Vangjush SARO/Atdhetaria e “përqeshur”

501
Sigal

Na duket se ka ardhur koha që t’a shkarkojmë nga supet një pjesë të peshës së termave të tilla, si atdhetarizmi, nacionalizmi etj., në dobi të termave qytetari e zhvillim. Natyrisht, është fjala për atdhetarizmin e shtirur, fals. Më bëri përshtypje këto ditë një fakt: Një shkrues kosovar, që jeton diku në Evropë, gjatë qëndrimit në vendlindje për pushime, na tregoi përmes një shkrimi disa nga pakënaqësitë e tij për dukuri që shprehin prapambetje dhe antikulturë. Midis të tjerave, ai fliste edhe për mosrespektimin e rregullave të qarkullimit rrugor, çka vë në rrezik edhe jetë njerëzore. Në dukje, një gjë e thjeshtë. Por çfarë ndodh? Të nesërmen e botimit të këtij shkrimi, një “atdhetar” nga Kosova, po nga vendlindja e autorit të shkrimit, bënte një koment ku (pothuaj) i hidhte baltë shkruesit, pse ky…kishte sharë vendlindjen. Nuk do shumë vëmendje të konstatojmë se në fakt, atdhetar është ai që ngre një problem dhe kërkon që vendi – meqë ka hyrë në rrugën e Perëndimit – të ndjekë ato modele…Të kërkosh të zbatohen ligjet, rregullat, të ndiqen parimet e botës demokratike, të kërkosh më shumë qytetari, kjo është gjithë ç’mund të përmbledhë atdhetarizmi. Athetarizmit për t’u dukur e për të justifikuar prapambetjen dhe misticizmin, i ka ikur koha.

Për muaj me radhë, duke menduar se mund të korrnin pikë, ndjekësit e Sali Berishës – dhe ai më shumë se kushdo – tundën fort kartën e atdhetarizmit, madje të nacionalizmit, sadoqë ishte shumë vonë për një aso…Nuk ka kaluar veçse një muaj nga humbja, janë ende në zyrat e pushtetit, por po qajnë me pikë loti pse do të ikin. Nuk ua ka ënda të lënë pushtetin. Nuk duan më rotacion e pluralizëm; këta atdhetarë gërdecarë, këta patriotë të tenderave dhe të klientelizmit, që falën detin dhe tokat më të mira përqark Durrësit, që inkurajuan pareshtur bizneset e fqinjit verior, me të cilin gjithsesi ka ende probleme përmidis. Dhe kështu, tani, çuditërisht, ata e kanë harruan temën në fjalë. Atdhetarizmin. Janë vërsulur kundër pasardhësve të tyre duke i kërcënuar, duke i paragjykuar, duke u përpjekur, siç ka thënë njëherë ky që sapo iku…t’ua ngrijnë “buzëqeshjen në buzë”. Le të përmbyset vendi, le të bëhet çorap procesi paszgjedhor, mjaft që të projektohen diku dështimet e kundërshtarëve politikë; se çfarë atdhetarie është kjo, mund ta dinë vetëm ata.

Këto ditë, media e shkrues gjithfarë, të ndjekur edhe nga komentues të papërmbajtur, janë vërsulur mbi një shkrim të Fatos Lubonjës sikur të kishte pasur tagrin ta shpinte edhe njëherë në Hagë Ramush Haradinajn. Natyrisht, unë nuk mendoj se është emergjente dhe sjell ndonjë zgjidhje të sulmosh disa ish-luftëtarë të UÇK-së, pasi që në rrugë zyrtare ata e kanë marrë pajfajësinë; madje jo njëherë. Por ndërkaq, nuk është e drejtë të shtrembërohen disa nga argumentet e artikullit në fjalë; pikësëpari ato që kanë të bëjnë pikërisht me përdorimin e atdhedashurisë si nënkrejse për pushtet. E kam shkruar edhe njëherë tjetër, nuk më kanë pëlqyer deklaratat e tashme dhe të mëparshme të z. Haradinaj se do të bëhet kryeministër. Unë mendoj se gjithkush që është në politikë, i ka të çelura rrugët për të bërë edhe më tej karrierë, përveçse po pati punë me drejtësinë apo nëse ka një dosje, që dikur mund të hapet. (Jam shprehur edhe më parë, gjithashtu, se këto të shkreta duhen skanuar së paku për zyrtarë të lartë dhe njerëz me ndikim në media.)

Por nëse mund të pyeteshin një takëm si unë, edhe në Shqipëri edhe në Kosovë, duhet të drejtojnë teknikët, domethënë njerëz profesionistë dhe ekspertë në fushat kryesore, siç janë ekonomia, drejtësia, politika e jashtme, jeta shoqërore. Megjithatë, nuk ia presim dot hovin askujt. Tani disa gjëra i vendos vota e njerëzve. Por nuk mund të shpallësh vend e pa vend:  “Do të bëhem kryeministër.” Mandej, kjo tingëllon si një mani dhe gjithkush mund të thotë: “Po pse e mëton këtë gjë me kaq këmbëngulje? Nëse mendojmë për atdhe e shtet, është më mirë që ta lëmë atë në duar të demokracisë e të teknicizmit, sesa të kërkojmë të diktojmë e të mbahemi lidhur ende pas meritave të luftës, që kurrkush nuk i mohon…”

Te ne, ndërsa përgatitet të ndërrohet pushteti, të kalojë te të majtët, liderët e humbur të PD-së, ai që (bëri sikur) dha dorëheqjen dhe ky që për pak do të zgjidhej me 99% të votave, kanë filluar të kërcënohen për punë të administratës e të punësuarve të tyre militantë. Autori i këtyre radhëve është një prej intelektualëve dhe prindërve që pushteti i Berishëve, Bashëve, e aleatëve të tyre, pa të drejtë, e hodhën në rrugë. Zotërinjve që çirren sot në këtë temë, mund t’iu thuhet se kanë bërë krime, duke dëbuar pune deri edhe shoferët e pastrueset, në të gjitha institucionet dhe entet që kishin në dorë, duke mos menduar për ata njerëz asnjë çast; deri sa edhe morën ndëshkimin me votë. Po ashtu, zotërinjtë që shtiren të zemëruar, kanë harruar se sa herë dhe në sa raporte ua ka kujtuar Perëndimi punën e administratës të mbushur jo me profesionistë, por me militantë.

Këtu e vlen të ndalemi. Personalisht, nuk do të inkurajoja asnjëlloj revanshi në këtë çështje të rëndësishme. (Edhe pse e kam hequr mbi kurriz mërinë e këtyre gjojademokratëve vetëm e vetëm për shkrime në gazetë.) Por administrata duhet të reformohet; kush ka hyrë atje pa arsimin dhe kualifikimin e duhur, me mik, përmes celularit të njërit e të tjetrit, siç janë demaskuar në media shumë herë, duhet të përpiqet për një zgjidhje tjetër. Vendit i duhet një administratë e aftë dhe e kualifikuar. Në sektorë të tillë, si arsimi, policia, ushtria, administrata – më në fund – duhet të jetë e depolitizuar. Pikësynimi i saj, duhet të jetë kualifikimi dhe jo rendja pas mitingjeve. Ky ndryshim s’duhet bërë me fjalë, por me dokumente dhe ligje. Përndryshe, rikthehemi atje ku ishim, kur drejtorët e shkollave dërgonin mësuesit dhe nxënësit në miting a në përurim, që dikush të bënte figurë prej “udhëheqësi të madh”; kur ata që duhet të ndëshkonin krimin, shtroheshin në gosti me protagonistët e tij; kur ushtarakët shkarkoheshin sepse nuk ishin në klan…

Këto sjellje të egra dhe të padenja për një vend që rreh të ndërtojë demokracinë, nuk duhen imituar më. Kjo sot është një kërkesë e vendit, edhe e atdheut nëse duhet ta themi kështu; sepse nuk ka më vend për bërtitje në kurriz të atdheut, për përdorimin e atdhetarizmit si nënkrejse për pushtet. Peshën false të të ashtuquajturit atdhetarizëm, le t’ia lëmë të shkuarës. Atdheu i sotëm nuk kërkon nga ne demagogji, ideologji, misticizëm, por civilizim, përfshirje për zhvillim real dhe sipas parametrave të vendeve më të përparuara demokratike. Më në fund, atdhetarizëm është të vendosësh në vend sigurinë dhe qetësinë, të ulësh papunësinë dhe të ngresh mirëqenien, t’i kthesh arsimit shqiptar dinjitetin, të mbrosh mjedisin nga shkatërrimi i mëtejshëm, të kthesh paqen mes shqiptarëve. Të tjerat, janë llafe dhe propagandë boshe.