Viron Bezhani/Mziu heq flamujt e LSI-së, por jo atë të Integrimit

511
Sigal

Largimi nga pushteti duket se ka nisur të trembë që tani Partinë Demokratike, e cila ditët e fundit ka nisur sërish të përdorë marifetet e vjetra, ato të dhunës psikologjike ndaj rivalëve të saj, të kërcënimit, forcës dhe mashtrimit. Pushtetarët blu i tremben gjithnjë e më shumë një të majte të bashkuar, që së bashku do të sjellë një erë të re, ndaj dhe ka nisur të vërë në lëvizje të gjitha makineritë në dispozicion për të penguar këtë ndryshim të shumëpritur nga shqiptarët. Dhe si gjithnjë, ashtu siç ndodh shpesh rëndom në fushatat elektorale të Partisë Demokratike, nis heqja e flamujve të partive kundërshtare, grisja e posterave, kërcënimi i shtabeve elektorale etj. Kështu ka ndodhur ditët e fundit në një nga Bashkitë në periferi të Tiranës, atë të Kamzës, ku gjatë natës është bërë vjedhurazi heqja e flamujve të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe në vend të tyre janë vënë flamujt e PD. Gjeste këto të përsëritura në çdo fushatë, veprime të ulëta që konfirmojnë se nuk luhet ndershëm në një fushatë elektorale dhe se kush ka pushtetin mund të bëjë gjithçka edhe pse në mënyrë të pandershme, fshehurazi, natën, si një hajdut. Fakti që këtë Bashki e drejton një demokrat nuk i jep atij të drejtën që të bëjë ç’të dojë në këtë zonë, pasi edhe ai është zgjedhur nga vota e popullit. Por duket se Xhelal Mziu e konsideron Kamzën pronë të tij dhe ku mund të bëjë si të dojë, të heqë gjithçka që atij i duket e kuqe për ta zëvendësuar me ngjyrën blu. Heqja e flamujve të LSI-së nga rrugët e Kamzës për t’i zëvendësuar ato me të një partie tjetër është një shembull i keq se partia në pushtet nuk ka ndryshuar në 23 vite demokraci. Urdhrat e drejtuesve nga lart edhe të militantëve për të hequr flamujt apo edhe për të grisur posterat e partive kundërshtare tregojnë sërish se kësaj qeverie i ka hyrë frika në palcë dhe se trembet të dorëzojë pushtetin, një pushtet i ndërtuar mbi korrupsionin e mashtrimin. Dhe në gjithë këtë maskaradë të drejtuesve të Bashkisë së Kamzës LSI ka treguar pjekuri e maturi, duke mos iu përgjigjur provokimeve, por ka vijuar punën e saj elektorale e bindur në suksesin e saj. Ylli Manjani, kandidati për deputet i LSI-së në këtë zonë dhe shtabi i tij elektoral e kanë denoncuar këtë gjest të shëmtuar dhe kanë vendosur që t’i qëndrojnë edhe më pranë elektoratit dhe qytetarëve të Kamzës, për t’i ndihmuar ata dhe jo të heqin flamujt e partive të tjera. Ky gjest i shëmtuar i Mziut me shokë nuk e ka trembur aspak apo ndalur në rrugën e saj Lëvizjen Socialiste për Integrim, që në këtë fushatë ka hyrë me bindjen e plotë se do të sjellë ndryshimin dhe do të luajë rolin e madh të integrimit të Shqipërisë në familjen evropiane. Këto veprime të ulëta vetëm sa denigrojnë edhe më shumë partinë në pushtet dhe veglat e saj, që fshihen ditën dhe shkatërrojnë në errësirën e mbrëmjes. Një qeveri që përdor çdo mekanizëm për të treguar se ka frikë nga gara e ndershme dhe se kërkon të lyejë me një fasadë blu atë që shqiptarët e shohin qartazi çdo ditë, korrupsionin e mashtrimin. Për fat të mirë zgjedhjet po afrohen dhe asnjë kryetar Bashkie apo kryeministër në ikje nuk mund ta ulë apo ta heqë një flamur më të madh dhe më të rëndësishëm. Ai është flamuri i të gjithë shqiptarëve, është flamuri i integrimit, i cili do të valëvitet jo vetëm në rrugët e Kamzës, por të të gjithë Shqipërisë.