. Se “Statusi i Ushtarakut, hartuar qysh në vitin 1991, është i qartë si drita e diellit: Ai nuk flet as për “pensione të parakohshme”, as për “skema të thjeshta pensionesh”, siç iu vjen për mbarë të flasin zyrtarë të ISSH-së apo politikanë. Jo. Statusi i Ushtarakut i vitit 1991, i miratuar me 100% të votave unanime të forcave politike parlamentare të kohës, të majta e të djathta, e ka definuar qartë mënyrën e trajtimit me pension të ushtarakut: Ushtaraku fiton të drejtën e trajtimit me pension, sipas Statusit, në çastin kur për arësye të ndryshme i ndërpritet karriera; kur ka mbushur moshën 47 vjeç e lart për burrat (dhe 45 për gratë) dhe ka plotësuar vite shërbimi; 15 vjet (për burrat) dhe 12 vjet (për gratë). Llogaritja e pensionit për ushtarakun (në rezervë) bëhet sipas formulës: 50% e pagës referuese në momentin e ndërprerjes së karrierës, plus 2% për çdo vit, mbi 15 vjet shërbim ushtarak (për burrat) dhe plus 2% për çdo vit mbi 12 vjet shërbim ushtarak (për gratë). Çdo trajtim tjetër jashtë kësaj formule, është antiligjor, antikushtetues dhe antihuman. Një i tillë është sot Akti Normativ që po ndëshkon pa mëshirë mijëra ushtarakë në rezervë. Statusi i Ushtarakut, duhet vënë në rendin e ditës të Parlamentit shqiptar sot. Dhe ajo që duhet të jetë negociatorja e parë e këtij procesi, duhet të jetë qeveria aktuale. Se 140 deputetët e Parlamentit të vitit 1991, që e miratuan “Statusin e Ushtarakut”, nuk ishin as “të çmendur”, as “të importuar nga jashtë”, por burra e gra me mend, që (unë besoj) se dallonin nga të sotmit vetëm nga një gjë: se ishin “të painfektuar” nga këto sëmundje që ka sot sistemi dhe mbarë politika shqiptare në përgjithësi; përderisa ndodh që harrohen kauzat e mëdha dhe shihet vetëm mbushja e xhepave. Hoffman, ambasadori gjerman në Tiranë, e shprehu qartë këtë në një konferencë ndërkombëtare të këtyre ditëve në Hotel-Tirana-International: “Sistemi gjyqësor në Shqipëri ka mbaruar; ka gjyqtarë e prokurorë të korruptuar; me makina luksi super të shtrenjta, dhe gjyqet nuk i fitojnë asnjëherë ata që kanë të drejtë”. Pasqyrë më të qartë se kjo, nuk ka. 
Kauza e dinjitetit
Statusi i Ushtarakut, është formula legjitime për të drejtën e mohuar të ushtarakëve në rezervë, për dinjitetin e tyre, për mbijetesën e tyre në kohët që jetojmë. Ata që trajtohen sot me Akt Normativ, përgjithësisht janë ushtarakë, që gati për një çerek shekulli kanë shërbyer në kushtet e “ushtrisë së madhe të pikave të hapjes”, e cila rrokte Shqipërinë cep më cep, në të gjitha kodrat e shtruara e malet e thepisura të këtij vendi, në fusha e lugina, në tunele e bunkerë gjigandë; të inkuadruar në strukturat e stërmëdha të 22 divizioneve luftarake, me të gjitha llojet e armëve. Ashtu ishte koha. Ne ushtarakët e kohës së Luftës së Ftohtë, për hir të detyrës së mbrojtjes “iu kemi vënë kryq”, i kemi ”zeruar” ndjenjat tona, në vitet “më të arta” të rinisë tonë. Ishte një vetëndërgjegjësim atdhetar sublim, se kështu e donte interesi i lartë i mbrojtjes së Atdheut. Me njëmijë e një sakrilegje, gjithnjë larg familjeve tona, me sinjalin e alarmit që na gjëmonte gjithmonë në vesh… Nuk më duket e tepërt të risqaroj për opinionin se përse ushtarakët janë një kategori e veçantë, ndryshe nga profesionet e tjera. Se askush në ndonjë profesion tjetër, nuk betohet se “do jem i gatshëm të jap edhe jetën për Atdheun”, si ushtarakët. Se askush në ndonjë profesion tjetër, nuk ka punuar “non stop” me tre turne për dekada të tëra rresht, pa asnjë ndërprerje, ashtu si ushtarakët. Se askush në ndonjë profesion tjetër, nuk ka fjetur jashtë në qiell të hapur, mbuluar me pelerinën e luftëtarit, apo në guva dëbore, si ushtarakët. Se askush në ndonjë profesion tjetër, nuk ka ngrënë ushqim në gavetë alumini për 20-25 vjet rresht, si ushtarakët. Se askush në ndonjë profesion tjetër, nuk ka punuar për më shumë se një çerek shekulli me armë e municione të rrezikshme, me helme luftarake, me predha e mina të kalibrave të ndryshëm, me lëndë plasëse të rrezikshmërisë së lartë, e në tunele të tmerrshëm….Kur ia thashë të gjitha këto një ditë një të përndjekuri politik, një burrë babaxhan që kish vuajtur në burgjet e sistemit te djeshëm para ’90-tës, u llhataris e vuri duart në kokë: “Po, po, paskeni shumë të drejtë”, më tha. Pse duhet t’u mohohet tani ushtarakëve gjithë kjo sakrificë? Pse u dashka “të ndrrohen rolet”, dhe ushtarakët të jenë sot të përndjekurit në demokraci? Ushtarakët në rezervë nuk po kërkojnë luksin, por të drejtën që iu takon me ligj, statusin e tyre. Nuk ka asnjë arësye që shteti demokratik sot t’iu mbajë ushtarakëve në rezervë më shumë se 2/3 e pensionit që iu takon me status dhe t’iu japë më pak se 1/3-tën e tij! Asnjë xhelozi nuk kemi për ish të përndjekurit, ish të burgosurit politikë, për ish pronarët, etj, etj, që po marrin sot shpërblimet për vitet e vuajtjes në burgjet e sistemin totalitar. Po pse sot u dashka të persekutohen ushtarakët me një ndëshkim “ekstra”, duke sajuar formulën e aktit normative, që vazhdon të zbatohet që nga viti 2009? Nuk po e kuptojmë se me ç’motiv qeveria aktuale vazhdon të mbajë në fuqi këtë akt (madje e quan edhe “ligj normal”(!!), kur dihet që ai në gjithë parametrat e tij është anti-kushtetues? 
Sigal