Themi Perri/ Gjuetia u çel, por a është mbyllur ndonjëherë?!

764
Sigal

Edhe pse  çelet  sezoni ri i gjuetisë 2013-2014, ajo asnjëherë nuk është mbyllur, sidomos vitet e fundit,duke u gjuajtur në të gjithë muajt e vitit, nga vendas edhe të huaj, madje edhe në kohën kur kafshët dhe shpendët e egra janë në folezim, apo me të vegjël në bark. MMPAU, nga ku menaxhohet gjuetia, deri tashmë nuk ka dërguar  qoftë edhe ndonjë informacion për Federatën dhe shoqatat në rrethe për mënyrën dhe rregullat e reja të këtij sezoni, rezervatet dhe zonat e mbrojtura, zonat e lira sipas rretheve, kalendarin e gjuetisë dhe numrin vrasjes  së krerëve sipas llojeve në një ditë gjuetie. Kjo mbase, ngaqë nuk kanë çfarë të thonë pasi armët vazhdojnë të qëllojnë pa pushim tamam si në një ditë të lejuar gjuetie, nga Shkodra, deri në Sarandë në vijën bregdetare por edhe më gjerë, vazhdon të gjuhet pa pushim ditë e natë duke përdorur të gjitha mjetet e sofistikuara duke bërë kërdinë mbi shpendët e egra autoktone e migrator.

Në Velipojë, Kunë Vain, Kënetën e Karavastasë, e çdo lagunë tjetër, edhe pse janë shpallur zona të ndaluara rreptësishtë, pritat që kanë ngritur gjuetarët, sidomos  ata  të huaj, ju mungon vetëm legalizimi dhe kjo nën hundën e atyre që janë të ngarkuar për ta ruajtur atë, apo me mbështetjen e disave të përfshirë në afera korruptive. Fotot  janë të ditëve të fundit të marra në Kunë Vain dhe Karavasta. Kush shpreh rezerva për identitetin e tyre, apo do të shuaj kureshtjen, sidomos pushtetarët, të marrin mundimin t’i shohin dhe do të përballen  me qindra prita dhe usheze të tjera dhe me mijëra e mijëra fishekë të zbrazur nga armët e gjahut. Kjo përbën edhe rrezik ekologjik. Sikur të mos mjaftonte kjo, gjuetarë të huaj të mbështetur nga “të fortët” kanë “pushtuar” zona të tëra gjuetie, tamam, sikur të ishin mall pa zot. Kjo mënyrë të gjuajturi na lë të kuptojmë që ka një pakt të heshtur mes atyre që shteti i ka ngarkuar për të zbatuar ligjin dhe kontrabandistëve, të cilët duan të përfitojnë nga kjo pasuri e madhe kombëtare.

Shqipëria është kthyer në një shkretëtirë faunistike që politikat mediokre e të papërgjegjshme e kanë katandisur botën e kafshëve të egra në ditë të hallit. Kjo falë punëve të ”mira” të disa zyrtarëve që me sjelljen e tyre arrogante dhe prepotente ndaj kësaj pasurie publike me vlera të jashtëzakonshme biologjike e ekonomike, por edhe të grupimit më të madh të interesit, shoqatave të gjuetarëve dhe Federatës së Gjuetarëve të Shqipërisë duke favorizuar njerëz të caktuar, lidhur me pushtetin dhe klanet mafioze që edhe zogjtë e egër i kanë përdorur për qëllime biznesi për të mbushur xhepat e tyre dhe të shefave që i mbrojnë. Sikur të mos mjaftonin këto nxiton dhe miraton edhe Ministria e Kulturës disa masa të tjera. Se ç’punë ka kjo Ministri me pyjet, ujërat, kafshët e shpendët e egra; gjuetarët dhe zagarët e gjahut, një zot e merr vesh. Për të ardhur keq  që vetë ministria ka thyer ligjin. Vite të tëra një numër tejet i lartë armëmbajtësish, (rreth 13O mijë, ushtrojnë gjatë gjithë vitit,ditën e natën, brenda sezonit të gjuetisë e jashtë tij, një gjueti barbare ndaj thuajse, të gjitha specieve të faunës së egër, por veçanërisht, ndaj atyre që shërbejnë si mall tregtimi, si derri i egër, lepuri i egër dhe thëllëza e malit, llojet e rosave, kaprolli, etj..

Duke u ndodhur përballë  një shteti tejet indiferent, një gjueti barbare është ushtruar nga dhjetëra mijë vetë, pa u kontrolluar nga askush, e cila ka sjellë aktualisht, një gjendje katastrofike të faunës së egër autoktone në Shqipëri, gjë që nuk ndodh në asnjë shtet tjetër, të botës. Kjo nuk përbën thjesht, një ndjenjë dëshpërimi për gjuetarët e vërtet, por një faktor ekologjik me riperkusione të ndjeshme në ekuilibrin natyror të vendit dhe në pakësimin e resurseve të tij natyror, rrjedhimisht dhe ekonomik.

Përgjegjësia

A do të mbajë përgjegjësi që në 22 vite nuk është investuar asnjë qindarkë për rezervatet e gjuetisë dhe zonat e mbrojtura?! Si ndihen ata “specialistë” që me heshtjen e tyre kanë “kontribuar” në zhdukjen e llojeve të specieve në Shqipëri, që po të ndodhte në shtetet e tjera do të ishte dhënë me kohë alarmi. A do të vihen para përgjegjësisë ata që e kanë katandisur gjendjen në ditë të hallit, duke sjellë një dem me vlera të pallogaritshme ekonomike shtetit. Po ato pak “projekte” që janë zbatuar, a ka shenjë që të jetë hedhur ndonjë qindarkë në destinacion, pasi: Velipoja, Kunë Vaini, Karavastaja, Narta, etj., vetëm kanë ardhur drejt degradimit. A përbën kjo për organet e drejtësisë, kontrollin e lartë të shtetit, krimin ekonomik-financiar një objekt hetimi?! Dëmi është i pallogaritshëm dhe patjetër duhet të paguhet. Ata sekserë që deri dje kapardiseshin duke u vënë në garë me njëri-tjetrin për të sjellë sa më shumë gjuetarë të huaj në vendin tonë, për të mbushur xhepat e tyre dhe të shefave të tyre, që me reklamat “fantastike” në panaire jashtë vendit e paraqisnin Shqipërinë si parajsë, duhet të vihen para ligjit, dhe kjo me siguri që do bëhet.

Si ka mundësi që pjesa më e madhe e 150 mijë armëmbajtësve kanë ushtruar gjueti në mënyrë të paligjshme kur të duan dhe ku të duan dhe shteti vetëm ka heshtur. Përse kjo sjellje përpara këtij mentaliteti barbar dhe mizor që na largon së tepërmi nga Europa moderne. Si është e mundur që në çdo muaj të vitit, qindra punonjës të ndërmarrjeve pyjore, që paguhen rregullisht çdo muaj, por nuk e kanë ushtruar detyrën e tyre  asnjë ditë të vetme ndaj gjuetisë së paligjshme. A kanë ata mbështetjen e strukturave të tjera dhe mjetet logjistike për të ushtruar detyrën?

Gjatë  viteve të fundit, gjuetia është trajtuar si pronë e një grushti njerëzish. Përballë këtij realiteti, këta matrapazë përveshnin mëngët dhe kërcënonin gjuetarët dhe shoqatat, sigurisht të mbrojtur nga lart.

Me ardhjen e maxhorancës së re në qeverisje edhe për komunitetin e gjuetarëve do të ketë Rilindje. Kjo në radhë të parë në hartimin dhe miratimin e një ligji bashkëkohor Europian, ku gjuetarët do të trajtohen si kolegët e tyre, ku do të forcohet roli i Federatës, lidhjes dhe forcimit të mëtejshëm të shoqatave dhe shtetit. Gjuetia është padyshim një nga aktivitetet me të rregulluar dhe rekreative në Europë dhe kjo rregullore në të gjitha vendet Europiane mbështetet në marrëdhënie shumë të mira pune, mes Federatës dhe shtetit.

Shumë herë në vite kemi ngritur shqetësimet tona përmes shkrimeve në shtyp, botimeve, flete-palosje dhe emisione televizive, përballë këtyre fakteve aspak të këndshme, shteti ka qenë indifferent. Ashtu si në të gjithë shtetet e tjera në rajon edhe më gjerë, pyjet, kullotat dhe resurset, ku përfshihet dhe fauna e egër, duhet me patjetër të rregullohen dhe menaxhohen nga një drejtori përkatëse në Ministrinë e Zhvillimit Rural. Sikundër deri në rregullimin e kuadrit ligjor të ndalohet gjuetia e të huajve dhe tregtimi i mishit të kafshëve dhe shpendëve të egra ashtu si kanë vepruar vite më parë Turqia e Greqia.

Rregullimi i gjahut dhe gjuetisë është kompleks dhe duhet marrë në konsideratë nga interesa shumë konkurruese. Ne, si Federatë punojmë në interes të gjuetisë dhe ruajtjes së natyrës. Kemi përvojën dhe kapacitetet e duhura dhe jemi mëse të gatshëm të ndihmojmë dhe kontribuojmë për kërkimin dhe zgjidhjen e këtyre çështjeve në interes të zhvillimit dhe menaxhimit të botës së egër përputhje me standardet europiane.

 *Sekretar i Përgjithshëm e Federatës së Gjuetarëve të Shqipërisë