Librazhd, nuk ofron shërbimet elementare, abonentët mbyllin kontratat me Albtelekom-in

471
Sigal

Flasin banorët: “Albtelekom-i çdo ditë e më shumë po del jashtë funksionimit. S’ka punonjës dhe ka probleme me sinjalin”

Albtelekomi i rrethit të Librazhdit çdo ditë e më shumë po del jashtë funksionimit. Shumë banorë ankohen se nuk marrin shërbimin e duhur. Ky degradim ka filluar para një viti që kur administrata u shkurtua. Në këto kushte ajo nuk funksionon siç duhet, pasi në janar të 2012 bëri dhe shkurtimin e 8 punonjësve duke lënë në punë vetëm dy punonjës, teknikun dhe personin që merret me shërbimin e shitjes. Banorët e qyteti të Librazhdit ankohen për mos shërbimin e duhur nga Albtelekomi. Sipas një qytetari, B. Biçaku thotë për gazetën “Telegraf” se, ka katër ditë pa sinjal. “Unë kam katër ditë pa sinjal. Jam ankuar te Albtelekomi, por aty nuk gjejmë asnjë punëtor e jo më të pretendojmë të zgjidhim hallin apo të mbarojmë punën. Unë kam paguar dhe të gjitha detyrimet. I paguaj faturat rregullisht dhe dua që të kem sinjal dhe telefoni të më funksionoj ashtu si duhet. Kërkoj nga Albtelekomi që kjo situatë të zgjidhet menjëherë nga personat përgjegjës. Po si unë ka dhe mjaft qytetarë të tjerë që nuk kanë sinjal, por nuk flasin se kanë frikë”,- tha Biçaku. Ndërsa të tjerë qytetarë thonë se duan të lidhin lidhje të reja, por nuk u përgjigjet njeri pasi zyrat e Albtelekomit janë si dyer “hani” dhe nuk të dëgjon njeri se çfarë halli ke. Madje, të shumtë janë ata që duan të heqin lidhjet nga Albtelekom-i, por që nuk ka njeri se kush tua bëjë këtë shkëputje, thotë një qytetar për gazetën “Telegraf”. “Kemi shkuar disa herë, por nuk kemi mbaruar punë pasi aty vetëm një punëtor është. Ai thotë që do të vijmë sa më shpejt e kështu na mbajnë me gënjeshtra çdo ditë e më shumë. Ne kërkojmë që të na zgjidhet halli që kemi dhe kur të shkojmë në këtë institucion të marrim shërbimin që duam pasi kur vjen puna për të paguar faturat nuk na fal njeri dhe s’do ta dijë njeri nëse ke fol t’i në telefon apo jo. Ata duan vetëm të paguaj faturat”, thanë disa banorë të qytetit. Një tjetër shqetësim për banorët e Librazhdit është dhe mungesa e kartave për kartofonat. Ka më shumë se 6 muaj që mungojnë dhe ka nga ata qytetarë që i kërkojnë pasi kanë të afërmit e tyre në emigracion, si në Angli, Gjermani etj., ku kushton shumë po të përdorin celularët dhe duan që këtë shërbime ta kryejnë nga kabinat telefonike që prej kohësh janë jashtë funksionit. Banorët urojnë që halli i tyre të zgjidhet sa më shpejtë  dhe të marrin shërbimin që duan në kohën e duhur.